Maqedonia do ta marrë vaksinën AstraZeneka pavarësisht dyshimeve të disa vendeve evropiane mbi efektivitetin e saj

Maqedonia miratoi vaksinën e Universitetit Oksford dhe “AstraZeneka”-s, pasi bëhet fjalë për vaksina që kanë kaluar testet e nevojshme dhe janë aprovuar nga organet e huaja rregullatore dhe të njëjtat do të aplikohen në vendin tonë gjatë vaksinimit, thotë Ministria e Shëndetësisë për SDK. Ndërkohë, Zvicra ka shtyrë miratimin e vaksinës kundër Kovid-19 të Oxford-AstraZeneka për shkak të të dhënave të pamjaftueshme për sigurinë, cilësinë dhe efektivitetin, transmeton Portalb.mk.

Shumë vende evropiane kanë rezerva për këtë vaksinë. Franca më 2 shkurt tha se nuk do t’ua jepte vaksinën personave mbi 65 vjeç, ndërsa Gjermania, Austria, Suedia dhe Polonia ua rekomandojnë atë personave nën 65 vjeç, kurse Italia dhe Belgjika deri në 55 vjeç.

Britania e Madhe, India, Meksika dhe Argjentina e kanë aprovuar këtë vaksinë për të gjitha grupmoshat.

Dërgesa e parë nga “AstraZeneka” pritet të mbërrijë në mars.

“Sa i përket grupmoshave në të cilat do të aplikohen këto vaksina, gjatë përdorimit të të njëjtës Ministria e Shëndetësisë do të drejtohet sipas udhëzimeve të lëshuara nga agjencitë zyrtare evropiane” deklaruan nga Ministria e Shëndetësisë.

Britania e Madhe vaksinën Oxford e miratoi në fund të dhjetorit dhe përparësia e saj është se mund të ruhet në frigoriferë të zakonshëm, që e bën më të lehtë shpërndarjen dhe është shumë më lirë sesa vaksinat e tjera kundër kovid-19 tashmë në treg. Vaksina është aprovuar tashmë në rreth 50 vende dhe ata pretendojnë se ofron 76 përqind mbrojtje tre muaj pas dozës së parë, e cila rritet me dozën e dytë.

Disa orë pasi Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) më 29 janar miratoi vaksinën Oxford dhe AstraZeneka për të gjitha grupmoshat,  Presidenti francez Emmanuel Macron tha se kjo vaksinë ishte “pothuajse joefektive” pasi testet e hershme treguan se ishte joefektive për personat e moshës 60-65 vjeç .

Por, me këtë nuk pajtohen qeveria britanike dhe rregullatorët mjekësor.

“Provat aktuale nuk tregojnë mungesë mbrojtjeje ndaj kovid-19 për njerëzit mbi 65 vjeç,” deklaroi drejtoresha e Agjencisë britanike të barnave June Raine.

Gjatë provave klinike, vaksinat iu jepen mijëra vullnetarëve të moshave të ndryshme dhe grupeve etnike, si dhe gjendjeve shëndetësore. Të tjerët marrin placebo.

Shkencëtarët pastaj presin që një numër i pjesëmarrësve të infektohen me virusin dhe të shohin se kush është infektuar. Nëse shumica e tyre kanë marrë placebo, konkluzioni është se vaksina është efektive.

Për rregullatorët evropian diskutabile është se konsiderojnë që në vaksinën AstraZeneka nuk janë përfshirë numër i mjaftueshëm të pjesëmarrësve mbi moshën 65 vjeç që të konfirmohet efikasiteti. Kjo pasi vetëm 2 nga 660 personat në atë grup janë infektuar.

Kompanitë tjera, të tilla si Pfizer, kanë përfshirë më shumë të rritur në hulumtimet e tyre. Agjencia Britanike thotë se numri i të moshuarve që u infektuan gjatë provave të AstraZeneka-s ishte i mjaftueshëm për të nxjerrë konkluzione në lidhje me efikasitetin. Franca dhe Gjermania janë përqendruar në këtë fakt. Ata nuk pretendojnë se nuk është efektive, siç tha Macron, por se do të presin për më shumë informacion në javët e ardhshme.

Oxford dhe AstraZeneka thanë se rezultatet e testeve në 2,000 të rritur mbi moshën 55 vjeç në Britani së shpejti do të jenë në dispozicion, ndërsa gjithashtu edhe nga testet në Shtetet e Bashkuara.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button