Komunat me shumicë serbe prijnë me dalje në votime

Bazuar në të dhënat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë deri në orën 11:00 kanë votuar rreth 8,30 për qind e votuesve.

Komuna e Zveçanit, në bazë të këtyre të dhënave, prin me numrin më të madh të votuesve, apo me dalje në zgjedhje deri në rreth 34 për qind, komuna e Leposaviqit, me mbi 27 për qind, Mitrovica Veriore me 26 për qind, Ranillugu me rreth 12 për qind.
Kurse, në komunën e Prishtinës deri ne orën 11:00 kanë votuar rreth 11 për qind e qytetarëve me të drejtë vote.

Nga komunat me daljen më të ulët është Gllogoci dhe Hani i Elezit, me më shumë se 5 për qind, transmeton REL.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka thënë se procesi i votimit është duke u zhvilluar normalisht dhe se nuk ka raportime për incidente që mund ta dëmtojnë procesin zgjedhor.

Të drejtë vote në këto zgjedhje kanë 1.794.862 qytetarë, të cilët do të mund të votojnë në 888 qendra të votimit, me 2.382 vendvotime në 38 komunat e Kosovës. Këtë vit, KQZ-ja ka larguar nga lista e votuesve rreth 122.000 persona, të cilët kanë qenë të regjistruar vetëm me dokumente të UNMIK-ut. Në këto zgjedhjet është thënë se do të votohet vetëm me dokumente të Kosovës.

KQZ-ja ka certifikuar 28 subjekte politike për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës: 21 parti politike, 2 koalicione dhe 5 iniciativa qytetare.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button