REGJISTRIM A LUFTË PSIKOLOGJIKE?

Maqedonia e Veriut është në vigjilje të regjistrimit të popullatës, amvisërive, banesave… Kjo është gjëja më e zakonshme në mbarë botën e qytetëruar, me përjashtim të vendeve të komplekësuara e xhuxhe si shteti ynë i dashur, ku, për shkak të frikës nga dalja në shesh e numrit real të shqiptarëve, edhe regjistrimeve u jepet karakter politik. Dëshmi për këtë janë shqetësimet e shpifura dhe propagandat e pamatura të shumë politikbërësve dhe intelektualëve maqedonas, që tani, pas degdisjes së paparë ndonjëherë të të rinjëve tanë gjithandej shteteve evropiane në kërkim të sigurimit të ekzistencës, llogarisin që në këtë regjistrim të dalim nën 20%, me çka do të përpiqen të legjitimojnë më pas reduktimin e të drejtave tona kombëtare.

Në krye të kësaj lufte psikologjike që ushqen tensionet e panevojshme ndëretnike janë disa  akademikë e profesorë të njohur universitarë, si ligjëruesja e të drejtës kushtetuese dhe sistemit politik – Tanja Karakamisheva, e cila që moti trumbeton medieve se numri i shqiptarëve qenka shumë më i vogël se sa mendojmë ne. Sipas llogarive, që profesoresha thotë se i mbështet në të dhënat zyrtare për qytetarët që kanë shtetësi: në Maqedoninë e Veriut jetojnë  72,66% Maqedonas, 16,7% Shqiptarë, 2,66% Romë, 3,85% Turqë,1,78% Serbë, 0,84% Boshnjakë, 0,48% Vllehë dhe 1,03% të tjerë.

Ashiqare, kjo bie ndesh me të vërtetën dhe me statistikat e bashkëmendimtarëve të saj, po profesoresha dhe të ngjashmit si ajo, në duart e të cilëve është lënë edukimi i brezave të rinj, nuk i japin askujt llogari për dëmet që ia bëjnë ardhmërisë së vendit. Kjo të shtyn të dyshosh se në shtetin e çudirave asgjë nuk ndodh rastësisht. Prandaj mungon vullneti për ndryshimin e statusit tonë fyes, nga qytetarë që flasin së paku 20%  të një gjuhe tjetër, në shqiptarë; prandaj zhagitet zbatimi i ligjeve që kanë të bëjnë me të drejtat e shqiptarëve, si puna e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve; prandaj nuk hiqen me dekada fyerjet në baza etnike të shqiptarëve në tekstet shkollore, ku ata quhen ardhacakë, pushtues, uzurpatorë të tokave maqedonase; prandaj vazhdojnë të mbeten pa shtetësi  një numër i madh shqiptarësh, pavarësisht të dhënës se jetojnë këtu shumë kohë para prishjes së Jugosllavisë titiste; prandaj lihen pas dore vendbanimet shqiptare dhe është tejet e lartë papunësia e të rinjëve; prandaj mbijetojnë gjithandej britmat egërshane të  “tifozëve” të sportit për djegien e shqiptarëve në komora gazi; prandaj…

Në kësi rrethanash, kur Karakamisheva është ajo që na numëron, si padroni rajën; ajo që përcakton rritën tonë me doza të kërmillta zhvillimore; ajo që na i shtron me hithra udhët e jetës…, vetvetishëm lind pyetja a ka gjasa reale që Maqedonia e Veriut të bëhet shtet i mirëfilltë demokratik i qytetarëve dhe etnive të barabarta, ku askush nuk do ta ketë privilegjin e dhurimit apo dhunimit të të drejtave të tjetrit?

Fatkeqësish, përgjigja nuk mund të jetë pozitive për aq kohë sa do të jetë në fuqi Kushtetuta e vitit 1991, e hartuar për krijimin e shteti etnik maqedonas dhe pakicave, në mesin e të cilave janë futur padrejtësisht edhe shqiptarët që jetojnë denbabaden pothuajse në gjysmën e territorit të vendit. Them kështu, sepse është pikërisht Kushtetuta ajo që ua mundëson albanofobëve ta konsiderojnë veten qenie superiore në raport me tjetrin dhe të bëjnë lodra me të. Ndryshimi i saj do ta pamundësonte sjelljen e ligjeve diskriminuese e jodemokratike. Sigurisht edhe të drejtën e karakamishevave për të shpallur rezultatet e regjistrimit për numrin e banorëve të vendit shumë kohë para bërjes së tij.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button