Bekteshi: Me interkonektorin për lidhjen e gazit me Greqinë, i njëjti do të arrijë nga Azerbejxhani në tregun tonë

Ndërtimi i një sistemi kombëtar të gazit dhe lidhja e tij me sistemet rajonale, si dhe ndërtimi i sistemeve të shpërndarjes së gazit natyror, janë një nga përparësitë e Qeverisë në infrastrukturën e energjetike. Gazi natyror është lëndë djegëse e dobishme me një gamë të gjerë përdorimesh në amvisëri, industri dhe trafik, si dhe për prodhimin e energjisë elektrike dhe nxehtësisë. Kështu deklaroi Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi në takimin ministror të Këshillit këshillëdhënës të Korridorit jugor të gazit, i cili u mbajt virtualisht në Baku, Azerbajxhan dhe në të cilin Maqedonia mori pjesë për herë të parë, njofton Portalb.mk.

“Gazifikimi i vendit është krucial për ekonominë dhe përfitojnë si qytetarët ashtu edhe kompanitë, mjedisi dhe shoqëria në tërësi. Në zhvillim e sipër janë aktivitetet për ndërtimin e mëtejshëm të sistemit ekzistues të tubacioneve të gazit në Maqedoninë e Veriut, lidhjen e tij me sistemet rajonale të tubacioneve të gazit, veçanërisht me Korridorin Jugor të Gazit, pastaj plani, zhvillimi i shpërndarjes së gazit që do të bëhet përmes partneritetit publiko-privat, por gjithashtu duke filluar negociatat për furnizimin e sasive shtesë të gazit natyror”, tha Bekteshi.

Ai shtoi se nga mesi i këtij viti është paraparë të fillojë ndërtimi i interkonektorit për lidhjen e gazit me Greqinë, i cili do të na lidhë me Korridorin Jugor të Gazit dhe kështu gazi nga Azerbajxhani do të arrijë në tregun tonë.

Korridori jugor i gazit, një projekt prej 40 miliardë dollarësh, përshkon 3.500 kilometra territor, nga Baku në Italinë e jugut, përmes Gjeorgjisë, Turqisë, Greqisë dhe Shqipërisë. Burimi kryesor i gazit për sistemin është fusha Shah Deniz në Detin Kaspik, me rezerva prej 1.2 trilion metra kub. Me përfundimin e fazës së parë të këtij korridori në dhjetor 2020, palët e interesuara po konsiderojnë zgjerimin e projektit në tregje të reja, të tilla si Ballkani, dhe tranzitin e gazit nga burime të tjera në dispozicion. Kompanitë pjesëmarrëse në projekt janë: Banka Botërore, BERZH, EIB, Banka Aziatike për Zhvillim, Banka Aziatike e Investimeve në Infrastrukturë dhe institucione të tjera financiare ndërkombëtare.

Në takimin ministror në Baku morën pjesë përfaqësues të Shteteve të Bashkuara dhe disa vendeve të Ballkanit dhe Evropës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button