RMV, një kompani ka gërmuar rërë nga Pçinja me leje të marrë në mënyrë të paligjshme dhe sipas rregullores së vjetër

Kompania “Euro Progress” ka marrë leje për gërmimin e rërës nga lumi Pçinja, në kundërshtim me ligjin për ujëra dhe sipas një rregulloreje që nuk ekziston. Inspektorati Shtetëror për mjedisin jetësor gjatë kontrollit në terren ka vërtetuar që kompania gërmon rërë dhe zhavorr në fshatin Konjare e Poshtme në komunën e Petrovecit, në një pjesë të lumit që nuk guxon të shfrytëzohet, por që ka dokumentacion të lëshuar në kundërshtim me ligjet dhe rregulloret. Inspektorati ka vazhduar hetimin e çështjes, ndërkohë Ministrisë së Ekonomisë i është rekomanduar t’i propozojë Qeverisë që të ndërpresë marrëveshjen e koncesionit dhe Inspektimit Teknik Shtetëror do t’i kërkohet të urdhërojë pezullimin e punimeve në atë vend, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.

Sot, zëvendës kryeministri i ngarkuar me luftë kundër korrupsionit dhe krimit, zhvillimit të qëndrueshëm dhe burimeve njerëzore, Ljupço Nikollovski, së bashku me Ministrin e mjedisit jetësor, Naser Nuredini dhe Drejtorin e Inspektoratit shtetëror për  planifikimin e mjedisit jetësor, Ana Petrovska, vizituan gërmimin në fshatin Konjarë.

Sipas informacioneve që inspektorët i kanë marrë nga Drejtoria për Hidrometeorologjike, u kërkua të kontrollohej pajtueshmëria me dispozitat e Marrëveshjes për koncesion e cila ndalon që të bëhet eksploatim i burimeve minerale në zonën e bregut në një gjerësi prej 50 metra pas linja e prekjes së ujit pesëdhjetë vjeçar, u konkludua se pozicioni i nivelit të ujit pesëdhjetë vjeçar depërton thellë në fushën e koncesionit, nga e cila mund të konkludohet se koncesioni ishte lëshuar në kundërshtim me Ligjin për ujërat, gjegjësisht që kufijtë e koncesionit janë në zonën vërshimit të lumit Pçinja.

Kompania ka kontratë koncesioni për shfrytëzimin e lëndës së parë minerale, rërës dhe zhavorrit, të lëshuara në vitin 2010 përkatësisht 2014 dhe leje të shfrytëzimit të lëshuara në vitin 2011 dhe 2019. E diskutueshme, sipas inspektorëve, është leja e fundit, e cila u gjet se ishte bërë në përputhje me një rregullore që nuk ekziston.

“Kjo leje është lëshuar në bazë të një raporti për mbrojtjen e mjedisit të aprovuar me një vendim të vitit 2010, i cili është hartuar në përputhje me një rregullore të vitit 2009, pavarësisht nga fakti se në vitin 2014 u miratua një rregullore e re. Drejtoria e mjedisit jetësor, me kërkesë të Inspektoratit, konfirmoi se rregullorja e re nga 2014 zbatohet për procedurat për dhënien e miratimeve dhe lejeve pas vitit 2014. Padyshim, është bërë një gabim në procedurë, duke pasur parasysh se licenca e shfrytëzimit është lëshuar në vitin 2019, ndërsa elaborati i përmendur në këtë licencë është nga viti 2010, gjegjësisht nuk e zbaton rregulloren e re aktuale”, informojnë nga Inspektorati.

Siç informon drejtoresha Petrovska, institucioni do të vazhdojë me mbledhjen e provave për të rishikuar marrëveshjen e koncesionit dhe lejet e shfrytëzimit. Ndërkohë, Ministritë e ekonomisë dhe mjedisit jetësor do të njoftohen për indikacionet e shkeljeve të Ligjit për ujërat. Duke qenë se raporti i mbrojtjes së mjedisit për bllokun B të fushës së koncesionit nuk është në përputhje me rregulloren aktuale dhe nuk përmban program për mbrojtje të mjedisit me masa specifike, Inspektorati do të kërkojë që të përgatitet elaborat i ri, e deri atëherë në atë lokacion të ndalohet eksploatimi.

Zëvendëskryeministri Nikollovski theksoi se janë në komunikim dhe koordinim të vazhdueshëm me institucionet e tjera, në mënyrë që të hetojnë çështjen në detaje dhe të veprojnë në përputhje me ligjet dhe rregulloret.

“Ligjet duhet patjetër të respektohen, askush nuk është mbi ligjin, duhet të ketë rregull dhe disiplinë, sidomos kur bëhet fjalë për diçka që prek mjedisin dhe në fund të fundit sigurinë dhe shëndetin e qytetarëve. Nuk ka kompromis për secilin që do të ndikojë në kërcënimin e mjedisit jetësor dhe kushteve të jetesës”, tha Nikollovski.

Ministri i mjedisit jetësor, Nuredini, theksoi se Ministria i jep mbështetje të plotë Inspektoratit Shtetëror dhe në përputhje me gjetjet e kontrolleve të koordinuara, të cilat pritet të përfundojnë, së bashku me Qeverinë, do të merren masat e nevojshme për zgjidhjen e rastit.

“Po punojmë së bashku me Inspektoratin Shtetëror të mjedisit jetësor në mënyrat se si ne mund të kontrollojmë dhe adresojmë në mënyrë përkatëse situatën me ujërat në vend përmes inspektorëve të mjedisit, e gjithashtu bashkëpunojmë me Inspektoratin teknik, i cili është organi kompetent për këto koncesione”. Ky aktivitet i koordinuar midis Ministrive dhe Inspektorateve, si dhe ekspertëve dhe administratave përkatëse, është shembull i mirë se si të punojmë për të gjitha çështjet në vend, nëse duam të zbatojmë standardet e nevojshme mjedisore”, tha Nuredini.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button