RMV, institucionet t’i marrin seriozisht rastet e dhunës në familje që të mos rezultojnë në femicid

Rreth 46% e propozimeve të viktimave të dhunës në familje në gjykata janë tërhequr, ndërsa 40% e autorëve të krimeve e kanë pranuar fajin. Ajo që është me rëndësi të theksohet është se arsyet kryesore pse procedurat gjyqësore shtyhen janë shtyrja e seancave dhe koha shumë e gjatë midis dy seancave, njofton Portalb.mk.

Ka gjithashtu mungesë të të pandehurit ose prokurorit publik, të cilët janë më të rëndësishmit në proces dhe pa të cilët gjykimi nuk mund të zhvillohet, tregojnë të dhënat e hulumtimit të Koalicionit “Të gjithë për gjykim të drejtë”, në kuadër të projektit ” “Vlerësimi i standardeve për gjykim të drejtë dhe qasje në drejtësi në rastet e dhunës në familje dhe krimeve të urrejtjes”,

“Sipas gjetjeve të hulumtimit, 82% e rasteve të dhunës në familje, autorët e krimit janë burra, dhe 87% e viktimave janë gra. “Ajo që është evidentuar në analizë është se në 64% të rasteve, autorët janë dënuar me kusht, kurse 25% me burg”, shtoi Dushko Arsovski, ekspert ligjor në Koalicionin “Të gjithë për një gjykim të drejtë” në konferencën përmbyllëse ku u promovua analiza përfundimtare .

Sa i përket profileve të viktimave, më shumë se gjysma, pra 54% e tyre kanë arsim të mesëm, ndërsa 44% kanë arsim të lartë. Shumica e viktimave janë të moshës 31 deri në 40 vjeç, ndërsa një përqindje e vogël janë grupe më të vjetra se 40 vjeç.

Në ngjarjen e djeshme,  që ishte në formatin e një diskutimi panel, foli edhe ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jagoda Shahpaska duke shprehur mirënjohje për sektorin joqeveritar që kontribuon në mënyrë aktive në krijimin e politikave dhe zgjidhjen e problemit të dhunës në familje .

“Pikërisht sot, Ligji për parandalim dhe mbrojtje nga dhuna ndaj grave dhe dhuna në familje është në lexim të dytë në seancën plenare, ku duhet të miratohet. Me të, ne në mënyrë sistematike i adresojmë të gjitha llojet e dhunës në bazë gjinore”, tha Ministri i Punës dhe Politikës Sociale Jagoda Shahpaska.

Ajo shtoi se aktualisht në vend 11 shërbime të specializuara për kujdes të viktimave të dhunës në familje në Shkup, Veles, Koçan, Sveti Nikollë, Manastir, Prilep, Ohër, Shtip dhe Strumicë. Nga këto, dy janë qendra krize ku viktima qëndron nga 24 në 72 orë. Ndërsa në pjesën tjetër akomodimi është nga tre muaj deri në një vit.

Veç kësaj, në vendin tonë ekzistojnë edhe 8 qendra të specializuara këshillimi për viktimat e dhunës në familje në Shkup, Kumanovë, Tetovë, Kavadarci, Prilep, Manastir, Ohër dhe Shtip. Ekziston edhe një qendër këshillimi për autorët e dhunës në Shkup, sepse, siç tha Shahpaska, puna me ta është mjet i rëndësishëm për eliminimin e dhunës.

Gjyqtarja në Gjykatën Themelore Penale Shkup, Biljana Kocevska u ndërlidhe për rastet dhe tha se nga njëra anë, është e rëndësishme se si të sigurohet mbrojtje në kohë të duhur për viktimën e dhunës në familje, por nga ana tjetër të respektohet edhe prezumimi i pafajësisë.

“Të dhënat nga shërbimit të probacionit (dënimeve me kusht) në gjykatë tregojnë se 11 aktgjykime për dhunë në familje janë shqiptuar me dënim me kusht me mbikëqyrje mbrojtëse. Tre prej tyre e kaluan me sukses programin në qendrën e parë familjare, një e kaloi pjesërisht, dy janë duke e ndjekur atë, etj. Ata kanë bashkëpunim të shkëlqyeshëm me qendrën e parë familjare nga ku raportet dorëzohen me kohë dhe janë të vetmit, të cilët kanë trajtim psiko-social,” tha Kocevska.

Ajo sqaroi se në rastet kur shqiptohet dënimi me kusht, është e rëndësishme të kihet parasysh se këto më së shpeshti janë rastet në të cilat autori kryen krimin për herë të parë dhe në ato raste shpesh thuhet se ai vetë ishte viktimë e dhunës në familje ose, vjen nga një familje jofunksionale. Ajo që është thelbësore është puna dhe risocializimi me autorët e këtyre veprimeve sepse vetë dënimi nuk do të ketë efektin e pritur.

Prokurorja publike në Prokurorinë Themelore Publike në Shkup, Lidija Raiçeviq, foli në panel për problemet e rregullta aktuale dhe latente dhe incidentet në procesin e provës së krimit të dhunës në familje. Ajo theksoi se prokurorët janë të mbingarkuar me lëndë, ndërsa kur mbërrrin tek ata një rast i tillë të dhunës në familje, e ndjekin atë sipas të gjitha rregulloreve ligjore, por vetëm në mënyrë rutinore, në vend që të kenë profil të detajuar të personit ose autorit të veprës, cilat janë marrëdhëniet midis tij dhe viktimës, por edhe cilat janë problemet me të cilat përballen me njëri-tjetrin. Kjo, siç tha Raiçeviq, është për shkak se nevojitet kohë, por edhe mbështetje me staf profesional të prokurorisë. Përveç kësaj, ajo iu referua mentalitetit dhe vlerave tradicionale në shoqëri, të cilat, siç tha ajo, nuk janë fajtori i vetëm për rritjen e numrit të rasteve të tilla. Për shkak të kësaj, nevojitet edukim për të gjitha moshat dhe njëlloj si për  burrat ashtu edhe për gratë.

Avokatja Marta Gusar, theksoi rëndësinë e respektimit të afateve ligjore në procedurë nga institucionet, përkatësisht urgjencën e veprimit dhe gjykimit brenda një kohe të arsyeshme, e cila nëse nuk respektohet mund të rezultojë vetëm në femicid, dhe jo siç duhet, me mbrojtje të viktimës.

Pjesëmarrësit në panel ranë dakord se dhuna në familje është fenomen kompleks që ekziston në të gjitha shoqëritë dhe se nuk bën dallimin midis gjinisë, moshës, racës ose bashkësisë etnike. Problemet më të mëdha ishin mosbesimi ndaj institucioneve dhe stigmatizimi nga më të afërmit dhe shoqëria. Konstatimi i tyre ishte që çdo raportim nga ndonjë viktimë e dhunës në familje duhet të merret me vëmendje të madhe dhe prioritet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button