fbpx

Naim Idrizi, pionier i artit 3D, krijimet e tij të lënë gojëhapur (VIDEO)

Naim Idrizi, artist nga Kumanova. Përfundoi studimet master në Akademinë e Arteve për Grafikë në Prishtinë. Naimi llogaritet si pionier i artit 3D në Maqedoninë e Veriut, Kosovë, Shqipëri dhe më gjërë. Me stilin e tij unik ka bërë që ky lloj i artit të fillojë një dimension të ri në Ballkan.  Në një intervistë për Portalb, rrëfeu për arritjet e tij në art.

“Me pikturat 3D kam filluar në vitin 2015. Mora një ftesë nga një festival i artit, i cili u realizua në Prishtinë. Ishte shumë spontane edhe paraqitja ime e parë në 3D street art. Unë e pranova me shumë kënaqësi edhe pse fare nuk e kisha idenë se si punohen pikturat 3D. Kisha parë shumë të tilla, mirëpo mënyra se si realizohen ato nuk e kisha idenë. Vendosa që të bëjë një hulumtim dhe të shoh se si punojnë artistët nëpër botë, meqë këtu në rajonin tonë nuk kishte artistë të këtij stili, ku mund të merrja ndonjë informacion prej tyre, mirëpo, sidoqoftë, unë vendosa të mësoj këtë stil arti me apo pa ndihmën e dikujt.” u shpreh Naimi.

Naimi në fillimet e tij, në botën e 3D artit u gjet i vetëm dhe nuk pati mbështetje nga askush. Por, ai arriti ta menaxhojë këtë situatë dhe ia doli në mënyrën më të mirë të mundshme. 

“Pas 3 javëve fillonte festivali. Këtu filloi dhe sfida ime sepse mora një përgjegjësi të madhe mbi vete, sepse ky punim do të realizohej në qendër të Prishtinës. Pasi bëra hulumtimin trijavor, ishte shumë e vështirë, sepse nuk kishte shpjegime askund se si punohet një pikturë 3D Art. Të gjithë artistët e ruanin formulën me fanatizëm. Kam kërkuar ndihmë nga disa artistë botëror të cilët merren me artin 3D, por, fatkeqësisht, nuk mora asnjë përgjigje, kështu që unë përgatita një skicë dhe provova në një vend tjetër se si do të duket punimi. Fatmirësisht, doli ashtu siç duhet, me disa probleme të vogla, gjë që në realizim e sipër i përmirësova. Dhe, prej atëherë unë vazhdimisht punoj në këtë lloj arti.” tha Naim Idrizi.

Muralet momentalisht vlerësohen dhe tërheqin vëmendje të madhe nga qytetarët. Po sa kohë duhet për realizimin e një murali?

“Periudha e realizimit të muraleve apo pikturave 3D dallojnë njëra prej tjetrës. Fillimisht duhet të dish lokacionin, të studiohet muri në të cilin do të punohet piktura, cila është pamja më e përshtatshme, të marrësh imazhe dhe pastaj të shtjellosh idenë se çka do të paraqesësh në ato mure. Pasi të krijosh idenë e cila merr kohë afërsisht tri deri në shtatë dite për te krijuar një koncept, vazhdon me skicimin e idesë dhe pastaj vjen realizimi. Ka piktura që mund të realizohet për dy ditë, shtatë ditë, 20 ditë e kështu me rradhë, varësisht se çka punohet, sa janë dimensionet e punimit, sa sipërfaqe ka piktura etj.” tha Naimi.

Për të realizuar një mural dhe sidomos në formën 3D duhet të jesh patjetër shumë i saktë. Në sytë tanë krijimet e Naimit duken të gjitha perfekte, por, cilën do e veçonte ai nga të tjerat? Për këtë pjesë Naimi u tha:

“Piktura ime më sfiduese deri më tani ka qenë dhe do të mbetet besoj ajo  “3D Toilet” (WC), 2015, në Prishtinë. Këtë pikturë do e veçoja sepse është punimi im i parë që kam realizuar në stilin 3D Art, dhe paraqitja apo performance e parë para publikut dhe prej këtij momenti filloi nisma dhe  dashuria për këtë lloj arti, që sot e kësaj dite e zotëroj me shumë dashuri.” u shpreh Idrizi.

This slideshow requires JavaScript.

3D Arti filloi të përdoret nga markat globale për të tërhequr vëmendjen ndaj produkteve dhe shërbimeve të tyre. Po çfarë e bën të veçantë këtë lloj arti? Për këtë pjesë, Naimi thotë:

“E veçanta e muraleve apo 3D artit është se qytetarin e detyron në një farë forme të mishërohet me artin dhe po ashtu të përcjellësh mesazhin deri tek ata, nëpërmjet këtij punimi. Në shumicën e muraleve të mia mundohem të përçoj mesazhe të llojeve të ndryshme, qoftë për mbrojtjen e ambientit, tolerancës etnike, gjinore, fetare, politike e tjerë. Me një fjalë, çdo gjë që më duket e arsyeshme për të realizuar një punim, qoftë kritik apo për diçka të bukur, unë e paraqes në punimet e mia. Mirëpo, jo domosdoshmërish duhet të tregohet diçka në muralet, mund të jetë dhe vetëm një punim atraksion.” tha Naimi.

Mesazhi që Naimi përcolli për të gjithë artistët e rinj është:

“Mesazhi im për të gjithë artistët e rinj do të ishte, punë dhe përkushtim maksimal në profesion. Suksesin e keni të garantuar.” e përmbylli Naim Idrizi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button