Ekipi i OBSH-së vizitoi një spital të Vuhanit

Një ekip i ekspertëve ndërkombëtarë është takuar me shkencëtarët kinezë dhe ka vizituar një spital në Vuhan të Kinës, në të cilin janë trajtuar pacientët e parë, pas zbulimit të koronavirusit të ri.

Ekipi i caktuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë po heton origjinën e koronavirusit.

Ekspertët kanë planifikuar vizita në laboratore, tregje dhe spitale të Vuhanit, transmeton REL.

Misioni hulumtues është përballur me vështirësi të nisjes së punës pasi Kina i kishte kërkuar OBSH-së më shumë kohë për të lejuar vizitën.

Madje, zyrtarët kinezë dhe mediat shtetërore janë përpjekur të hedhin dyshime, nëse virusi e ka origjinën në Kinë.

Më 28 janar, familjarët e viktimave që vdiqën nga koronavirusi në Vuhan të Kinës, thanë se autoritetet kineze kanë fshirë një grup në mediat sociale që ata kanë pasur dhe po u bëjnë presion që të mos flasin.

Dhjetëra familjarë të viktimave janë bashkuar në platformat online, për të kërkuar përgjegjësi nga zyrtarët e Vuhanit, të cilët ata i fajësojnë se nuk e kanë trajtuar siç duhet situatën, kur në fund të vitit 2020 u regjistruan rastet e para me koronavirusin e ri, shkruan AFP.

Koronavirusi i ri besohet se ka origjinën nga lakuriqët dhe fillimisht është përhapur në një treg në Vuhan ku shtazët e egra shiten si ushqim.

Por, për këtë teori dihet shumë pak.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button