Kundërspin: Janevska shtrembëroi se edukimi seksual do të jetë lëndë nga klasa e dytë

Shtrembërimi i së vërtetës, se edukimi seksual do të ofrohet si lëndë zgjedhore nga klasa e dytë në sistemin e ardhshëm arsimor të reformuar, të cilin Ministria e Arsimit dhe Shkencës e planifikon për vitin e ardhshëm shkollor, ishte shkaku i një sërë spekulimesh në publik gjatë ditëve të kaluara, shkruan Vërtetmatësi.

Kryetarja e komisionit për arsim pranë VMRO-DPMNE-së, prof-dr Vesna Janevska, në një paraqitje për TV Sitel, e ka komentuar konceptin e MASH-it për reforma në arsim, me çka mund të zbulohet spin-i i mëposhtëm:

Spin: … më pas ju jepen fëmijëve edhe lëndë zgjedhore në klasën e dytë – kur ata nuk mund vet të zgjedhin, edhe ligjërisht prindërit e tyre janë kujdestar deri në moshën 18-vjeçare – dhe në të cilat ka edhe “yoga dhe pilates”, por ka edhe edukim seksual në klasën e dytë, pa asnjë detaj, që fëmijët në ato 16 deri 20 javë nga një orë do të mësojnë në atë lëndë atë që e zgjedhin dhe nëse e zgjedhin.

[Burimi: TV Sitel – Vesna Janevska,data: 28.01.2021]

Kundërspin: Prof. dr Vesna Janevska, e cila është bashkëbiseduese relevante për reformat në arsim, gjithsesi që mund t’i shpreh lirshëm qëndrimet personale, por edhe ato partiake rreth reformave që dëshiron t’i zbatojë Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH), por duhet të ketë kujdes për precizitetin e spineve eventuale.

Dhe pikërisht një formë joprecize e shtrembërimit të së vërtetës – spin, u bë nga ana e saj, në një paraqitje në TV Sitel në kuadër të lajmeve, para disa ditëve. Janevska, tha se njëra nga dobësitë janë edhe lëndët zgjedhore që do t’i kenë nxënësit në arsimin fillor, në mesin e të cilave edhe edukimi seksual nga klasa e dytë.

E vërteta është shtrembëruar dhe kjo dëshmohet vetëm me një fakt. Duhet vetëm të lexohet me kujdes “Draft-koncepti për reforma” që e ofroi MASH për diskutim publik para dy-tre muajve, i cili akoma mund të gjendet në ueb-faqen e MASH-it.

Në faqen 18, me titullin Lëndët zgjedhore, përmendet për herë të parë edhe edukimi seksual. Më pas në pjesë e “lëndëve jodetyruese” ose “lëndëve zgjedhore” në faqen 19, gjendet edhe teksti i mëposhtëm:

Listën tjetër të lëndëve zgjedhore e përbëjnë katër kategori të lëndëve:

(1) lëndët zgjedhore për zgjerim/thellim në përmbajtje mësimore nga lëndët obliguese (shembull: arsyetimi matematiko-logjik, programimi, piktura / vizatimi, historia kulturore, edukimi seksual)…

Menjëherë pas numërimit në katër pika gjendet edhe fjalia e mëposhtme:

Lëndët zgjedhore ju ofrohen nxënësve nga klasa II deri IX, me çka lista e këtyre lloj lëndëve mund të ndryshojë nga njëra në periudhë tjetër në shkollën fillore, për t’i ndjekur dallimet e grupmoshave në interes të nxënësve dhe mundësive të kuadrit mësimor të kyçur në mësim.

Sipas kësaj, pa sqarim shtesë, është plotësisht e qartë se askund në Koncept nuk thuhet se edukimi seksual do të jetë nga klasa e dytë, por Janevska këtë e pohon në mënyrë decide.

Ky informacion i shtrembëruar i Janevskas sikur të jetë “triger”, që në disa grupe në Facebook dhe profile individësh në Facebook dhe Twitter, filluan të qarkullojnë dy lloje dezinformatash. Njëri është se pikërisht nga klasa e dytë do të ketë edukim seksual, ndërsa i dyti është se fëmijët do të mësojnë për “seksin anal”, për “homoseksualët”, për “lesbiket” dhe të ngjashëm, ndërsa si rondelë në këto dezinformata përdoret pjesa e përkthyer e lëndës zgjedhore “edukimi seksual”, që tashmë është në qarkullim në sistemin arsimor në Serbi.

Gjithë kjo ishte shkas që MASH të hënën, 01.02.2021, të reagojë me një demant të shkurtë edhe atë për disa informacione në njërin prej grupeve në Facebook, që gjithsesi nuk flet më së miri për shpejtësinë me të cilën reagohet ndaj lajmeve të rrejshme në MASH. Në reagimin/demantin e MASH, thuhet:

Kategorikisht i demantojmë të pavërtetat të shpërndara në grupin në Facebook “Od nas za nas” në rrjetet sociale, të transmetuara edhe nga një pjesë e portaleve, për përmbajtjet në librat shkollor për klasën e dytë për mësim të edukimit seksual. Lajmi është plotësisht i rrejshëm, ndërsa ilustrimet e përdorura aspak nuk janë pjesë e librave dhe materialeve të sistemit tonë arsimor… Tekstet e treguara dhe ilustrimet që i vishen një pjese të Konceptit nuk janë nxjerrë nga materialet mësimore të parapara për vendin tonë.

Më pas gjatë ditës edhe ministrja Milla Carovska demantoi se edukimi seksual do të mësohet nga klasa e dytë, por gjithë kjo ngjan si “tren i vonuar”, pasi shpërndarësi kyç i spin-it, nuk u ndalua në kohë, gjegjësisht kishte katër ditë vonesë.

Shkurtimisht, deklarata e Janevskës se “nga klasa e dytë do të mësohet edukimi seksual nëse fëmijët e zgjedhin atë”, është shtrembërim i së vërtetës, ose spin.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button