Pas arrestimit, ShBA dhe BE kërkuan lirimin e liderit opozitar rus Aleksei Navalnit

Shtetet e Bashkuara dhe disa qeveri evropiane kërkuan lirimin e politikanit rus të opozitës, Alexei Navalny, nga paraburgimi. Navalny, 44 vjeç, u ndalua nga policia menjëherë pasi fluturimi i tij nga Gjermania zbarkoi në Moskë, të dielën pasdite.

Ai po kthehej në Rusi pesë muaj pas helmimit me agjentin nervor Noviçok, për të cilin ka fajësuar autoritetet ruse, transmeton REL.

Qeveria e presidentit Vladimir Putin e mohon helmimin e Navalnyt.

Megjithatë, pohimet e tij janë mbështetur nga raportet e gazetarëve hulumtues.

Duke reaguar ndaj ndalimit të tij, SHBA-ja dhe BE-ja bënë thirrje për lirim të menjëhershëm.

Sekretari amerikan i Shtetit tha se autoritetet ruse po përpiqen t’i heshtin kritikët e tyre.

“Liderët e sigurt politikë nuk kanë frikë nga zërat konkurrues, as nuk kryejnë dhunë, as nuk i ndalojnë padrejtësisht kundërshtarët politikë”, tha Pompeo.

Këshilltari për siguri kombëtare i presidentit të zgjedhur amerikan, Joe Biden, u shpreh në frymë të ngjashme.

“Sulmet e Kremlinit ndaj Navalnyt nuk janë thjesht shkelje e të drejtave të njeriut, por fyerje e popullit rus, që dëshiron t’i dëgjohet zëri”, tha Jake Sullivan.

Franca, Italia dhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, bënë thirrje për lirimin e menjëhershëm të Navalnyt.

Aleksei Navalny është ndaluar nga forcat policore në aeroportin Sheremetyevo të Moskës, pak minuta pasi ai arriti nga Gjermania. Avokati i tij, që kishte udhëtuar me Navalnyn nga Gjermania për në Rusi, nuk është lejuar që ta shoqërojë atë. Navalny u ndalua nën disa akuza të mëhershme për përvetësim fondesh. Sipas Navalnyt, akuzat e tilla janë të motivuara politikisht.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button