fbpx

Facebook e ndërpreu një bisedë online të Netanyahut

Facebook tha se ka ndërprerë një bisedë online në faqen e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, për, siç tha, shkelje të politikave të rrjetit social, transmeton REL.

Postimi u kërkoi ndjekësve të ofrojnë detaje të miqve dhe të afërmve të tyre, të moshës 60 vjeç e lart, të cilët nuk e kanë marrë ende vaksinën kundër koronavirusit.

Në të thuhej se Netanyahu mund t’i thërrasë për t’i bindur ata. Facebook tha se kërkesa e tillë shkel politikën në lidhje me të dhënat private mjekësore.

“Në përputhje me politikën tonë të privatësisë, ne nuk lejojmë përmbajtje që ndan ose kërkon informacione mjekësore të njerëzve”, tha Facebook.

Kjo nuk është hera e parë që llogaria e Netanyahut në Facebook ka probleme me shkelje të rregullave.

Në prag dhe gjatë zgjedhjeve të shtatorit 2017, biseda online e Netanyahut është pezulluar dy herë – herën e parë për gjuhë të urrejtjes, pasi, sipas Facebook-ut, ka pasur mesazhe si: “Arabët që duan të na shkatërrojnë të gjithëve”, dhe herën e dytë për shkelje të ligjit lokal zgjedhor, pas publikimit të sondazheve derisa votimi ishte ende në proces.

Polemikat e fundit vijnë në kohën kur Izraeli, me programin më të shpejtë në botë të vaksinimit kundër koronavirusit, e ka shtrirë atë te moshat 16 deri në 18 vjeç.

Ministria e Shëndetësisë e Izraelit ka thënë se më shumë se një e katërta e popullsisë izraelite – prej 9 milionë banorësh – ka marrë së paku një dozë të vaksinës Pfizer që nga 19 dhjetori.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button