fbpx

Kryesimi portugez – nuk ka asnjë paralajmërim spektakolar

Analizë speciale për Portalb.mk nga Malinka Ristevska Jordanova, Instituti për Politika Evropiane.

Malinka Ristevska Jordanova

Nga viti 2010, pas Marrëveshjes së Lisbonës, krahas programit të kryesisë së BE-së, që zgjatë gjashtë muaj, u inkorporua edhe Program në të ashtuquajturin Tresh (Trio). Treshin (Trio-n) e përbëjnë tre shtete të cilat në mënyrë të njëpasnjëshme kryesojnë me BE-në. Në programin e Treshit (Trio-s) Gjermania-Portugalia-Sllovenia (1 korrik 2020 – 31 dhjetor 2021) në mënyrë të prerë është përshëndetur vendimi për fillim të negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, u konfirmua perspektiva e rajonit për anëtarësim në BE me qëllim që “të vazhdojë procesi i zgjerimit drejt Ballkanit Perëndimor”, në bazë të metodologjisë së re.

Programi i kryesisë gjermane ishte më konkret në raport me vendet për të cilat hapi i radhës janë negociatat për aderim, duke theksuar që Gjermania “po përgatitet për fillim të negociatave për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, nëpërmjet përgatitjes së kornizës së negociatave për këto dy vende”.

Për dallim nga kryesimi i Gjermanisë, kryesimi i Portugalisë është më i kujdesshëm në dokumentet zyrtare. Nuk e përmendin Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Gjithë teksti për rajonin thotë: “Ne do ta mbështesim procesin e zgjerimit të Ballkanit Perëndimor në bazë të metodologjisë së re, më kredibile dhe më efikase, si dhe përpjekjet për stabilizim dhe integrim në rajon dhe do ta mbështesim Komisionin Evropian në lidhje me proceset rrjedhëse të reformave në ato vende”. Në këtë mënyrë kryesimi është korrekt sa i përket vazhdimësisë së Programit të Treshit (Trio-s), mirëpo nuk ndërmerr asnjë obligim konkret. Nuk paralajmërohet asgjë spektakolare. Ndërkaq, lidhur me radhitjen e prioriteteve për politikë të jashtme, më i rëndësishëm në Program është prioriteti për revitalizimin e raporteve me SHBA-në, por nga rajonet, veçanërisht Magreb, rajoni më i gjerë i Afrikës Veriore, si dhe Lindja e Mesme.

Për dallim nga tekstet zyrtare, deklaratat e përfaqësuesve portugezë ishin pak më kontradiktore. Së pari u shfaq deklarata e ambasadorit të Portugalisë në BE, e publikuar nga agjencia shtetërore e Bullgarisë BTA dhe e transmetuar nga shumë media të Maqedonisë. Gjithsesi, ajo ishte e interpretuar si e përshtatshme për Bullgarinë, për shkak se sipas ambasadorit “nuk ka qenë korrekte Bullgaria të vendoset si bllokadë e procesit të zgjerimit”. Më tej në deklaratë thuhej që Portugalia nuk do të shpejtojë me konkluzione për zgjerimin.

Pastaj erdhi një mesazh më ndryshe nga shefi i ambasadorit – ministri për Punë të Jashtme i Portugalisë Augusto Santosh Sillva, sërish i transmetuar nga mediat e Bullgarisë – këtë herë nga Radioja nacionale e Bullgarisë. Sillva ka deklaruar që Portugalia do të përpiqet ta organizojë konferencën e parë ndërqeveritare dhe se hapja e negociatave me Shkupin dhe Tiranën është ndër prioritetet e kryesimit. Ka theksuar edhe diçka që mund të interpretohet në favorin tonë – që BE-ja ka vendosur shumë kërkesa për Maqedoninë e Veriut, e cila ka zbatuar shumë reforma të rëndësishme duke përfshirë edhe ndryshimin e emrit. Madje, paralajmëron që në mënyrë intensive do të bisedohet me qeveritë e të dy vendeve për t’u tejkaluar “mosmarrëveshjet”.

Ndërsa, Ministri i punëve të jashtme të Maqedonisë Bujar Osmani, në mënyrë diplomatike ka shprehur pritshmëri pozitive – se kryesimi portugez do të vazhdojë aty ku është ndalur ai gjerman. Paralajmëroi dërgim të një diplomati në Lisbonë –  hap i mirë, megjithëse pak i vonuar.

Realisht, do të jetë e vështirë të pritet lëvizje gjatë kryesimit portugez – për shkak të zgjedhjeve në Bullgari, por edhe për shkak të “mosmarrëveshjeve” të mëdha, përkatësisht të dallimeve thelbësore mes pozitave të Bullgarisë dhe të Maqedonisë. Megjithatë, për ne do të jetë kyçe që këto gjashtë muaj në vazhdimësi të bashkëpunohet në nivel politik dhe në nivel diplomatik me kryesimin e Portugalisë, me dy shtetet e treshit – Slloveninë dhe Gjermaninë, ndërsa kuptohet edhe me shtetet tjera anëtare të BE-së.

Gjatë kryesimit portugez, mund të pritet sërish në Këshillin e BE-së të aktualizohet tema: Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria – së bashku ose të ndara, duke e pasur parasysh që Shqipëria është afër plotësimit të kushteve që i janë përcaktuar për fillim të negociatave, në mars të vitit të kaluar. Gjithsesi, edhe zgjedhjet parlamentare në Shqipëri në prill të vitit 2021 do të jenë të rëndësishme për portofolin e tyre.

Është i mundshëm intensifikim i proceseve pas prillit të këtij viti, mirëpo çështja është nëse do të ketë kohë të mjaftueshme për kthim serioz në këtë temë deri në fund të qershorit.

Në fund – deshëm ose jo, për ata që më gjatë e ndjekin procesin, i pashmangshëm është asociacioni i Deklaratës së Lisbonës, me çka në vitin 1992 është kërkuar në emrin e shtetit tonë të mos figurojë “Maqedonia” për t’u njohur nga komunitetet e atëhershme evropiane. Megjithatë, figuron.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button