Ende s’kanë kaluar 6 muaj nga zgjedhjet e fundit që u harxhuan 8 milionë euro, Mickoski sërish kërkon zgjedhje të reja

Ende nuk kanë kaluar 6 muaj prej zgjedhjeve të fundit parlamentare dhe 5 muaj nga formimi i qeverisë së re, opozita maqedonase VMRO-DPMNE propozon që të mbahen zgjedhje të reja, pavarësisht se vendi po përballet me krizën COVID-19 sikur e gjithë bota dhe rrjedhimisht me këtë ka krizë financiare dhe shëndetësore. Zgjedhjet e fundit, të cilat gjithashtu ishin të parakohshme, u mbajtën në mes të pandemisë dhe për të njëjtat u harxhuan hiç më pak se 8 milionë euro – para të qytetarëve, shkruan Portalb.mk.

Lideri i opozitës maqedonase, Hristijan Mickoski në një intervistë për Netpress, propozon që me zgjedhjet lokale të cilat parashihen të mbahen në tetor të mbahen edhe zgjedhje të reja parlamentare.

“Të provojmë që në zgjedhjet lokale në vjeshtë të organizojmë njëkohësisht edhe zgjedhje parlamentare. Ky është testi më i mirë që Zoran Zaev të tregojë se atë që e thotë është me të vërtetë ashtu. Paraprakisht ka thënë se LSDM ka përparësi prej 6%, më pas doli ai televizioni që i barazoi të dy partitë sipas rejtingut, edhe pse unë personalisht isha i devalvuar dhe i vendosur në margjinat e arenës politike në Maqedoni. Megjithatë, Zaev thotë se ka përparësi prej 4%”, thotë Mickoski duke i komentuar anketat të cilat e nxjerrin në përparësi partinë aktuale në pushtet, duke shtuar se ajo duhet të dëshmohet në zgjedhje.

Nga ana tjetër, kryeministri Zoran Zaev, e ka hedhur poshtë mundësinë për zgjedhje të parakohshme, pasi që sipas tij asgjë nuk do të ndryshonte.

“Dhashë fjalë se do të ketë zgjedhje të rregullta, fjala është fjalë. Zgjedhje do të ketë në vitin 2024, kur janë edhe ato presidenciale. Deri atëherë, ti përveshim mëngët dhe ta zbatojmë atë që e kemi premtuar”, tha Zaev.

Maqedonia e Veriut që nga pavarësia e saj, deri në vitin 2006 ka mbajtur zgjedhje të rregullta, ndërkaq prej atëherë deri më tani vendi ka ndërruar 5 qeveri, gjegjësisht, zgjedhje të parakohshme janë mbajtur në vitin 2008, 2011, 2014, 2016 dhe në vitin 2020. Të gjitha këto zgjedhje, për luks të politikës, i kanë paguar qytetarët, pavarësisht se jemi shtet i vogël dhe i varfër.

zgjedhjet e fundit parlamentare u harxhuan 8 milionë euro për organizimin dhe mbajtjen e tyre. Vetëm në dy palë zgjedhjet e fundit të parakohshme parlamentare, të vitit 2016 dhe 2020, qytetarët kanë paguar 15 milionë euro që partitë të reklamohen nëpër televizione, të bartin njerëz prej qyteti e në qytet për tubime zgjedhore, të ngjisin pankarta nëpër çdo cep të qytetit e të bllokohet çdo institucion e çdo aktivitet në vend sepse vendi është në “muajt e shenjtë para ditës festive të zgjedhjeve”. Partitë vetëm në 3 vitet e fundit ua morën qytetarëve 8 milionë euro dhe me ata para u reklamuan nëpër media që t’u tregojnë atyre se “sa të mirë janë”.

Zgjedhjet lokale pritet të mbahen në tetor, të cilat gjithashtu do të kenë çmim prej disa miliona eurosh në këtë periudhë kur ekonomia e vendit, ashtu sikur qytetarët duhet të “vaksinohet” nga pandemia e COVID-19.

E derisa shteti ynë derdh para për zgjedhje, vlerësimet që dominojnë te biznesmenët nga Oda Ekonomike e Maqedonisë janë se “kriza nuk do të përfundojë së shpejti dhe do të zgjasë”. Analiza kushtuar “Periudhës Postkovid” thotë se rimëkëmbja do të vijë, por se cenueshmëria e sektorit privat do të mbizotërojë në vitin e ri 2021.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button