RMV, rritet euroskepticizmi midis të rinjve, por BE-ja ende konsiderohet aleati më i madh i vendit

Maqedonia e Veriut, vitin e kaluar ka shënuar përmbysje të konsiderueshme në procesin e integrimit evropian. Si pasojë, këto ngjarje kanë ndikuar në opinionin publik dhe perceptimin e popullsisë ndaj Bashkimit Evropian. Në vitin 2020, i është dhënë fund trendit disavjeçar të rënies së mbështetjes për Bashkimin Evropian, me 69 përqind të popullsisë që mbështesin anëtarësimin në BE, 4% më shumë se vitin e kaluar. Në mënyrë shtesë, hendeku ndëretnik në shkallën e mbështetjes për anëtarësimin në BE po ngushtohet. Sidoqoftë, paralelisht me këto lëvizje, ekziston rritje përkatëse prej 3 përqind e pikëpamjeve euroskeptike, të cilat tani përfaqësojnë 22 përqind të popullsisë. Prandaj, mbështetja për Unionin Euroaziatik si alternativë ndaj anëtarësimit në BE është rritur me rreth 13 përqind krahasuar me vitin 2019, njofton Portalb.mk.

Kërcënimi për humbjen e identitetit kombëtar dhe humbjen e sovranitetit dhe pavarësisë së shtetit si pasojë e proceseve të evropianizimit imponohen si faktorët më të rëndësishëm për formimin e qëndrimeve euroskeptike.

E dukshme është edhe rritja e perceptimeve negative ndaj fqinjëve dhe aleancës së tyre në procesin e integrimit evropian. Ndryshe nga vitet e kaluara, kur arsyet në procesin e anëtarësimit shiheshin më shumë në dështimin për të zbatuar reformat e brendshme, tani më shumë se gjysma e qytetarëve problemin më të madh për procesin e anëtarësimit në Maqedoni e drejtojnë drejt pozicioneve të vendeve fqinje, që është 20 përqind më shumë se vitin e kaluar.

Edhe pse të anketuarit ende e shohin Bashkimin Evropian si aleatin e tyre më të madh, ky perceptim ka rënë me 7.6 përqind krahasuar me vitin 2019. Përveç kësaj, Shtetet e Bashkuara marrin drejtimin e Bashkimit Evropian si faktori më me ndikim, përderisa Rusia gjatë viteve ka vërejtur rritje të lehtë në perceptim të ndikimit të saj. Nga ana tjetër, Bashkimi Evropian ende shihet si donatori më i madh financiar për Maqedoninë e Veriut.

Kreu i IDSCS, Marko Troshanovski, theksoi se viti i kaluar ishte mjaft i pafat për ambiciet e Maqedonisë për qasje në BE, ndërsa vetoja bullgare dëmtoi seriozisht procesin e zgjerimit.

“Ky qorrsokak e vendos në rrezik edhe stabilitetin rajonal, zgjeron hendekun në çdo aspekt midis Ballkanit Perëndimor dhe BE-së, inkurajon tendenca autoritare, zëra populistë. Dëmet janë të mëdha, kurse Brukseli është i vetëdijshëm për pasojat e kësaj situate. Kredibiliteti i Unionit dhe i procesit janë të dëmtuara seriozisht. Edhe pse mbështetja e përgjithshme për BE-në është akoma e fortë, skepticizmi po rritet, veçanërisht tek të rinjtë, ndërsa mbështetja për Rusinë është në rritje. Të anketuarit ende e shohin BE-në si aleatin e tyre më të mirë të huaj, por BE-ja nuk shihet më si faktori i huaj më me ndikim dhe qëndron prapa Shteteve të Bashkuara. Pyetja është nëse BE-ja ka një plan B për ne dhe rajonin”, tha Troshanovski.

Përfaqësuesi i ri i Fondacionit Konrad Adenauer në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Daniel Brown, theksoi rëndësinë e procesit të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut, veçanërisht duke marrë parasysh jo vetëm bashkëpunimin politik dhe ekonomik, por edhe bashkëpunimin në fusha të tilla si mjedisi, infrastruktura dhe i ngjashëm.

“Fondacioni Konrad Adenauer mbetet i përkushtuar në procesin e integrimit evropian të vendit dhe së bashku me partnerët tanë si Instituti për Demokraci, ne do të shoqërojmë Republikën e Maqedonisë së Veriut në atë proces”, tha Brown.

Sondazhi i opinionit publik mbi procesin e pranimit të Maqedonisë në Bashkimin Evropian është realizuar nga Instituti për Demokraci “Societas Civilis” – Shkup (IDSCS) në bashkëpunim me zyrën e Fondacionit Konrad Adenauer, të cilin e prezantuan sot përmes platformës online Zoom. Të dy sondazhet janë vazhdim i shumë viteve të sondazheve të opinionit publik mbi procesin eurointegrues.

Ndryshe, viti 2020 dukej si vit i shpresës për fillimin e negociatave mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së, pasi kjo e fundit më 24 mars dha dritën jeshile për fillim të pakushtëzuar të bisedimeve me BE-në. Por, kjo shpresë ishte shumë jetëshkurtër, pasi disa muaj më vonë, Bullgaria filloi me kushtet dhe paralajmërimin për veto ndaj kornizës negociuese, që nënkuptonte edhe bllokadë për nisjen e bisedimeve hyrëse. Paralajmërimet u jetësuan dhe besimi për tejkalim të ngërçit shumë shpejt u shua, pasi në nëntor dhe dhjetor Bullgaria disa herë i vendosi veto Maqedonisë së Veriut.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button