fbpx

RMV, Lëvizja Anti Bixhoz: Propozim ligji është i papranueshëm, kërkojmë distancë prej 3 kilometrave, larg vendbanimeve!

Propozim ligji për lojërat e fatit i cili parasheh një distancë të këtyre objekteve prej 500 metrave larg institucioneve arsimore është i papranueshëm për Lëvizjen Anti Bixhoz. I intervistuar nga Portalb.mk, një ndër themeluesit e kësaj iniciative Xhemal Abdiu, rikujtoi premtimin e kryetarit të parlamentit, Talat Xhaferi, se nuk do të votohet asnjë ligj i cili parasheh distancë të këtyre objekteve prej më pak se 1 kilometra, shkruan Portalb.mk.

Katër ditë më herët në Regjistrin Nacional është publikuar propozim ndryshimet në Ligjin për Lojëra të Fatit, këto ndryshime, nuk përkojnë me kërkesat e Lëvizjes Anti Bixhoz, të cilët disa herë me radhë kanë protestuar në qytete të ndryshme të RMV-së.

Xhemal Abdiu nga kjo lëvizje tha se kërkesa e tyre është vetëm 1 dhe gjithmonë ka qenë e tillë, në të kundërtën, nuk do të pranojnë asgjë më shumë ose më pak se kërkesa e tyre.

Lëvizja "Anti Bixhoz".
Lëvizja “Anti Bixhoz”.

“Kërkesat e Lëvizjes Anti Bixhoz janë shumë të qarta dhe fisnike, që nga fillimi ne 1 kërkesë të vetme kemi pasur, dislokim i të gjitha objekteve të lojëra fatit 3 kilometra larg vendbanimeve. Në assesi nuk pranojmë, edhe pse ende skam informacione të sakta çfarë në të vërtete përmban ky ligj, dihet kërkesa jonë, 3 kilometra larg vendbanimeve, apo pas vrasjes se 2 te rinjve – mbyllje tërësishme deri në  sjelljen e një ligji te kapshëm për të gjithë” tha Xhemal Abdiu nga Lëvizja Anti Bixhoz.

Ky i fundit, rikujtoi se vetë kryetari i parlamentit të RMV-së, Talat Xhaferi, ju ka premtuar se nuk do të nënshkruaje asnjë ligj i cili do të parashihte distancë të këtyre objekteve, më pak se 1 kilometra. Ai shtoi se ky ligj është i papranueshëm për lëvizjen e tyre.

“Të jemi të qartë, në takimet që i kemi pas me kryetarin e parlamentit, Talat Xhaferi, ai tha nuk do të nënshkruhet asnjë ligj për lojërat e fatit në qoftë se është nën 1 km, pastaj propozuesi i ligjit prej 500 metër i pranoj të gjitha kërkuat e Lëvizjes Anti Bixhoz, deputeti Rexhail Ismaili në atë kohë pranoi që dislokimi i atyre objekteve të lojërave të fatit të jetë 3 kilometra, në asnjë mënyrë ne nuk do të pranojmë 500 metër, ky propozim ligj është i papranueshëm për Lëvizjen Anti Bixhoz” shtoi Xhemal Abdiu.

Ministria e Financave: Ligji i propozuar nga ne do të mbroje popullatën e re nga veset jo të mira

Nga ana tjetër, nga Ministria e Financave propozim ligjin e cilësojnë si të mirë, i cili sipas tyre, me propozimet e reja të cilat parashohin distancë prej 500 metra të këtyre objekteve larg institucioneve arsimore, të rinjtë nuk do të kenë qasje të lehtë deri te këto objekte.

Fatmir Besimi

“Kjo mënyrë e rregullimit jep mundësi të rinjve të kenë qasje të lehtë deri te lojërat e fatit. Në përputhje me kornizën aktuale ligjore, organizatorët e lojërave të fatit në dyqanet për baste dhe klubet me automate, me marrjen e një licence për automat klub dhe dyqan për baste kanë mundësi të hapin objekte me numër të pakufizuar. Kjo mënyrë e hapjes së këtyre hapësirave për lojëra të fatit, kanë efekte pozitive vetëm për pronarët, të cilëve ju mundësohet pagesa e tatimit për vetëm një licencë të hapin një numër të madh të këtyre objekteve, ndërsa kanë efekt negativ në buxhetin e Maqedonisë së Veriut për shkak të ardhurave më të vogla për këtë” thonë nga Ministria e Financave.

Nga kjo ministri nuk komentojnë kërkesën e Lëvizjes Anti Bixhoz, megjithatë, cilësojnë se distance prej 500 metrave është e mjaftueshme dhe do të ndikoje në mbrojtjen e popullatës së re nga veset jo të mira.

“Me qëllim të mbrojtjes së popullatës së re nga veset jo të mira, sugjerohet që këto hapësira, pra pikat ku organizohen lojërat e fatit të jenë 500 metra larg shkollave fillore dhe të mesme si dhe institucioneve të arsimit të lartë” thanë nga Ministria e Financave.

Lëvizja Anti-Bixhoz kërkon distancë prej 3 kilometrave, larg vendbanimeve

Rikujtojmë se përkundër kërkesave të Lëvizjes Anti Bixhoz, një vit më herët deputeti Rexhail Ismaili nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim dërgoi në parlament një propozim ligj i cili parashihte pikërisht dislokimin e objekteve për lojëra të fatit të jenë 500 metra larg objekteve ku kryhen procese arsimore.

Në atë kohë, mosmarrëveshja më e madhe në lidhje me votimin ose jo të këtij propozim ligji ishte distanca e paraparë larg objekteve të banimit apo institucioneve arsimore. Nga Lidhja Social Demokrate deklaronin se në qoftë se i njëjti ligj miratohet, do të rrezikoheshin mbi 7 mijë vende të punës ndërsa nga Aleanca për Shqiptarët u pajtuan me kërkesat e Lëvizjes Anti Bixhoz, gjegjësisht për 3 kilomretra distancë prej vendbanimeve.

Ndryshe propozimet e Lëvizjes Anti Bixhoz të cilët protestuan për një kohë të gjatë në disa qytete të Maqedonisë së Veriut, nuk janë marrë parasysh. Këta të fundit propozuan që kazinot të jenë së paku 3  kilometra larg vendbanimeve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button