fbpx

Përçarje mes republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve

Liz Cheney, numri tre i i republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve, arriti ta mbajë pozicionin e saj, pasi një votimi të anëtarëve të partisë së saj në atë dhomë të Kongresit.

Zonja Cheney krijoi divergjenca me shumë republikanë të tjerë, pasi votoi muajin e kaluar pro ngritjes së akuzave kundër ish-Presidentit Trump. Ligjvënësit republikanë pro-Trumpit kishin shprehur synimin për ta ndëshkuar zonjën Cheney duke e ulur në rangun që gëzon në Dhomën e Përfaqësuesve, transmeton VOA.

Por ajo arriti ta mbajtë postin me 145 vota kundër shkarkimit të saj, 61 pro.

Zonja Cheney kryeson grupin e republikanëve të traditës dhe është vajza e ish-Nënpresidentit Dick Cheney.

Votimi për postin e saj dhe një debat lidhur me një anëtare republikane të Kongresit që ka përqafuar teori konspiracioni, tregon ndasitë brenda partisë, ku Marjorie Taylor Green dhe zonja Cheney, kanë acaruar elementët në skajet ekstreme të partisë.

Udhëheqësi i pakicës republikane në Dhomën e Përfaqësuesve, Kevin McCarthy dënoi të mërkurën anëtaren republikane, Marjorie Taylor Greene se ka përqafuar hapur teoritë konspirative dhe pikëpamjet raciste por kritikoi një përpjekje të demokratëve për ta përjashtuar nga komisionet e Kongresit, duke sinjalizuar se nuk do t’i përgjigjej një thirrjeje dypartiake për ta ndëshkuar atë.

Zoti McCarthy, sugjeroi gjithashtu se ai nuk do të arrinte asnjë marrëveshje me demokratët, të cilët kanë planifikuar një votim në Dhomën e Përfaqësuesve të enjten për ta përjashtuar atë nga komisionet.

Komentet e tij erdhën pasi ligjvënësi Steny Hoyer, demokrat me peshë në Dhomën e Përfaqësuesve tha se Dhoma do të votojë të enjten për largimin e ligjvënësen Marjorie Taylor Greene nga komisionet.

Debati ndodh ndërkohë që Partia Republikane po përpiqet të krijojë një identitet të ri tani, pas largimit të ish-Presidentit Trump nga Shtëpia e Bardhë.

Ndërkaq, republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve po ndeshen me presion dypartiak për të marrë masa kundër ligjvënëses Marjorie Taylor Greene, si për shembull largimin e saj nga njëri prej komisioneve të Dhomës, në mënyrë që të shmanget mundësia e hedhjes në votë të masave kundër saj.

Por ligjvënësi demokrat Hoyer nxori një deklaratë, ku thoshte se pasi kishte folur me kreun e republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve, Kevin McCarthy, “dukej qartë se nuk ka alternativë tjetër përveç hedhjes së çështjes në votë përmes një rezolute para Dhomës së Përfaqësuesve për ta larguar Ligjvënësen Greene nga komisionet ku bën pjesë”.

Vota në Dhomën e Përfaqësuesve do të ishte një sprovë e vështirë politike për shumë republikanë, pasi do t’i detyronte të dilnin publikisht në mbështetje ose kundër një ligjvënëseje që ka një numër të konsiderueshëm pasuesish në median sociale dhe ka pasur përkrahjen e ish-Presidentit Trump.

Në kontrast, votimi për zonjën Cheney ishte i fshehtë.

Republikanët e emëruan zonjën Green në Komisionin për Arsimin dhe Punën, një vendim që u pasua me kritika pasi ajo ka shprehur bindjen në të kaluarën se masakrat në shkolla në Konektikat dhe Florida mund të kenë qenë sajesa. Ajo është gjithashtu anëtare e Komisionit të Buxhetit.

Komisioni për Rregulloret në Dhomën e Përfaqësuesve, i kryesuar nga një demokrat, u mblodh të mërkurën për të diskutuar përjashtimin e zonjës Greene nga komisionet ku bën pjesë, një zhvillim i rallë në Kongres.

Rrallë herë ndodh që udhëheqësit partiakë të zhveshin ligjvënës nga antarësia në komisione, ku ligjvënësit mbështesin politika në interes të elektoratit të tyre si dhe gjejnë forma për grumbullim fondesh.

