Presidenti Biden do të kërkojë zgjatjen e traktatit START me Rusinë

Presidenti Joe Biden do të kërkojë një zgjatje të Traktatit START me Rusinë, tha Shtëpia e Bardhë të enjten. Ky është një ndër vendimet e para madhore në politikën e jashtme nga administrata e re. Traktati skadon në shkurt.

“Presidenti është shprehur qartë prej kohësh se traktati është në interes të sigurisë kombëtare të SHBA. Zgjatja e tij është edhe më e logjikshme kur marrëdhëniet me Rusinë janë konfliktuale siç janë aktualisht,” tha Jen Psaki, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë në konferencën për shtyp, shkruan VOA.

Zonja Psaki shtoi se presidenti ka udhëzuar komunitetin e zbulimit të bëjë një analizë të plotë të ndërhyrjes kibernetike në rrjetin e kompanisë Solar Winds, ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e 2020 si dhe përdorimin e një arme kimike ndaj aktivistit opozitar rus Alexei Navalni si dhe njoftimet për shpërblime të ofruara nga Moska për atentate kundër trupave amerikane në Afganistan.

“Ndërkohë që vazhdojmë përpjekjet tona për të punuar me Rusinë për avancimin e interesacve amerikane, duhet të vazhdojmë paralelisht të mbajmë përgjegjëse Rusinë për veprimet e saj të papërgjegjshme dhe kundërvënëse,” tha zonja Psaki.

Traktati për kontrollin e armëve, i cili skadon më 5 shkurt, kufizon deri në 1550 numrin e mbushjeve bërthamore që mund të dislokojnë SHBA apo Rusia.

Përveç këtij kufizimi, traktati i ri START kufizon edhe raketat e lëshuara nga toka dhe nëndetëset si dhe avionët luftarakë.

Përmes një deklarate Pentagoni tha se amerikanët janë “shumë më të sigurtë” me zgjatjen e traktatit në formën aktuale.

“Ndërkohë që vazhdojmë të angazhohemi me Rusinë në mënyra që u shërbejnë interesave amerikane, Departamenti i Mbrojtjes mbetet realist për sfidat që paraqet Rusia dhe mbetet i angazhuar për të mbrojtur vendin kundër këtyre akteve të papërgjegjshme,” tha zëdhënësi i Pentagonit John Kirby.

Skadimi i traktatit do të kishte anuluar të gjitha kufizimet mbi numrin e mbushjeve bërthamore të SHBA dhe Rusisë si dhe mbi sistemet për lëshimin e tyre, gjë që mund të rezultonte në një garë të re armatimesh, thanë ekspertë të politikave mbrojtëse.

Më parë, një burim i informuar mbi këtë vendim tha për agjencinë e lajmeve Reuters se ligjvënësit amerikanë ishin informuar mbi vendimin e zotit Biden për të zgjatur traktatin START.

Kremlini tha të mërkurën se është i angazhuar për zgjatjen e traktatit dhe se mirëpret përpjekjet e administratës së Presidentit Biden për arritjen e një marrëveshjeje.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button