RMV, për momentin nuk do të vazhdohet orari i punës, mirëpo do të ketë përkrahje financiare për lokalet

Janë pranuar tre nga gjithsej pesë kërkesa të Odës së Pavarur të Hotelierëve (OPH) në takimin e përfaqësuesve të saj me zëvendës kryeministrin për ekonomi, Fatmir Bytyqi të shtunën, njofton Portalb.mk.

“Biseduam thuaj se dy orë. Kishte diskutime dhe sqarime rreth kërkesave tona, si dhe prezantim të pakos së masave që është duke e përgatitë Qeveria. Nga pesë kërkesat tona, tre janë plotësuar pothuaj tërësisht, kërkesa e katërt mbetet të punohet në mënyrë plotësuese, ndërsa lidhur me të pestën nuk kishte diskutim. Mbase muaji janar disi është humbur sa i përket subvencionit të pagave, mirëpo shteti punon dhe bën përpjekje për t’i kompensuar në periudhën e ardhshme”, deklaroi Zdravko Josifovski nga OPH.

Lidhur me kërkesën për subvencione të pagave, është shqyrtuar alternativa për kredi pa kamatë, në mënyrë që ata, të cilët deri në fund të vitit do t’i mbajnë të gjithë të punësuarit do të fitojnë çlirim nga pjesa dërmuese e obligimeve.

Për njësimin e TVSH-së, ata kanë siguruar që të flitet edhe në takimet e ardhshme. Për kthim të orarit edhe pas orës 21 nuk është biseduar, megjithëse hotelierët i kanë përsëritur kërkesat e tyre për protokoll të unifikuar për objektet hotelerike, të hartuar në bashkëpunim me Ministrinë për Shëndetësi.

Bytyqi, siç kanë njoftuar nga kabineti i tij, në takim ka thënë se Qeveria nga fillimi i ka detektuar hotelerinë dhe turizmin si sektorë të ekspozuar ndaj pasojave negative, duke pasur parasysh ndikimin global të pandemisë si dhe masat restriktive për mbrojtje dhe parandalim të përhapjes së koronavirusit. Prandaj, ka shtuar Bytyqi, Qeveria deri tani ka krijuar katër pako masash, në të cilat, njëri nga fokuset kryesore është vënë pikërisht në përkrahjen e sektorit hotelerik dhe turistik, mirëpo edhe të gjithë sektorëve tjera që kanë shënuar humbje për shkak të pandemisë.

“Qeveria punon në pako masash që do ta çojnë ekonominë përpara. Në pakot paraprake të masave, sektori i hotelerisë dhe turizmi kanë fituar mbështetje serioze, për shkak që shteti me urdhëresë e kufizoi punën e tyre. Në këtë moment, është fakt që hotelerik kanë mundësi për të punuar, duke i respektuar protokollin, ndërsa pjesë e madhe hotelierëve kanë pasur mundësi edhe ta adaptojnë punën e tyre me inkorporim të dërgesës së produkteve te klientët e tyre”, tha Bytyqi, duke theksuar që pakoja e pestë e masave është në drejtim të rimëkëmbjes dhe ristartimit të ekonomisë.

Ndryshe, Ministria e Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut informoi se në mbledhjen e së premtes së Komisionit për Sëmundje Infektive është vendosur që orari i punës së lokaleve të mbetet deri në ora 21.00.

Paraprakisht, në muajin dhjetor OPH kishte kërkuar takim me Komisionin për sëmundje ngjitëse, para se të miratohen kufizimet shtesë lokalet gjatë festave të fundvitit, por ishte refuzuar nga autoritetet. Në muajin tetor, Zoran Zaev, kryeministri i Maqedonisë së Veriut së bashku me ministrin e shëndetësisë, Venko Filipçen, kishin takuar përfaqësuesit e lokaleve të dasmave, klubeve të natës dhe përfaqësuesit e muzikantëve, pasi ata kishin protestuar paraprakisht para objektit të qeverisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button