RMV, Kovid-llogaritësi i ri lë shumë pyetje të hapura për privatësinë e përdoruesve

Kovid-llogaritësi i ri me të cilin përdoruesit mund të llogarisin të ashtuquajturën kovid moshë ose cili është rreziku i tyre për t’u sëmurë nga kovidi, megjithëse mund të shërbejë si vegël e dobishme, lë shumë pyetje të hapura në lidhje me privatësinë e të dhënave të atyre që do ta përdorin, transmeton Portalb.mk.

Kovid-llogaritësi u krijua nga Shoqata e Maqedonisë për siguri dhe shëndet në punë (SHMVMP) në bashkëpunim me Institutin e shëndetit publik (ISHP), ku paralajmërojnë krijimin e një qendre për dituri “Epi kovid-19 OSH qendër”.

“Rezultatet e testit janë individuale, kurse për t’i fituar ato duhet të shënohen parametra për sëmundje të caktuara, si dhe moshën, lartësinë dhe peshën. Baza për këtë vegël është mosha biologjike e pacientëve-punëtorë, sepse provat e deritanishme tregojnë se është faktori më i lartë i rrezikut për komplikime dhe vdekje nga kovid-19, kanë njoftuar nga SHMVMP.

Përveç datës së lindjes, lartësisë dhe peshës, në vegël shënohen edhe emri dhe mbiemri, komuna si dhe të dhënat për sëmundjet e mëparshme dhe sëmundjet kronike.

Nga Shoqata për siguri dhe shëndet në punë thonë se kovid-mosha funksionon mbi parimin e “përkthimit” të një faktori individual të rrezikut shëndetësor në vite, të cilat shtohen (ose zbriten) nga vitet (mosha) biologjike aktuale e personit. Kjo jep një “shumë të moshës së pritur” që vlerëson rrezikun, nëse një person do të sëmuret dhe cili do të jetë rezultati i pritshëm i sëmundjes në të ardhmen.

Ky titull “Vlerësimi i rrezikut në vendin e punës për ekspozimin ndaj virusit Sars-Cov-2″ është botuar nga SHMVMP dhe është në dispozicion në këtë link.

Elena Stojanovska, analiste në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale nga Fondacioni Metamorfozis, thotë se padyshim që dobia nga llogaritësi është e madhe për sa i përket informimit të qytetarëve për rrezikun e mundshëm të infektimit me kovid-19, në përputhje me gjendjen e tyre të mëparshme shëndetësore. Por, nga këndvështrimi i mbrojtjes së privatësisë, lindin disa pyetje në lidhje me vendosjen e kalkulatorit.

Problemi i parë që vihet re gjatë hapjes së kësaj vegle është lidhja e pasigurt http://62.162.94.3/covid-calculator/ dhe mungesa e lidhjes me domen, kështu që nuk ofron informacione për pronarin e veglës.

“Duke pasur parasysh faktin se analiza është e rëndësishme vetëm nëse pyetjet në lidhje me gjendjen e mëparshme shëndetësore janë përgjigjur saktë, përmasa e tyre është e justifikuar. Megjithatë, duhet të merret parasysh se këto janë 19 të dhëna, disa shëndetësore, disa biometrike, të cilat sipas Ligjit për mbrojtje të të dhënave personale, hyjnë në kategorinë e të dhënave të ndjeshme personale dhe me atë gëzojnë një shkallë më të lartë të mbrojtjes”, thotë Stojanovska.

Vërejtja tjetër ka të bëjë me vëllimin e të dhënave personale të detyrueshme që duhet të futen për të marrë analizën. Pa futur emrin dhe mbiemrin, komunën, datën e lindjes (dita, muaji dhe viti), gjinia dhe industria, analiza nuk mund të arrihet. Prandaj, Stojanovska vlerëson se viti i lindjes (pa ditë dhe muaj), gjinia, industria dhe të dhënat për kushtet e mëparshme shëndetësore janë të mjaftueshme për të marrë analizën. Dhe që të dhënat mbi emrin dhe mbiemrin dhe komunën nuk ndikojnë drejtpërdrejt në përcaktimin e rrezikut të mundshëm të infektimit me kovid-19.

“Shtrohet pyetja gjithashtu nëse të dhënat e futura ruhen dhe përpunohen nga Shoqata e Maqedonisë për siguri dhe shëndet në punë dhe Instituti i shëndetit publik për qëllime të analizës statistikore. Nëse është kështu, informacioni në lidhje me komunën mund të jetë i vlefshëm, por jo i detyrueshëm dhe mund të merret vetëm nëse personi vendos vetë ta japë atë”, tha ajo.

Rekomandimi i përgjithshëm është që të publikohet urgjentisht një politikë e privatësisë të llogaritësit, në të cilën do të jepen informacione të qarta nëse të dhënat janë ruajtur në ndonjë bazë elektronike të të dhënave ose gjeneron vetëm një analizë në momentin e shënimit të të dhënave dhe është në dispozicion në kohë reale vetëm për atë që i shënon të dhënat. Nëse të dhënat janë ruajtur duhet të bëhet publike kush zotëron atë bazë të të dhënave personale, qoftë Shoqata për siguri she shëndet në punë, Instituti i shëndetit publik apo një entitet tjetër juridik. Për më tepër, përveç qëllimit të informacionit personal, a ka qëllime të tjera për të cilat do të përdoren të dhënat personale (analiza statistikore), cilat janë ato qëllime dhe cilat janë interesat legjitime të këtij përpunimi. A do t’i jepen të dhënat e mbledhura për përdorim një pale të tretë, për çfarë qëllimi dhe cila është ajo palë e tretë. Gjithashtu duhet të përcaktohet një periudhë e arsyeshme e ruajtjes së të dhënave, duke pasur parasysh që shumica e tyre janë të ndryshueshme dhe nuk mund të konsiderohen të rëndësishme në planin afatgjatë.

“Duke qenë se vegla pritet t’u ndihmojë punëdhënësve në vlerësimin e rrezikut të infeksionit me kovid-19 të punonjësve, çdo punëdhënës që e përdor atë gjithashtu duhet të ketë detyrim që me të dhënat, të cilat do t’i pranojë, të veprojë në mënyrë përkatëse”, ka theksuar Stojanovska.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button