Ditë e re

Për botën dje lindi një ditë e re. Është dita kur arsyeja u kthye në krye të njerëzimit. Është dita kur katër vite të një pasigurie të plotë dhe të gjithanshme mbaruan. Është dita kur i erdhi fundi mandatit të njeriut më kontravers i cili përmes demokracisë u gjend në krye të shtetit më të fuqishëm të botës. Është dita kur po përmes demokracisë ai u largua nga pushteti. Është dita kur bota u kthye në normalitet dhe filloi të funksionojë përsëri duke sjellur shpresë për të gjithë dashamirët e proceseve demokrartike. Ashtu si që theksoi Presidenti Biden në fjalimin e tij inagurues, kjo nuk është fitore vetëm e një kandidati të një partie politike, kjo është fitore e një kauze.

Është më se e qartë që e gjithë bota gjindet në luftë të përhershme mes atyre që besojnë në vlera demokratike dhe atyre që nuk besojnë e as që duan t’ia dinë për ato vlera. Kjo është një luftë që zhvillohet në mënyrë paralele gjithandej, në miniaturë në shtetet tona të vogla e të parëndësishme, dhe në përmasa të mëdha në shtetet që e udhëheqin botën. Është një luftë e përhershme mes atyre që e kuptojnë interesin publik dhe të tjerëve që e kuptojnë vetëm interesin personal dhe atë oligarkik. Është një luftë e ashpër mes atyre që besojnë tek ndarja e pushtetit, tek sundimi i së drejtës, tek inkluziviteti dhe barazia, dhe të tjerëve që besojnë tek totalitarizmi dhe sjellja tërësisht e papërgjegjshme në përmasa kombëtare e globale.

Është shpresëdhënëse që ata që besojnë në vlerat fundamentale demokratike fituan kësaj rradhe. I gjithë njerëzimi, ose të paktën të gjithë ata me mendime progresive demokratike, të cilët vërtet besojnë tek sundimi i së drejtës dhe inkluziviteti, më në fund, pas 4 vitesh, morën frymë lirshëm. Përfundimisht shpresa u kthye, shpresa se do të vinë ditë më të mira se këto që kaloi bota e tërë gjatë kësaj periudhe, ditë më të mira për të gjithë njerëzit me mendime liberale.

Është fitore e një kauze e cila sapo filloi të japë frytet e para. Ndjenja e inkluzivitetit dhe e unitetit u pa dukshëm në ceremoninë e mrekullueshme të inaugurimit të Presidentit Biden dhe të Vice-Presidentes Harris. Ishte një ceremoni gjithëpërfshirëse ku u promovuan vlerat kryesore të asaj që e njohim si “Ëndrra Amerikane”. Një President me pikëpamje liberale dhe inkluzive, me një fjalim modest, gjithëpërfshirës dhe unfikues, një Vice-Presidente e aftë dhe e dëshmuar, me prejardhje afrikane dhe aziate, një gjyqtare supreme me prejardhje latino-amerikane që e promovoi Vice-Presidenten Harris, shumë performues artistë me prejardhje të ndryshme që flasin gjuhë të ndryshme e kanë identitete të ndryshme, një poete 22-vjeçare afro-amerikane me një poezi mbresëlënëse dhe me mesazhe të fuqishme, ish-presidentë prezentë në ceremoni të japin përkrahjen e tyre të plotë për Presidentin e sapozgjedhur, dhe një ish-president që pas 150 vitesh e theu traditën e pjesëmarrjes në ceremoninë e dorrëzimit paqësor të pushtetit. Tabloja nuk mund të ishte më e plotë se kaq. Gjithçka ishte aq gjithëpërfshirëse, sa që secili njeri që e ndiqte direct këtë ceremoni madhështore, e i cili beson në ato vlera që sistemi demokratik amerikan i promovon, ndihej edhe vet amerikan, duke u identifikuar me të gjitha ato vlera të cilat u promovuan dje në shkallët e Kapitolit, ku vetëm pak ditë më parë ndodhën ngjarje të paparamendueshme për një shtet të tillë. Është interesant ky emocion unifikues, kur një njeri nga një vend i largët e ndjen atë shtet si të vetin, dhe identifikohet me të. Nuk ka asnjë shtet tjetër që mund të arrijnë një nivel të tillë unifikimi.

Veprimet e para të Presidentit Biden janë jo vetëm simbolike por edhe shumë domethënëse. Menjëherë pas inaugurimit ai nënshkruajti vendime për rikyçjen e SHBA në Mërrëveshjen e Parisit për klimën, ndërpreu procesin e tërheqjes së SHBA nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, ndërpreu ndërtimin e murit me Meksikën dhe hoqi ndalesën për udhëtim të myslymanëve. Ja kështu ndryshimi mund të vijë për një ditë, kur forcat e vërteta progresive janë në vendin e duhur.

Është një ditë shprese për të gjithë. Por poashtu, është një ditë reflektimi i kujdesshëm për atë se sa afër shkatërimit mund të vijë bota që e njohim si rezultat i sjelljes së papërgjegjshme të një grupi njerëzish.

Tani mund të marrim frymë lirshëm. Tani mund të kemi shpresë se ditë të mira po na presin.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button