“Siguria në shkollat fillore” – Përderisa Komuna e Tetovës nuk e mban premtimin, nxënësit çdo ditë rrezikohen (VIDEO)

Nga Komuna e Tetovës nuk e mbajtën premtimin e dhënë për Portalb.mk se bllokatorët të cilat parandalojnë parkimin e veturave në trotuaret përreth shkollave fillore do të vendosen në ditët e para të vitit 2021. Përderisa nxënësit rrezikojnë jetën kur shkojnë në shkollë, nga Komuna e Tetovës sot vendosën të mos përgjigjen në pyetjet e Portalb.mk për këtë.

Edukimi është e drejta themelore për të gjithë njerëzit në shekullin 21, kjo është paraparë si e tillë nga Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut në vitin 1948, e nënshkruar edhe nga RMV-ja. Kjo e drejtë, në mes të tjerash, garanton infrastrukturë të sigurt dhe humane për të gjithë nxënësit në botë.

Megjithatë, nga 8 shkolla të cilat i vizitoi gazetari i Portalb.mk, rezultoi që vetëm dy prej tyre kishin infrastrukturë të sigurt për nxënësit. Edhe atë SHF “Liria” dhe SHF “Migjeni 2”.

Në dhjetor të vitit 2020 nga Komuna e Tetovës premtuan se do të zgjidhin këtë problem, kështu duke vendosur bllokatorë të cilat parandalojnë parkimin e veturave në këto trotuare.

“Aktualisht na kanë mbaruar sasitë e materialeve që i vendosim për të bllokuar veturat nga parkimi në trotuaret përreth shkollave fillore, e kemi në plan ti vendosim edhe te disa shkolla tjera mirëpo ngelet për vitin e ardhshëm, apo në një afat prej 1 muaji, ditët e para të vitit të ardhshëm” thanë nga Komuna e Tetovës në dhjetor 2020.

Sot që flasim, këto bllokada nuk janë vendosur ndërsa nxënësit rrezikojnë jetën e tyre rrugës për në shkollë, pasi që të njëjtit, detyrohen të ecin në rrugë për shkak se trotuaret në pjesën më të madhe të rasteve janë të zëna me vetura të parkuara nga qytetarë të pandërgjegjshëm.

Kërkuam përgjigje nga Komuna e Tetovës se pse nuk janë vendosur këta bllokatorë dhe kur do të vendosën. Megjithatë, ata vendosën të mos deklarohen për Portalb.mk në lidhje me këtë problematikë, edhe pse paraprakisht kishin premtuar zgjidhjen e problemit.

Për të verifikuar (mos) vendosjen e bllokatorëve në trotuaret e këtyre shkollave fillore, sot vizituam të gjitha shkollat:

Ndërkaq nga Sektori për Punë të Brendshme (SPB) na informuan se tre vitet e fundit ka pasur rritje të butë të numrit të këmbësorëve të cilët janë lënduar nga automjetet, bëhet fjalë për gjithsej 308 këmbësorë për 4 vite.

  • 2017 –dy viktima, 67 këmbësorë me lëndime të lehta trupore, 18 këmbësorë me lëndime të rënda trupore.
  • 2018 –një viktimë, 72 këmbësorë me lëndime të lehta trupore, 18 këmbësorë me lëndime të rënda trupore.
  • 2019 –dy viktima, 74 këmbësorë me lëndime të lehta trupore, 16 këmbësorë me lëndime të rënda trupore.

Pas lajmit të Portalb.mk, u vendosën bllokada që parandalojnë parkimin e veturave përreth SHF “Istikball”

Dhjetë ditë pasi Portalb.mk informoi se nxënësit e shkollës fillore “Istikball” në Tetovë detyrohen çdo ditë të ecin në rrugë për shkak se në trotuaret rreth shkollës ka vazhdimisht vetura të parkuara, nga Komuna e Tetovës kanë vendosur bllokada për parandalimin e parkimit të veturave.

Nxënësit e SHF “Naim Frasheri”, SHF “Kirili dhe Metodi”, SHF “Migjeni 1”, SHF “Goce Delçev”, SH “Todor Sallovski” dhe SHF “Andreja Saveski Qiqish” vazhdojnë të jenë të rrezikuar çdo ditë gjatë rrugës për në shkollë. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button