fbpx

Kodra e Diellit me plan urbanistik të viteve 80-ta, shoqëria civile kërkon që komuna t’i qaset seriozisht këtij problemi (VIDEO)

Qendra turistike “Kodra e Diellit” ende nuk ka plan detal urbanistik edhe pse kjo e fundit sipas Hamdi Sulemanit nga iniciativa “Ta Shpëtojmë Kodrën e Diellit” është diçka jetike për këtë qendër turistike. I intervistuar nga Portalb, kryetari i Këshillit Komunal në Tetovë, Bekim Memeti, thotë se është optimist se kjo punë do të përfundoje brenda këtij viti. Ndërkaq, nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve na konfirmuan se hera e fundit kur kanë pranuar PDU për Kodrën e Diellit, ka qenë viti 2013, shkruan Portalb.mk.

Aktualisht në Kodrën e Diellit ekziston plani detal urbanistik i cili është miratuar në vitin 1980, sipas Hamdi Sulemanit nga Iniciativa “Ta Shpëtojmë Kodrën e Diellit”, një plan i ri urbanistik do të zgjidhte të gjitha problemet infrastrukturore në këtë qendër dhe do ta bënte atë më konkurruese.

“Planet urbanistike janë çelësi i zhvillimit të një strukture apo lagjeje, prandaj për tu zhvilluar Kodra e Diellit është i domosdoshëm një plan urbanistik i cili do të caktojë infrastrukturën, do trajtoje dhe të gjitha problemet tjera infrastrukturore për të pasur një qendër të zhvilluar, të bukur dhe të jetë konkurruese me qendrat përreth rajonit” tha Hamdi Sulemani.

Sipas tij, një plan i mirë përpiluar urbanistik për Kodrën e Diellit do të ndalonte një herë e përgjithmonë invazionin ndërtimor dhe atë që siç thotë ai, është shkatërrimi urbanistik i cili mund të riparohet vetëm me rrënimin e objekteve pa leje.

“Plani detal urbanistik do të ndal edhe invazionin ndërtimor, do e ndal edhe shkatërrimin urbanistik i cili nuk mund të kthehet mbrapa përpos rrënimit to objekteve pa leje por gjithashtu nga taksat komunale për ndërtimet e reja, do inkasoj arka e komunës” shtoi Sulemani.

Çfarë thonë kompetentët?

Nga Komuna e Tetovës e rifilluan procedurën e dështuar të vitit 2013 për miratimin e një plani detal urbanistik për Kodrën e Diellit, megjithatë, kjo e fundit pati fatin edhe më të keq se ai plan i vitit 2013, pasi që nuk arriti të kaloje as në dëgjimin publik, në vitin 2019.

Sipas Bekim Memetit, kryetarit të Këshillit Komunal në Tetovë, aktualisht procedura për planin detal urbanistik është duke rrjedhur dhe të gjitha ankesat e qytetarëve janë shqyrtuar, pas nënshkrimit nga ana e planerit, Memeti thotë se PDU-ja përsëri do të del në ankand publik dhe do të përsëritet si procedurë.

“Sa i përket PDU-së për Kodrën e Diellit, procedura është duke rrjedhur. Për momentin ka përfunduar procedura e përgjigjeve të qytetarëve të cilët kanë parashtruar ankesat e tyre. Në ndërkohë, është thirrur edhe planeri i cili duhet të i nënshkruaje të njëjtat, kjo do të ndodhe gjatë këtyre ditëve. Pas kësaj, PDU-ja do të del përsëri në ankand publik dhe do të përsëritet si procedurë, me gjithë ankesat e inkorporuara në atë, në qoftë se nuk do të ketë ,atëherë e njëjta do të procedohet në institucionet tjera. Besoj se gjatë këtyre muajve apo gjatë këtij viti duhet të përfundoje si proces” tha Bekim Memeti, për Portalb.mk.

Në pyetjen se a do të arrije kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, gjatë këtij mandati të cilit i ka ngelur edhe rreth 8 muaj të bëje Kodrën e Diellit me plan detal urbanistik, ai tha se është optimist se kjo do të ndodhe, edhe pse nuk është i sigurt.

“Sa i përket a do të ketë apo jo nuk varet gjithsej nga ne, më shumë institucione janë të kyçura dhe kur lëndën barten nga një institucion në tjetrit, kjo nënkupton se duhet kohë, por si natyrë jam optimist dhe mendoj se do të përfundoje edhe kjo punë” shtoi Bekim Memeti.

Rikujtojmë se plani detal urbanistik për Kodrën e Diellit ishte në programin zgjedhor “Bashkë për Tetovën që duam” të kryetares aktuale, Teuta Arifi. Ky premtim. ende nuk është realizuar.

Ndërkaq, nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve për Portalb.mk konfirmuan se hera e fundit kur deri te adresa e tyre ka arritur një propozim plan detal urbanistik për Kodrën e Diellit ka qenë në vitin 2013 dhe i njëjti nuk është miratuar.

“Ju informojmë se në vitin 2013 ka filluar përgatitja e dokumentacionit për përpunimin e planit detal urbanistik për Kodrën e Diellit. Nga ana e Ministrisë për Transport dhe lidhje nuk është miratuar dokumentacioni i planit urbanistik për shkak të mungesës së dokumentacionit të nevojshëm në përputhje me ligjin e atëhershëm” thanë nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve.

Ndërkaq, për një plan të ri detal urbanistik për Kodrën e Diellit, nga kjo ministri potencuan se do të nevojitet kyçja e disa institucioneve tjera relevante.

“Prej atëherë, dy herë është ndryshuar Ligji për Planifikim Urbanistik, për vazhdim eventual të një procedure të re për atë pjesë do të duhet vlerësimi i institucioneve relevante, mes të cilave edhe Ministria e Ekologjisë dhe vetëqeverisja lokale në Tetovë” deklaruan nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve.

Ndryshe, në vitin 2019 Komuna e Tetovës e nxori në debat publik një plan të ri detal urbanistik për Kodrën e Diellit, megjithatë, i njëjti kishte shumë kritika nga qytetarët dhe shoqëria civile dhe nuk arriti të kaloje as në dëgjim publik. Ky plan detal urbanistik, fatin e njëjtë e kishte edhe para 8 viteve, as atëherë nuk arriti të miratohet dhe ngeli në gjysmë si procedurë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button