NJERIU I DYZUAR

Shoqëritë e hapura, të lira dhe demokratike, i mundësojnë njeriut që të jetë vetvetja dhe të veprojë sipas vullnetit të lirë.

Sistemet e mbyllura, jodemokratike, e depersonalizojnë njeriun, e krijojnë njeriun e dyzuar, i cili ndryshe flet, ndryshe mendon dhe ndryshe vepron.

Për shoqëritë e mbyllura, ku asgjë nuk është e sinqertë dhe e vërtetë, kanë shkruar shumë mendimtarë e shkrimtarë.

Ka shkruar George Orwell-i te Ferma e kafshëve dhe 1984.

Ka shkruar Bertold Brecht-i, veçanërisht te “Masat kundër pushtetit”, një tregim nga cikli mbi zotëri Kojnerin – alter egon e autorit, nëpërmjet të cilit i shpreh mendimet e tij. (“Pasi mendimtari, zoti Kojneri, u shpreh hapur kundër Pushtetit brenda një salle të stërmbushur, vuri re se njerëzit para tij nisën të sikletoseshin dhe t’i bishtnonin. Kur ktheu kokën e pa Pushtetin pas shpinës”).

Ka shkruar Czeslaw Milosz – i  te Mendja e robëruar. Ka shkruar ai për ketmanin, mimikrinë, fshehjen e mendimeve, përshtatjen e njeriut në kohën e diktaturës apo autokracisë.

Ka shkruar Milan Kundera për humbjen e privatësisë së njeriut, pra për privaten që synon të pronësohet nga shteti.

Ka shkruar George Konrad – i te Antipolitika, ku bën dallimin ndërmjet shoqërisë së mbyllur dhe të hapur. Në shoqërinë e mbyllur njeriu nuk mund të jetë vetvetja, kurse në shoqërinë e hapur secili njeri mund të jetë disident.

Ka shkruar Daniil Kharms – i për njeriun që nuk kishte asgjë dhe për të cilin as që mund të bisedohej.

Ka shkruar Kadare veçanërisht te Pallati i ëndrrave dhe Qorrfermani.

Ka shkruar Mario Vargas Llosa te Festa e cjapit, ku flet për diktaturën në Republikën Domenikane.

Depersonalizimi i njeriut dhe fshehja e mendimeve ndodh kur politika i ngulfat autonomitë e sferave shoqërore: gjyqësinë, arsimin, kulturën, shkencën, ekonominë, shëndetësinë, sportin.

Nga kjo sëmundje ende vuajnë shtetet dhe shoqëritë post – komuniste…

Aty ku përgjegjësia qytetare është në nivele të ulëta, mimikria bëhet formë (mbi)jetese.

Aty ku për gjithçka vendos pushteti, shteti, partia; ku nuk mund të punësohesh nëse këtë nuk e aprovon autoriteti partiak; ku nuk kemi autonomi sferash shoqërore, aty ndodh depersonalizimi i njeriut.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button