Përgjegjësi

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës mbrëmë në Kongresin Amerikan u përball me shumicë dominuese të pjesëtarëve të Dhomës së Përfaqësuesve të cilët votuan pro impiçmentit për të. 232 deputetë votuan për impiçmentin e Trumpit për shkak të nxitjes që ai i bëri turmës që sulmoi Kapitolin javën e kaluar. 197 deputetë votuan kundër. Mes 232 votuesve të impiçmentit janë edhe 10 deputetë republikanë në Dhomën e Përfaqësuesve të cilët e konsiderojnë sjelljen e Trumpit si të rrezikshme dhe kundërkushtetuese. Vendimi i Dhomës së Përfaqësuesve do të shqyrtohet në Senatin Amerikan ku do të sillet vendim final. Aty ky vendim duhet të marë dy të tretat e votave që të kalojë. Është proces i vështirë dhe ndoshta i pamundur, për shkak se që të kalojë ky vendim duhet 17 senatorë republikanë të votojnë pro impiçmentit të presidentit të zgjedhur nga partia e tyre.

Pavarësisht rezultatit përfundimtar, Presidenti Trump do të mbetet në histori si presidenti amerikan ndaj të cilit dy herë u inicua procedurë impiçmenti, herën e dytë vetëm disa ditë para se mandati i tij të ketë përfunduar. Dikush mund të pyesë cila është rendësia e një procedure impiçmenti disa ditë para dorrëzimit të mandatit? Rëndësia është e madhe dhe jo vetëm simbolike. Nëse impiçmenti kalon, atëherë ky do të jetë shembull i mirë për secilin president të ardhshëm se pengesa e transferit të pushtetit përmes inicimit të sulmit ndaj Kongresit është diçka tërësisht e papranueshme për një shtet si SHBA. Nëse impiçmenti kalon, atëherë të gjithë do ta kuptojnë se nuk ka rendësi cila parti politike e ka kandiduar dikë për president, dhe se po ajo parti politike mund ta dënojë të njejtin me impiçment. Nëse ky proces kalon, atëherë Trump nuk do ti gëzojë privilegjet e një ish presidenti dhe i njëjti asnjëherë më nuk do të jetë në gjendje të kandidojë për një post zyrtar. Pra rendësia e këtij impiçmenti nuk është vetëm simbolike por shumë esenciale.

Është interesante të shihet procesi i bartjes së përgjegjësisë lidhur me këtë presedan eklatant të sulmit ndaj Kongresit Amerikan që ndodhi javën e kaluar. Një javë më vonë, tani më kemi rreth 20 akuza të ngritura për krime më të imta dhe mbi 100 hetime të cilat janë ngritur për personat të cilët ishin të involvuar në atë sulm. Deri sa mblidhen të gjitha informatat e nevojshme për personat të cilët mund të akuzohen për krime të rënda kundër shtetit dhe për të cilat mund të dënohen me dënime me burg afatgjatë, paralelisht u ngrit edhe procedura për impiçment për presidentin, i cili është bartës i pozitës më të fuqishme ekzekutive në atë shtet. Pra paralelsiht udhëhiqet procedurë në të gjitha nivelet për të vendosur përgjegjësinë mbi të gjithë të involvuarit në atë që kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, e quajti “Dita e zjarrit” në Kapitol. Këtë ditë më herët e krahasuam me të enjten e përgjakshme të 27 Prillit 2017 në Maqedoninë e Veriut. Për nga mënyra e veprimit ngjashmëria është e madhe: të dy turmat sulmuan organin legjislativ të shtetit. Për nga organizimi, turma në Maqedoninë e Veriut ishte organizuar shumë më në detaje dhe duke involvuar edhe shërbime sekrete të vendeve të ndryshme. Për nga bartja e përgjegjësisë për bartësit e pushtetit, dallimet janë të mëdha. Deri sa Trump përballet me impiçment për të cilin kanë votuar edhe deputetë republikanë, në Maqedoninë e Veriut ende vazhdon gjykimi për organizatorët e sulmit terrorist të 27 prillit, në të cilin gjykim, Ivanov si president i atëhershëm i vendit nuk është i përfshirë. Pra Ivanov nuk barti asnjë lloj përgjegjësie për asnjë veprim të vetin gjatë mandatit presidencial, as për faljet që i dha në mënyrë kundërkushetetuese, as pë mosdhënien e mandatit që në mënyrë direkte inicoi 27 prillin dhe as për një sërë shkeljesh tjera ligjore për të cilat do të mbahet mend. Ai vazhdon ti gëzojë privilegjet si president i mëparshëm i këtij vendi, dhe juridikisht mandati i tij ka përfunduar në mënyrë të rregullt. Gati 4 vite pas 27 prillit të vitit 2017 ne ende nuk arritëm të vendosim përgjegjësi të plotë për sulmin më eklatant ndaj demokracisë.

Vendosja e përgjegjësisë për raste të tilla është e domosdoshme për të siguruar transfer të qetë të pushtetit pas zgjedhjeve demokratike. Vendosja e përgjegjësisë në një vend si SHBA përcakton standardet botërore në këtë drejtim. Prandaj edhe pritshmëritë për përgjegjësi lidhur me këtë rast janë shumë të larta. Ashtu si e kemi kuptuar deri tani, demokracia është sistem shumë i dobishëm por njëherit edhe shumë fragjil. Mjaftojnë disa momente që shumë gjëra të përmbyesen dhe një kohë e shkurtër që ndodhitë në një vend të fuqishëm të duken të njejta me ndodhitë në një vend të vogël dhe të parëndësishëm. Vendosja e përgjegjësisë për figuat qendrore politike të atyre vendeve e determinon qasjen ndaj sulmit ndaj demokracisë në përgjithësi.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button