Kovid-19 në Tetovë, Nuredini: 12 punonjës shëndetësor janë në izolim, kemi mbi 70 shtretër të lirë (VIDEO)

Aktualisht në Spitalin Klinik të Tetovës ka të shtruar 20 pacientë të infektuar me Kovid-19, shtretër të lirë ka mbi 70 ndërsa sipas koordinatorit të qendrës Kovid në Tetovë, në qoftë se është nevoja, do të shfrytëzohen edhe kapacitetet tjera të këtij spitali. Aktualisht 12 punonjës të shëndetësisë në Tetovë janë pozitiv me Kovid-19 apo në izolim për shkak të kontaktit, shkruan Portalb.mk.

Mjeku Gzim Nuredini theksoi se pas ardhjes së mërgimtarëve në vend, pritshmëria e personelit mjekësor ka qenë se numri i të infektuarve me Kovid-19 në vend do të rritet, megjithatë, ata janë befasuar pozitivisht.

“Pasi patëm panik pas ardhjes së mërgimtarëve në vendin tonë, për shkak se menduam se do të kemi rritje të numrit të pacientëve me Kovid-19, fatmirësisht nuk kemi pasur një rritje të madhe të numrit, ashtu që për momentin kemi 20 pacient të hospitalizuar, shumica e tyre janë në gjendje stabile, dy janë në gjendje më të rëndë, me komorbilitete të ndryshme. Ndërsa sa i përket numrit të pacientëve të cilët vijnë në ambulanten e qendrës Kovid-19, aty ka mbi 30 pacientë në ditë, ka pacientë që vijnë të konsultohen, të kontrollohen, një numër i tyre testohen, flas për ambulanten  për shkak se edhe kjo është një indikator i situatës me Kovid-19 në vendin tonë” tha mjeku Gzim Nuredini.

Nuredini potencoi se shtretërit për Spitalin Klinik të Tetovës nuk përbëjnë problem, kjo për shkak se ka mjaftueshëm të lirë edhe në repartet tjera, një prej të cilëve, e kanë përgatitur vetëm për pacientët me Kovid-19.

“Të hospitalizuar kemi 20 pacientë, ka mbi 70 shtretër të lirë edhe pse tani një pjesë të internës e kemi liruar krejt, shtretërit nuk janë problem në qoftë se krijohet nevoja ne përsëri e aktivizojmë at pjesën ku kemi nevojë. Nuk është problem shtretërit sa janë problem organizimi i personelit, kuadrit, meqenëse kjo sëmundje kërkon kuadër më të specializuar” shtoi Nuredini.

Ndërkaq, mjeku Gzim Nuredini gjithashtu informoi se aktualisht gjithsej 12 punonjës të shëndetësisë në Spitalin Klinik të Tetovës janë të izoluar për shkak të kontaktit me persona pozitiv apo pas rezultatit pozitiv me virusin korona. Kjo sipas tij, aktualisht nuk përbën ndonjë problem, marrë parasysh situatës jo kritike aktualisht.

A ka arritur mutacioni i virusit korona në rajonin e Tetovës?

Për këtë, Nuredini tha se nuk përbën ndonjë rrezik të shtuar edhe pse në laboratorët qendrore është paraqitur një gjë e tillë, ai shtoi se sipas disa hulumtimeve, vaksina kundër virusit korona do të jetë efektive edhe për këto mutacione.

“Janë disa lloje që janë detektuar në laboratorin qendror, nuk ka ndonjë alarm tani për tani, nuk ka rrezik. Edhe pse në bazë të informatave që i kemi nga qendrat e qyteteve tjera, sigurisht që ka mutacion të ri i cili ka potencial të përhapet dhe të infektoje një numër më të madh të popullatës. Por, vaksina do të jetë efektive edhe për atë” tha mjeku Gzim Nuredini.

A është gati Spitali Klinik i Tetovës për procesin e vaksinimit të qytetarëve?

Nuredini tha se këtë proces kryesisht do ta udhëheqë Instituti për Shëndet Publik në bazë të planit që e kanë përpiluar, mjeku shtoi se personelit mjekësor në vend nuk i nevojitet një trajnim i posaçëm për këtë për shkak se bëhet fjalë për vaksinë si gjitha të tjerat.

“Vaksinimin do ta menaxhoje Instituti i Shëndetit Publik me punktet ekzistuese që i ka, ata pastaj në bazë të planit që do ta bëjnë do të na informojnë edhe neve si klinikë, nëse do të kenë nevojë për të vaksinuar. Mendoj se menaxhmenti këtë do ta bëje, nuk do të ketë ndonjë problem posa të arrije vaksina, stafit mjekësor nuk i nevojitet ndonjë trajnim ekstra sa i përket vaksinës anti Kovid-19, është diçka standarde si të gjitha vaksinat tjera, nuk do të na marre shumë kohë, është punë e vogël” tha mjeku Gzim Nuredini.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button