Polemika rreth reformave në arsimin fillor gjatë pandemisë në Maqedoninë e Veriut

Reformat në arsimin fillor në Maqedoninë e Veriut të nisura nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk janë mirëpritur nga gjithë faktorët në arsim, transmeton Portalb.mk.

“Nuk e di se si do të arrijmë të organizohemi që të mbajmë edhe korin, orkestrën dhe gjitha aktivitetet tjera si këndimin, interpretimin, të mësuarit e instrumenteve, grupeve vallëzuese. Gjithë këto nuk arrihen brenda një ore mësimi në javë. Nuk mund të arrihet kurrsesi, do të ketë vështirësi të mëdha, nuk e di si e kanë planifikuar”, thotë mësimdhënësi i muzikës, Florim Zulfiu për REL, pasi reformat në arsim planifikojnë shkrirjen e muzikës dhe artit figurative në lëndën e edukimit artistik.

Reformat në arsim planifikojnë edhe shkrirjen e biologjisë, kimisë, fizikës dhe një pjese të gjeografisë në lëndën e shencës natyrore, ndërsa në lëndën e shkencës shoqërore planifikohet shkrirja e historisë, edukimit qytetar dhe një pjese të gjeografisë.

“Unë dyshoj në këtë pasi afati kohor deri në shtatorin e ardhshëm është shumë i shkurtër, sidomos kur kemi situatën e pandemisë. Mirëpo, ne gjithmonë jemi të përgatitur për ndryshime, për sfida. Por, jo sfida eksperimentale, siç u dëshmua në dekadën e kaluar”, është shprehur mësimdhënësi Satki Ismaili.

Ministrja Milla Carovska vlerësoi që koncepti parashikon orientimin e sistemit arsimor drejt vlerave qytetare që edhe janë vlera evropiane, si një mundësi për arsim cilësor.

“Reformat nevojiten dhe këtë askush nuk e kundërshton, por për to nevojitet kohë dhe konsultime të gjera, pasi ne më shumë marrim vesh nga mediat se çfarë po ndodh se sa nga Ministria e Arsimit. Ne edhe më parë kemi bërë reforma, por nuk kemi arritur kualitet në arsim”, ka thënë profesori universitar Petar Atanasov, duke vlerësuar se prioritet duhet të jetë pandemia.

Për reforma në arsim që sigurojnë shkolla me ambient të sigurt është shprehur edhe Spomenka Lazarovska nga fondacioni “Shoqëria e hapur”.

“Konceptimi i ri vendos parimet e mosdiskriminimit dhe jo-dhunën dhe për këtë arsye po gjen mbështetje të fortë”, deklaroi Irena Cvetkoviq nga koalicioni “Margini”, duke vlerësuar se reforma ofron një qasje moderne ndaj mësimit dhe arsimit.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button