NË KURTHIN E PJETËR PANIT

Natë është. Rri ulur pranë televizorit, por asnjëherë nuk rehatohem me atë që dëgjoj. Edhe dua t’i ndjek lajmet, ta di se çfarë ndodh në këtë botë të polarizuar, të shoh ndonjë emision të mirë, edhe  më hidhërojnë njerëzit e mediave kur e përdhunojnë pa mëshirë gjuhën, kohët e foljeve, trajtat e emrit, rasat dhe nuk i respektojnë rregullat e drejtshqiptimit dhe të drejtshkrimit. Shpesh gufoj sa s’këlthas kur shoh e dëgjoj si mundohen gazetarët dhe politikanët të bëhen kaubojë gjuhësorë, në vend se të bëhen të natyrshëm, të bëhen bij e bija të gjuhës së nënës. Ja një shembull i zvetënuar: NË KURTHIN E PITER PAN.   Cili shqiptar nga fshatrat, pra nga gurrat e gjuhës shqipe do të kishte thënë, ta zëmë – Në shtëpinë e Bardh Thaç? Sigurisht se jo – sepse do ta përqeshnin të gjithë. Prandaj ai do të thotë: Në shtëpinë e Bardh Thaçit. Prandaj pse s’e bëni për së mbari, pse nuk e quani emisionin NË KURTHIN E PJETËR PANIT?

Kjo vepër e Xhejms Metju Berit është përkthyer dikur në gjuhën shqipe si PJETËR PANI. Ja si është shquar mbiemri: Pani! Sepse kështu e do shqipja. Jo siç ndodh tash kur emrat e huaj nuk shquhen.  Nuk është shqipja si bullgarishtja ose si maqedonishtja të cilat i shquajnë vetëm emrat e përgjithshëm. Shqipja i shquan edhe emrat e përgjithshëm edhe emrat e përveçëm. Pa përjashtim.

Le të shtojmë se  emri Pjetër i shpërndarë anë e mbanë botës me të gjitha variantet fonetike vjen nga  greqishtja që domethënë gur, shkëmb, pra i fortë dhe i qëndrueshëm si guri. Edhe mbiemri i Pjetrit – është marrë nga perëndia e lashtësisë greke – Panit, (greq. ΠανPan). Në mitologjinë greke Pani është zot i barinjve, grigjave, pyjeve, bjeshkëve e kullotave. Pandan i Panit (nuk thuhet pandan i Pan) në Romën e lashtë ka qenë Fauni (jo – Faun). Ky zot i mitologjisë greke ka  bërë jetë gazmore nëpër pyje, si Pjetër Pani.

Autori Xhejms Metju Beri edhe emrin edhe mbiemrin e kryepersonazhit të librit të tij jo rastësisht, pra, i ka marrë nga greqishtja. Pjetrit, që është emër me prejardhje greke, francezët i thonë dhe e shkruajnë – PIERRE, gjermanët – PETER, sllavët – PETAR, anglezët – PETER (por e shqiptojnë Piter), kurse shqiptarët, (përveç fodullëve mediatikë që i thënkan Piter…) gjithmonë i kanë thënë, i thonë e do t’i thonë PJETËR.

Të parët tonë, edhe në robërinë shekullore  dhe në kushte kur shqipja mohohej e ndiqej, i kanë respektuar gjithmonë këto rregulla dhe kurrrë nuk gjendej një njeri që ta pagëzonte djalin PIERRE, PETAR ose PITER, por vetëm – PJETËR sepse secila gjuhë, edhe anglishtja edhe shqipja edhe të tjerat, i kanë veshur këtij emri të huazuar petkun e vet ortoepik. Prandaj nuk themi Shën Piter, por  Shën Pjetri. Përveç kësaj as jugu, as veriu kurrë nuk kanë thënë Milosheviç ka qenë politikan i ligë, por kanë thënë Milosheviçi ka qenë politikan i ligë. Gjithashtu askujt s’i shkon mendja të thotë San Paolo është arkengjëll, por Shën Pali është arkengjëll. Ose: Pse Pjetër Bogdanit nuk i themi Piter Bogdan, Faik Konicës – Faik Konic, Sandër Frangajt, Sandër Frang? Nuk u themi se nuk do të ishte shqip.  Mirëpo fodullët mediatikë e politkë shqiptarë gjithandej  as pesë para nuk japin për gjuhën e pastër. Tallen me gjuhën tonë. Nuk pyesin as për kral e as për mbret. Ata bëjnë çka duan vetë. Vuajnë, si dNuk na uket, nga kompleksi i inferioritetit.

