Tetovë, numri i kërkesave për legalizim mbi 14 mijë, Arifi larg përmbushjes së premtimit për miratimin e 7 mijë kërkesave

Edhe pse i kanë ngelur vetëm 8 muaj nga përfundimi i mandatit të dytë, kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, nuk është as afër përmbushjes së premtimit për numrin e legalizimit të objekteve në këtë qytet. Ajo në debatin e Portalb.mk dhe Kallxo.com gjatë vitit 2017 premtoi legalizimin e 7 mijë objekteve, deri tani, janë miratuar gjithsej 3600 kërkesa për legalizim, numri i kërkesave, më i lartë se në vitin 2017, shkruan Portalb.mk.

Përmes kërkesës për qasje të lirë deri te informacionet të karakterit publik, Portalb.mk ka arritur të siguroje numrin e kërkesave për legalizim të miratuara dhe kërkesat që ende janë në pritje nga Komuna e Tetovës gjatë mandatit të dytë të kryetares Arifi.

Deri tani, janë miratuar gjithsej 3,600 kërkesa të qytetarëve për legalizim, kërkesa këto, të cilat i kanë plotësuar kushtet e nevojshme për dhënien e pëlqimit për legalizim. Edhe pse ky numër duket i lartë, nga Komuna e Tetovës thuajse kanë arritur të miratojnë kërkesat vetëm të mandatit të dytë, të cilat gjithsej kanë qenë 3,499 kërkesa.

Në vitin 2017, kryetarja Arifi e morri mandatin e dytë me premtimin se do të miratoje deri në 7 mijë kërkesa të qytetarëve, ajo këtë mandat e morri me plot 11,500 kërkesa për legalizim.

Numri i lartpëmrendur, përveç që nuk është ulur, ka pësuar rritje për rreth 3 mijë kërkesa tjera, aktualisht, në Komunën e Tetovës ka 14,496 kërkesa për legalizim, të cilat flejnë në sirtarët e komunës ndërsa qytetarët thuajse çdo ditë kalojnë në zyrat e komunës për të parë çfarë po ndodh me kërkesat e tyre.

Deri tani, Teuta Arifi nuk e mbajti premtimin e dhënë, madje as nuk ju afrua

Rikujtojmë se në debatin gjatë fushatës për zgjedhje lokale në vitin 2017, “Debat për nime” për Kallxo.com në bashkëpunim me Portalb.mk, kryetarja Arifi premtoi miratimin e 7 mijë kërkesave për legalizim.

“Me gjithë kërkesat e reja që do të vijnë nga data 1 janar, mendojmë që mund të adresojmë deri në 7 mijë kërkesa” tha Teuta Arifi “Debat për nime”, për Portalb.mk dhe Kallxo.com në vitin 2017.

Sot që flasim, janë miratuar vetëm 3600 kërkesa për legalizim, ndërsa për të përmbushur premtimin e dhënë para qytetarëve, kryetarja Arifi do të duhet që në afat prej 8 muajsh, të miratoje gjithsej 3,400 kërkesa të qytetarëve për legalizim, këtu theksojmë se procedura për legalizim nuk është e thjeshtë dhe nuk dihet se a është e mundur që gjatë mandatit të ngelur të Arifit, të përmbushet premtimi i dhënë në debatin parazgjedhor.

Ndërkaq, nuk dihet se në cilën lagje janë kërkesat më të mëdha për legalizim, një gjë është e sigurt, se në Komunën e Tetovës asnjëherë nuk ka pasur interes kaq të lartë apo një numër të tillë të kërkesave për legalizim.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button