RMV, pronari i vaksajns.mk është thirrur në bisedë në stacion policor

Adil Bakiu nga Shkupi është pronar i domenit vaksajns.mk, i cili është regjistruar gjatë ditës së djeshme, tregojnë të dhënat e Rrjetit Hulumtues Akademik të Maqedonisë. Të gjithë ata që do ta hapin ueb-adresën në mënyrë të drejtpërdrejtë do të ridestinohen në ueb-faqen për tregimin e interesit për vaksinë kundër COVID-19 të Ministrisë së Shëndetësisë vakcinacija.mk, njofton Portalb.mk.

Këtë e ka konfirmuar edhe vetë Bakiu në bisedë telefonike me Meta.mk, i cili konfirmoi se e ka regjistruar ueb-faqen, por nuk ka dëshiruar të sqarojë për arsyet që e ka bërë atë.

Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se ueb-faqja zyrtare për paraqitje vakcinacija.mk nuk është hakuar, e as që dikush ka kryer sulm ndaj saj, por është bërë ueb-faqe tjetër paralele.

Nga Ministria sot në mëngjes e kanë paraqitur rastin në Sektorin për Krim Kompjuterik dhe Forenzikë Digjitale në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Bakiu në Fejsbukun e tij shkruajti se është thirrur në Stacionin Policor Karposh.

“Në ora 13:30 jam ftuar në SP Karposh në bisedë rreth domenit vaksajns.mk. Njësia për Krim Kompjuterik mua shpejtë m’i gjeti gjurmët dhe shpejtë më ftuan për ridestinim të thjeshtë drejt faqes së MSH”, shkruajti Bakiu.

Pasi ka mbaruar biseda në Polici Bakiu sërish ka shkruar.

“Ju faleminderit të gjithëve për mbështetjen, edhe pse deri te kjo fare nuk duhej të vijë, as në fund të mendjes nuk e prita. Në Stacionin Policor biseduam si/pse dhe aq ishte, rreth gjysmë ore më mbajtën, edhe pse më duket shumë e rrezikshme kur kësi raste satirike zbatohen nga organet e pushtetit shumë më shpejtë se sa për ato që me të vërtetë janë serioze. Dhe kjo nuk është perceptim”, shrkuajti Bakiu.

Përndryshe, termini “vaksajns” në rrjetet sociale u shfrytëzuar për përqeshje të kryeministrit Zoran Zaev, gjegjësisht për mënyrën se si i shqipton disa terme në gjuhën angleze.

Ueb-faqja gjatë ditës së djeshme nuk funksionoi në mënyrë të rregullt ose ishte tërësisht e pa qasshme. Prej mbrëmë deri sot a pasur mbi 20.000 qytetarë që kanë treguar interes për vaksinim kundër COVID-19.

Portalb.mk, sot shkruajti se kjo faqe është vetëm në gjuhën maqedonase, por jo edhe në gjuhën shqipe.

“Ne dje e lëshuam, ju dëshironi që në një ditë gjithçka të mbarohet. Nuk mundet, sistemi po përgatitet, po duhet të ketë dhe do të ketë”, thanë nga Ministria e Shëndetësisë për Portalb.mk.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button