Çfarë zvetënimi! Fjalën e parë në rasën kallëzore e shkruajnë ose e thonë drejt, kurse të dytën, rasën gjinore – e zvetënojnë, e përdhunojnë, për t’i bërë qejfin emrit joshqiptar ose dallkaukllëkut që bredh nëpër redaksitë tona. Pse? Sepse kanë nisur të ndjehen pronarë të shpirtit tonë dhe ndoshta mendojnë se kështu ua bëjnë qejfin të huajve. Sido që të jetë – mirë nuk është.

Udhëheqësja e emisionit NË KURTHIN E PITER PAN me bukurinë e saj fizike mundohet ta mbulojë shëmtinë gjuhësore mediatike. Sa keq! Ku janë ata që rrinë nëpër kolltuqet e akademive të shkencave që nuk bëjnë zë?! Pse nuk kërkojnë të zbatohet Ligji për mbrojtjen e gjuhës shqipe?! Pse nuk i mbrojnë fëmijët nga ndotjet e këtilla gjuhësore? A nuk e dinë ata se nuk lejohet të prekë kush si ka dëshirë në rregullat e gjuhës sonë, sepse shenjtëria më e madhe për ne shqiptarët është GJUHA SHQIPE. Gjuha shqipe nuk mund të jetë mall i tregut  të ashtuquajtur të lirë, siç nuk mund të jetë, ta zëmë mall i këtillë as emri i Skënderbeut.

Vallë askush nga gjithë ekipi i këtij emisioni dhe i të gjitha emisioneve nëpër televizionet e gazetat, nëpër portale e revista, nuk ditka gjë për këto shtrembërime? A thua s’i kanë mësuar këto gjera që duhet t’i dinë fëmijët në klasën e katërt fillore? S’mund të jemi indiferentë fare me shkeljen e turpshme të rasës gjinore, të rasave të tjera, të trajtave etj.? Ç’i shtyn këta redaktorë e lektorë të lejojnë mospërdorimin e drejtë  të rasës gjinore cila  detyrimisht duhet të shkruhet e të përdoret gojarisht siç e kërkojnë rregullat tona gramatikore?! Pra duhet të reagojmë e të themi të përmirësohet gabimi e të shkruhet e të thuhet NË KURTHIN E PJETËR PANIT e kurrsesi NË KURTHIN E PITER PAN, sepse të folurit e të shkruarit në këtë mënyrë është fyerje për gjuhën Buzukut e të De Radës.

Kush vallë u ka dhënë leje mediave të sillen kështu keq me gjuhën? Si tolerohen ato të sillen kështu papërgjegjshëm? Fatkeqësisht kështu veprojnë edhe shumë politikanë, të cilët. Tash besa nuk janë të pakët edhe arsimtarët që e ndjekin shembullin e keq, të vrazhdë, të mediave të cilat e rrënojnë gjuhën shqipe, shtyllën më të fortë të identitetit tonë?

Kur flasim për veprën e Berit, duhet të themi se shumë personazhe na libri i tij duhet të përshtaten mirë për lexuesin shqiptar sepse në “botën” e Pjetër Panit heronjtë kanë karakteristika të jashtëzakonshme.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button