Puç ushtarak në Mianmar, është arrestuar liderja Suu Kyi e njohur për krime ndaj muslimanëve

Ushtria e Mianmarit ka vënë nën kontroll shtetin, pasi ka ndaluar lideren de fakto, Aung San Suu Kyi, dhe politikanë tjerë, në orët e para të 1 shkurtit, shkruan REL.

Televizioni ushtarak ka thënë se gjendja e jashtëzakonshme do të shpallet për një vit dhe fuqia do të transferohet.

Puçi ka ardhur pas tensioneve në rritje në mes të qeverisë civile dhe ushtrisë, për shkak të zgjedhjeve kontestuese.

Mianmari, i njohur edhe si Burma, është udhëhequr nga ushtria derisa kanë nisur reformat demokratike më 2011.

Ushtria ka thënë të hënën se do t’ia dorëzojë pushtetin kryekomandantit, Min Aung Hlaing, për shkak të “mashtrimeve zgjedhore”.

Ushtarët është raportuar të jenë në rrugët e kryeqytetit Nay Pyi Taq dhe qytetin tjetër Yangon.

Në zgjedhjet e nëntorit të vitit të kaluar, Aung San Suu Kyi nga Liga Kombëtare për Demokraci, ka fituar mjaftueshëm ulëse për të formuar qeverinë.

Ushtria në Mianmar, foto Anadolu Agency

Cilat kanë qenë reagimet?

Shtetet e Bashkuara kanë dënuar puçin, duke thënë se Uashingtoni “kundërshton secilën përpjekje për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve të fundit apo të pengojë tranzicionin demokratik në Mianmar”.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka bërë thirrje për lirimin e gjithë zyrtarëve qeveritarë dhe liderëve të shoqërisë civile, duke thënë se SHBA-ja “është me popullin e Burmas në aspiratat e tyre për demokraci, liri, paqe dhe zhvillim. Ushtria duhet të zmbrapset nga këto veprime menjëherë”.

Në Australi, Ministrja për Punë të Jashtme, Mari Payne, ka thënë se i bën thirrje ushtrisë “për respektim të sundimit të ligjit, për të zgjidhur mospajtimet përmes mekanizmave ligjorë dhe të lirojë menjëherë të gjithë liderët civilë dhe personat tjerë që kanë ndaluar në mënyrë të paligjshme”.

Ushtria në Mianmar, foto Anadolu Agency

Cila është situata aktualisht në Mianmar?

Lidhjet në internet dhe disa shërbime tjera telefonike janë penguar në disa qytete të mëdha, ndërkohë që televizioni shtetëror MRTV, ka thënë se është duke pasur probleme teknike dhe nuk transmeton.

Komunikimet në kryeqytet janë ndalur dhe është e vështirë qasja atje.

Në qytetin tjetër më të madh dhe ish-kryeqytetin Yangon, linjat telefonike dhe lidhja në internet është e kufizuar, meqë shumë ofrues janë duke ndalur shërbimet e tyre.

Mediumet ndërkombëtare, përfshirë BBC-në, kanë thënë se janë bllokuar, ndërkohë që stacionet lokale nuk transmetojnë.

Njerëzit janë parë duke tërhequr para të gatshme, pas pritjeve se mund të përshkallëzohet situata në ditët në vijim.

Sipas Asociacionit Bankar, të gjithë bankat kanë ndalur përkohësisht të gjitha shërbimet financiare.

Çfarë ka ndodhur në zgjedhje?

Liga Kombëtare për Demokraci ka fituar 83 për qind të ulëseve të nevojshme në zgjedhjet e 8 nëntorit, në atë që është parë si referendum për qeverinë civile të Suu Kyis.

Këto kanë qenë zgjedhjet e dyta të mbajtura prej kur i është dhënë fund udhëheqësisë ushtarake më 2011.

Mirëpo ushtria nuk është pajtuar me rezultatin, duke bërë ankesa në Gjykatën Supreme kundër liderëve shtetërorë.

Shqetësimet për puç janë rritur pasi ushtria së fundmi ka kërcënuar me “veprim” për shkak të mashtrimeve zgjedhore.

Komisioni zgjedhor, në anën tjetër, ka hedhur poshtë pretendimet.

Udhëheqësja ‘de fakto’ e Mianmarit, Aung San Suu Kyi

Kush është Aung San Suu Kyi?

Aung San Suu Kyi është vajza e heroit të Mianmarit për pavarësi, Gjeneralit Aung San, i cili është vrarë pak para se Mianmari të pavarësohej nga rregulli koloninal britanik më 1948.

Ajo ka kaluar gati 15 vjet në burg në periudhën 1989-2010.

Suu Kyi është parë fillimisht si fener i të drejtave të njeriut – më 1991 ajo është nderuar me Çmimin Nobel për Paqe, derisa ka qenë ende nën arrest shtëpiak dhe është konsideruar “si shembull i jashtëzakonshëm për fuqi të atyre që nuk kanë fuqi”.

Në nëntor të vitit 2015, ajo ka udhëhequr Ligën Kombëtare për Demokraci drejt një fitoreje në zgjedhjet e para të mbajtura në mënyrë të hapur në Mianmar, në 25 vjet.

Kushtetuta ia ndalon asaj që të jetë presidente sepse ka fëmijë që kanë shtetësi të huaj, mirëpo 75-vjeçarja është parë si lidere de fakto.

Në vjetët e fundit, udhëheqësia e saj është definuar nga trajtimi çnjerëzor që i ka bërë pakicës myslimane Rohingya.

Më 2017, qindra mijëra Rohingya kanë ikur në Bangladesh, për shkak të shtypjes ushtarake, e nxitur nga sulmet vdekjeprurëse ndaj stacioneve policore në shtetin Rakhine.

Ish-mbështetësit ndërkombëtarë të Suu Kyis kanë akuzuar atë që nuk ka bërë asgjë për të ndalur dhunimin, vrasjen dhe gjenocidin e mundshëm ndaj Rohingyave, duke mos pranuar që të dënojë ushtrinë apo të pranojë mizoritë.

Megjithatë, në Mianmar, “Zonja”, siç njihet Suu Kyi, vazhdon të jetë popullore në mesin e shumicës budiste, të cilët kanë pak simpati për pakicën Rohingya.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button