RMV, Anti Bixhozi politikanëve: Boll u pasuruat duke ju bë dëm qytetarëve, të mbyllen kazinot tërësish!

Nga Lëvizja Anti Bixhoz sot përmes një konference për shtyp i bënë thirrje kompetentëve “të mos bëjnë pazare në dëm të qytetarëve dhe të mos bëjnë veprime të pamatura” duke kaluar një ligj për lojërat e fatit, i cili sipas tyre është vetëm për sy e faqe. Dy javë më herët nga Ministria e Financave prezantuan propozim ligjin e tyre për këtë, shkruan Portalb.mk.

Disa ditë më herët në Regjistrin Nacional është publikuar propozim ndryshimet në Ligjin për Lojëra të Fatit, këto ndryshime, nuk përkojnë me kërkesat e Lëvizjes Anti Bixhoz, të cilët disa herë me radhë kanë protestuar në qytete të ndryshme të RMV-së.

Sot, anëtarë të Lëvizjes Anti Bixhoz potencuan rëndësinë e një propozim ligji të mirëfilltë, i cili në mes të tjerash do të përfshinte kërkesat e kësaj organizate. Ata theksuan që politikanët të mos tentojnë të pasurohen duke dëmtuar qytetarët.

Lëvizja "Anti Bixhoz".
Lëvizja “Anti Bixhoz”.

“Pushteti mundohet përmes politikave te veta te sjellin ligj i cili nuk respekton asnjë standard njerëzor por përkon vetëm me thënien “te themi se bëjmë diçka”, andaj kjo nuk ndihmon ne zgjidhjen e çështjes, pra mos bëni pazare ne dëm te qytetarit, mos bëni veprime te pamatura, do ishte e udhës me mirë që të mos bëni pazare vetëm e vetëm për te mbrojtur epshet e pasurimit tuaj duke lejuar plaçkitje edhe ne kohe te vështira për shëndetin e qytetareve dhe ekonominë e shtetit” theksuan nga Lëvizja Anti Bixhoz.

Ndërkaq, nga kjo lëvizje gjithashtu i bënë thirrje kompetentëve të mbajnë fjalën e dhënë dhe në atë propozim ligj, të inkuadrojnë edhe kërkesat e tyre. Si shembull, nga kjo lëvizje përmendin vendet e rajonit, ku disa prej tyre kanë mbyllur fare objektet për lojëra të fatit.

“Ju bëjmë thirrje liderëve të subjekteve politike që të qëndrojnë në premtimin dhe zotimin që i dhanë Lëvizjes Anti bixhoz, përmes kësaj konference po e përcjellim shqetësimin tonë kundër kazinove, bastoreve sportive dhe te gjithë objekteve te lojërave të fatit qe të mos punojnë pas shpine pasi do i gjykoje historia. Kryeministër, ministër i financave, anëtar të komisionit për financim dhe buxhet, deputet, vendimmarrës përsëri ua bëjmë të njohur qëndrimin e Lëvizjes Anti Bixhoz: Nga momenti i vrasjes se dy të ringjeve gjatë plaçkitjes se kazinos ne Vizbeg kërkojmë mbyllje të të gjitha objekteve te lojërave te fatit sikur ne Shqipëri dhe Kosove deri ne sjelljen e një ligji te mirëfillte pasi vet deklaruat se do ndjekin veprimet që do bëjnë shtetet e rajonit” shtuan nga Lëvizja Anti Bixhoz.

Ministria e Financave: Ligji i propozuar nga ne do të mbroje popullatën e re nga veset jo të mira

Nga ana tjetër, nga Ministria e Financave propozim ligjin e cilësojnë si të mirë, i cili sipas tyre, me propozimet e reja të cilat parashohin distancë prej 500 metra të këtyre objekteve larg institucioneve arsimore, të rinjtë nuk do të kenë qasje të lehtë deri te këto objekte.

Fatmir Besimi

“Kjo mënyrë e rregullimit jep mundësi të rinjve të kenë qasje të lehtë deri te lojërat e fatit. Në përputhje me kornizën aktuale ligjore, organizatorët e lojërave të fatit në dyqanet për baste dhe klubet me automate, me marrjen e një licence për automat klub dhe dyqan për baste kanë mundësi të hapin objekte me numër të pakufizuar. Kjo mënyrë e hapjes së këtyre hapësirave për lojëra të fatit, kanë efekte pozitive vetëm për pronarët, të cilëve ju mundësohet pagesa e tatimit për vetëm një licencë të hapin një numër të madh të këtyre objekteve, ndërsa kanë efekt negativ në buxhetin e Maqedonisë së Veriut për shkak të ardhurave më të vogla për këtë” thonë nga Ministria e Financave.

Nga kjo ministri nuk komentojnë kërkesën e Lëvizjes Anti Bixhoz, megjithatë, cilësojnë se distance prej 500 metrave është e mjaftueshme dhe do të ndikoje në mbrojtjen e popullatës së re nga veset jo të mira.

“Me qëllim të mbrojtjes së popullatës së re nga veset jo të mira, sugjerohet që këto hapësira, pra pikat ku organizohen lojërat e fatit të jenë 500 metra larg shkollave fillore dhe të mesme si dhe institucioneve të arsimit të lartë” thanë nga Ministria e Financave.

Ndryshe propozimet e Lëvizjes Anti Bixhoz të cilët protestuan për një kohë të gjatë në disa qytete të Maqedonisë së Veriut, nuk janë marrë parasysh. Këta të fundit propozuan që kazinot të jenë së paku 3  kilometra larg vendbanimeve.

 

 

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button