Pasi nuk arriti ta bëjë kryeministër, BDI-ja propozon që Ziberi të bëhet Avokat i Popullit

Me propozim të BDI-së, Komisioni për Zgjedhje dhe Emërime me 7 vota “për” e konfirmoi propozimin që Naser Ziberi të jetë kandidat për Avokat të Popullit, njofton Portalb.mk.

Deputetja e BDI-së, Teuta Bilali Zendeli, propozoi që Ziberi të jetë kandidat, ndërkaq për këtë reagoi grupi i deputetëve të Aleancës për Shqiptarët.

Surija Rashidi nga ASH-ja kërkoi që të ndalohet procedura për zgjedhje të Avokatit të Popullit dhe të diskutohet për kandidat, i cili do të propozohej nga partitë e opozitës shqiptare. Nga Alternativa thonë se BDI-ja ia ka premtuar këtë post Ziberit.

Ndryshe, Naser Ziberi, së fundi u rikthye në skenën politike, pasi që kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti e publikoi si kandidat për kryeministër shqiptarzgjedhjet e fundit parlamentare të 15 korrikut.

Vetëm disa ditë më herët në prononcime për media, Ziberi idenë e BDI-së për kryeministër shqiptar e kishte vlerësuar si propagandë partiake dhe joatraktive sidomos për votuesit shqiptar. Ai kishte thënë se kjo është e realizueshme vetëm në sajë të një marrëveshje me partitë e tjera, të cilën, në këtë rast, BDI-ja nuk e ka.

Por, Ziberi ndryshoi qëndrim pasi u bë kandidat për kryeministër. Ai tha se oferta e BDI-së e ka befasuar për të mirë. Sipas tij, kjo është historike për vendin pasi shqiptarët kanë kthyer besimin në institucione dhe kanë filluar të ëndërrojnë.

Megjithatë, pavarësisht premtimit, Ziberi nuk u bë kryeministër. BDI-ja arriti marrëveshje koalicionuese me LSDM-në, që të ketë kryeministër në 100 ditët e fundit, por emri i Ziberit nuk u përmend.

Kryetari i BDI-së, pasi i propozoi emrat e kabinetit të ri qeveritar, tha: Naser Ziberi, kontribuoi shumë në këtë sukses historik dhe me siguri që do të marrë përgjegjësi partiak në shërbim të qytetarëve. Ziberi është noter dhe ai vazhdon veprimtarin e tij deri në një moment kur të dakordohemi për ndonjë përgjegjësi të rëndësishme, që ka të bëjë me profesionin e tij.

Naser Ziberi ka lindur në vitin 1961 në fshatin Llaskarcë të Shkupit, komuna e Sarajit. Ai ka përfunduar Fakultetin Juridik dhe aktualisht ushtron profesionin e noterit. Ziberi në të kaluarën ka qenë funksionarë i lartë i PPD-së. Tre herë është zgjedhur për deputet, në zgjedhjet 1990, 1994 dhe 1998. Në periudhën 1996-98 ka qenë ministër i Punës dhe Politikës Sociale, si dhe zëvendëskryeministër i Maqedonisë së Veriut.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button