FRIKA NGA REGJISTRIMI

Vitin 2021 parësia e Maqedonisë së Veriut e nisi jo me prioritetin për zbutjen e Covid-19, që korr pamëshirshëm jetë njerëzish, po me të shkuarën historike të ngritur nga Bullgaria dhe me çështjen e regjistrimit të munguar të popullatës prej vitit 2002, nga i cili dikush tutet si prej gjarpërit.

Kjo gjë zgjon dyshime dhe lind pyetjet: përse kaq shumë politikanë e intelektualë maqedonas i shqetëson më shumë regjistrimi i banorëve të vendit sesa mohimet e njëpasnjëshme të fqinjëve, që nuk ua njohin shtetin, përkatësinë etnike, gjuhën, kishën dhe gjithçka tjetër që lidhet me vijat identitare të një bashkësie të veçantë njerëzish? Përse të tillët i fajësojnë dhe i  gogolizojnë shqiptarët, madje edhe për paaftësinë e shtetit për të bërë një regjistrim pa hile të popullatës? Përse gjithë kjo frikë nga numri i vërtetë i shqiptarëve në këtë vend, sado që kemi mbetur të vetmit ballkanas që i pranojmë bashkëvendësit ashtu siç kanë qejf, pavarësisht të dhënës se ata na konsiderojnë etni përqindje, kurse në librat shkollorë, që janë qe 30 vjet në proces të përmirësimit të lëshimeve fyerëse ndaj nesh, na quajnë ardhacakë të vendosur këtu në sh. XVIII, pa çka se para dhe asokohe shqiptarët e këtyre viseve bënë kryengritje me shtrirje kolosale gjeografike kundër pushtuesve osmanë, si puna e betejës së vitit 1689 e udhëhequr nga arqipeshkvi i Shkupit Pjetër Bogdani, apo si Kryengritja e Dervish Carës e vitit 1843, që, jo rastësisht nuk përmenden as nga albanofobët e tjetrit, as nga hira shqiptare, sepse betejat e përmasave të tilla nuk mund t’i bëjnë etnitë e pakonsoliduara me shekuj në një territor të caktuar.

Njohësit e së shkuarës dhe së tashmes së këtyre hapësirave e kanë të qartë gjenezën e frikës së pushtetarëve nga e vërteta e përbërjes etnike të populllatës së Maqedonisë së Veriut, veçmas pas rënies së sistemit monist, kur u vështirësua manipulimi me shifra dhe me tkurrje të numrit të pjesëtarëve të etnive pakica, ku futen pa të drejtëj edhe shqiptarët. Ata e dinë se nga viti 1913 e këndej dikush na ka numëruar e ç’numëruar si ia ka dashur interesi hegjemonist dhe dëshira për të sunduar tjetrin. Por përkundër të dhënës se shifrat e tregut publik s’kanë lidhje me njëra-tjetrën, “demografët” albanofobë përpiqen të mbajnë gjallë mashtrimet ordinere, të trashëguara nga arsenali i gënjeshtrave serbe, që edhe maqedonasit si bën beli fare. Po përmend me këtë rast disa rrena, si ajo për gjoja luftën biologjike që bëjnë shqiptarët për të mundur maqedonasit me natalitetin e tyre të lartë; rrenën për shtypjen që ua paskemi bërë turqve, torbeshëve e romëve për t’u deklaruar shqiptarë gjatë regjistrimit të popullatës në vitin 1948; rrenën për gjoja shpërnguljen masive të turqve për në Turqi gjatë viteve të 50-ta; rrenën që lidhet me fshehjen e numrit të madh të shqiptarëve të besimit të krishterë në Maqedoni; rrenën që lidhet me përvetësimin e trashëgimisë sonë materiale e shpirtërore; përpjekjen e ankthshme për përvetësimin e personaliteteve historike shqiptare si Skënderbeu a Nënë Tereza…

Në vija të trasha, duket sikur pikërisht vështirësitë e sajimit të rrenave të reja janë shkaqet që e kanë penguar regjistrimin e popullatës 20 vitet e fundit, sepse sot askush nuk mund t’i konvertojë shqiptarët, bullgarët, serbët, torbeshët, romët… në atë që s’janë dhe nuk duan të jenë kurrë. Zamanet e dallavereve janë duke perënduar, prandaj dikush i mbush brekët dhe bën zhurmuesin me arsyetime qesharake dhe fyese. Të këtij soji janë deklaratat kontradiktore të disa sharlatanëve, sipas të cilave regjistrimi i këtij viti do të vërtetojë se shqiptarët nuk përbëjnë më shumë se 17 % të popullatës së Maqedonisë së Veriut, apo deklaratat publike të një tabori tjetër albanofobësh, që e pranojnë se: Shqiptarët mund të jenë mbi 40 %, por ne maqedonasit i komandojmë, i kemi shërbëtorë!

Fyerja e fundit, që shpërfaq ndoshta të vërtetën lakuriqe mbi numrin e shqiptarëve është njëkohësisht dhe një rrahje e fortë kambane, që duhet t’na shkundë e t’na vetëdijësojë mirëfilli për statusin që gëzojmë në vendin e çudirave. Kjo vlen në veçanti për klasën politike shqiptare, që duhet të luftojë për një shtet pa padronë e shërbëtorë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button