Udhëtarët do të mund të kryejnë teste të shpejta për koronën në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit

Në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit udhëtarët do të mund të kryejnë teste të shpejta antigjeni pak para se pasagjeri të fillojë udhëtimin për ndonjë shtet tjetër. Qëllimi është të sigurohet mundësi për pasagjerët që nëse nuk e kanë bërë testin para arritjes së tyre në aeroport, ta bëjnë të njëjtin aty,njofton Portalb.mk.

Kjo vlen për vendet, në të cilat kërkohet test i detyrueshëm negativ, siç është Holanda, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar, pasi siç është raportuar  Holanda kërkon test të detyrueshëm negativ të antigjenit jo më të vjetër se 4 orë para nisjes, përveç kërkesës së tyre për test të detyrueshëm negativ PCR. Gjermania gjithashtu kërkon test negativ të shpejtë antigjeni të aprovuar nga OBSH-ja jo më të vjetër se 48 orë, por gjithashtu pranon teste PCR, LAMP ose TMA. Britania e Madhe, poashtu kërkon test negativ antigjeni jo më të vjetër se 72 orë, por gjithashtu pranon teste PCR ose LAMP.

Por, nëse udhëtarët vendosin ta bëjnë testin e shpejtë antigjen në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, kërkohet që ata të arrijnë në Aeroport të paktën 4 orë para kohës së nisjes së fluturimit, në mënyrë që të mos krijojnë bllokime para ndërtesës së aeroportit.

“Që nga e diela, 24 janar, një automjet i ambulancës për prova i spitalit klinik Zhan Mitrev është vendosur përpara ndërtesës së terminalit të Aeroportit Ndërkombëtar të Shkupit, afër hyrjes së vetme të hapur të pasagjerëve “Nisjet C”, ku udhëtarët mund ta bëjnë testin e shpejtë antigjen dhe të marrin rezultatin brenda 15 deri në 20 minuta nga marrja e mostrës”, thuhet në njoftimin e Aeroportit.

Duke pasur parasysh, thuhet tutje në njoftim, që vendet e BE/Shengen vazhdimisht po ndryshojnë rregullat e udhëtimit në lidhje me KOVID-19 dhe secili vend po bën ndryshime në lidhje me kufizimet për qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut, ata u bëjnë thirrje udhëtarëve para se të nisen për udhëtimin e tyre, të kontrollojnë kërkesat e fundit me kompaninë e tyre ajrore dhe Ambasadën e vendit ku ata planifikojnë të udhëtojnë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button