Në 2019, udhëheqësit republikanë hoqën nga Komisioni për Bujqësinë dhe Gjyqësorin ligjvënësin Steve King nga Ajova, i cili kishte bërë prej kohësh komente raciste dhe më së fundmi bëri komente për një gazetë duke folur për supremacinë e bardhë. Ai humbi në garën për rizgjedhje në 2020.

Zoti McCarthy zhvilloi një mbledhje 90 minutëshe të martën me ligjvënësen Greene, por ndihmësit nuk dhanë shumë hollësi mbi bisedimet. Ligjvënësja Greene, me pikëpamje të ekstremit të djathtë ka marrë emër në shkallë kombëtare pasi ka mbështetur përmes medias sociale teori konspirative si dhe pikëpamje racizmi me dhunë.

“Më e mira që mund të ndodhë tani është që Kevin McCarthy ta bëjë të qartë që ajo nuk duhet të jetë në “komisionin për arsimin, tha për gazetarët ligjvënësi demokrat Hakeem Jeffries, anëtar i udhëheqjes së grupit të tij partiak në Dhomën e Përfaqësuesve. Zoti Jeffries tha se nëse republikani McCarthy nuk merr masa: “Ne do të jemi gati të veprojmë”.

Zonja Greene nuk ka dhënë shenja se po tërheq komentet e saj.

“Pavarësisht se çfarë bën udhëheqja republikae, kurrë nuk do të mjaftojë për demokratët që urrejnë Amerikën,” shkruante ajo në Twitter të mërkurën.

Tensionet nxjerrin në pah dilemat brenda partisë që po përpiqet të shohë drejt së ardhmes, dy javë pas përfundimit të mandatit të Presidentit Trump. Republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve po vendosin nëse për të ruajtur përkrahjen e votuesve që mbështesin zotin Trump do të vazhdojnë në shembullin e ish-presidentit, i cili rrëzoi me sjelljen e tij normat dhe mbështeti teori konspirative, apo të vazhdojnë të mbrojnë vlerat e traditës konservatore.

Reagimi ndaj dy ligjvënëseve do të jetë një moment delikat për zotin McCarthy, i cili shpreson të bëhet kryetar i Dhomës nëse republikanët marrin kontrollin pas zgjedhjeve të 2022. Për këtë arsye ai nuk do të krijojë divergjenca me anëtarët e tjerë republikanë

“Nuk mund të bësh lojëra politike, të kënaqësh pak njërin krah dhe pak krahun tjetër,” thotë ish-ligjvënësi republikan Mark Sanford, i cili humbi në zgjedhjet partiake republikane të 2018, pasi u përplas me zotin Trump. “Natyra e fenomenit Trump është e tillë ku përkrahësit nuk qetësohen dot”.

Kreu i republikanëve në Senat, Mitch McConnell, po e shton presionin ndaj zotit McCarthy.

Senatori McConnell nxori një deklaratë ku e vlerësonte zonjën Cheney si “udhëheqëse me bindje të thella dhe kurajo”. Në një deklaratë tjetër, pa përmendur me emër zonjën Greene, senatori McConnell i quajti “gënjeshtrat e çmendura” një “kancer” në Partinë Republikane. Komentet e tij ishin shembull i shqetësimeve të zotit McConnell se fraksionet pro-Trump, apo të së djathtës së skajshme mund të fitonin shumë fuqi brenda partisë.

Në median sociale, zonja Greene ka shprehur mbështetje për pikëpamje raciste, teori konspirative të rrjetit pro-Trump QAnon dhe ka bërë thirrje për akte dhune kundër politikanëve demokratë, përfshirë Kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi.

Zoti McCarthy nuk ka bërë kritika të forta kundër zonjës Greene, e cila u cilësua në verë “një yll i ardhshëm republikan” nga zoti Trump dhe ka vazhduar të jetë përkrahëse e palëkundur e tij.

Zoti McCarthy, i cili ka pasur marrëdhënie të mira me zotin Trump, është kritikuar nga disa republikanë për mbështetjen që vazhdoi t’u jepte pretendimeve të pabaza të ish-presidentit për manipulime në zgjedhje dhe që nuk e dënoi retorikën e zotit Trump para sulmit vdekjeprurës të 6 janarit në Kapitol.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button