Ministri i jashtëm portugez: Negociatat me Shkupin dhe Tiranën mes prioriteteve të presidencës sonë
Portugalia do të përpiqet të organizojë konferencat e para ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në gjysmën e parë të vitit, tha ministri i Jashtëm portugez Augusto Santos Silva, vendi i të cilit mori presidencën e radhës të BE-së më 1 janar të këtij viti, njofton Portalb.mk.
Siç raporton Radioja nacionale bullgare, Silva në një brifing online, theksoi se hapja e bisedimeve të pranimit me Shkupin dhe Tiranën është midis përparësive të presidencës Portugeze.
Ai theksoi se BE-ja deri më tani i ka dërguar shumë kërkesa Maqedonisë së Veriut, vendi ka zbatuar një numër reformash të rëndësishme dhe madje ka ndryshuar emrin.
“Ata e kanë kryer punën e tyre. Tani është koha që ne ta përfundojmë tonën”, u shpreh Silva.
Ai gjithashtu njoftoi se presidenca portugeze përmes bisedimeve me të dyja palët do të kërkojë të kapërcejë keqkuptimet midis Sofjes dhe Shkupit.
“Tani kemi një situatë të re – çështjet e ngritura nga Bullgaria. Qëllimi im është të bisedoj intensivisht me qeveritë e Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Sepse është shumë e rëndësishme t’i dëgjoni me kujdes argumentet e palës tjetër. Kur të bëhet kjo, lehtësisht mund të kuptohet se ekziston një bazë e përbashkët për të punuar”, deklaroi shefi i diplomacisë portugeze.
Por, ndryshe nga ministri i Punëve të Jashtme i Portugalisë, është shprehur ambasadori i tyre në Bashkimin Evropian, Nuno Brito. Ai deklaroi se Lisbona zyrtare do të jetë e kujdesshme në çështjen e zgjerimit të Bashkimit Evropian. I pyetur se si e vlerëson sjelljen e Bullgarisë, e cila me veton e saj bllokoi fillimin e bisedimeve të pranimit me Maqedoninë e Veriut, ambasadori Brito, u përgjigj se “nuk është në rregull të akuzohet Bullgaria për pengimin e procesit, sepse pikërisht ai shtet është një nga mbështetësit më të fortë të zgjerimit të BE-së “.
Ai theksoi se presidenca portugeze, e cila kryeson Këshillin e BE-së në gjashtë muajt e parë të 2021, nuk do të nxitojë dhe t’i propozojë konkluzionet e reja të Këshillit të BE-së mbi zgjerimin.
“Nevojitet unanimitet për sjelljen e vendimeve në këtë fushë, ndërsa diskutimi mbi zgjerimin vazhdon në një nivel të lartë politik,” tha ambasadori portugez në BE Nuno Brito.
Fokusi i presidencës portugeze në këtë mandat, siç njoftoi Brito, do të jetë përmirësimi i marrëdhënieve me Afrikën dhe hartimi i rregullave të reja të migrimit në BE.
Sipas tij, nga Portugalia gjithashtu mund të pritet të vazhdojë përpjekjet e filluara nën presidencën gjermane dhe që lidhen me miratimin e buxhetit të ri evropian, rimëkëmbjen ekonomike nga pandemia, si dhe aktivitetet e përbashkëta të vendeve të BE-së për të kontrolluar përhapjen e koronavirusit.
Ndër qëllimet e tjera të Lisbonës, ambasadori përmendi digjitalizimin dhe mbrojtjen e mjedisit jetësor.
Pra ambasadori portugez i BE-së, askund nuk e përmendi çështjen e zgjerimit, për dallim nga ministri i Punëve të Jashtme i Portugalisë.
Nga ana tjetër zëvendës Kryeministri për Çështjet Evropiane Nikolla Dimitrov sot në një intervistë për MIA-n, tha se Portugalia do të jetë e interesuar të vazhdojë përpjekjet e Gjermanisë, por gjithashtu se Bashkimi Evropian nuk mund të lejojë luks edhe këtë vit siç bëri në vitin 2020, me një dështimin e zgjerimit.
Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Tito. Paraprakisht, në një dokument gjashtë faqe, me arsyetime të gjata historike për “ideologji shtetërore antibullgare” në Maqedoninë e Veriut, Bullgaria u dërgoi memorandum sqarues vendeve anëtare të BE-së në prag të vendimit për fillimin e negociatave me Unionin.
Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedono – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.
Krerët e Maqedonisë së Veriut, megjithëse tentuan të zbusin tensionet, sërish u shprehën se nuk do të negociojnë për identitetin e tyre, pasi kjo bie ndesh me parimet themelore të vetë-përcaktimit dhe standardeve të BE-së.
Përfundimisht nga agjenda e Këshillit Evropian u hoqën edhe konkluzat për Ballkanin Perendimor më 18 dhjetor, pasi nuk kishte unanimitet te antarët e Bashkimit Evropian.
Ndërkohë viti 2020 shihej më shumë optimist për eurointegrimet, pasi BE-ja kryesohej nga Gjermania, e cila dukej shumë e përkushtuar për zgjerimin e BE-së dhe fillim të negociatave me Maqedoninë. Përpjekjet për “bindur” Bullgarinë ranë në ujë dhe procesi integrues është shtyrë për vitin 2021. Ndërkohë gjysma e parë e vitit 2021 është nën presidencën portugeze, e cila karakterizohet si me më pak interes për zgjerimin, kurse Bullgaria ka zgjedhje në mars, kështu që me gjasë vendimi pritet të shtyhet deri në gjysmën e dytë të vitit 2021, gjë që shkakton shqetësim te shumica e vendeve anëtare lidhur me mirëmbajtjen e kursit të reformës në Maqedoninë e Veriut.
- LEXO: Dimitrov: BE-ja nuk mund të lejojë edhe një dështim në procesin e zgjerimit këtë vit
- LEXO: Portugalia vlerëson se Bullgaria nuk e pengon zgjerimin e BE-së
- LEXO: Bujar Osmani: Portugalia ka qëllime serioze të vazhdojë aty ku mbeti presidenca gjermane
- LEXO: 2020-ta shpresë dhe zhgënjim, si filloi dhe ku stagnoi rrugëtimi i RMV-së në BE
- LEXO: Heiko Maas: Gjermania nuk do të heqë dorë nga gjetja e zgjidhjes për mosmarrëveshjen midis Shkupit dhe Sofjes
- LEXO: Hulumtim: Qytetarët e duan BE-në, por vlerësojnë se qasja e saj kundrejt RMV-së është jokorrekte, shantazhuese dhe arrogante
- LEXO: Planet e BE-së për vitin 2021– ambicie me vëmendje
- LEXO: Mesazhi i kryeministrit Zaev pas vetos bullgare (VIDEO)
LEXO: MPJ-ja e Bullgarisë: Vetoja e Çekisë dhe Sllovakisë dëmton kredibilitetin e BE-së - LEXO: Republika Çeke dhe Sllovakia i vendosin “veto” propozimeve të Gjermanisë, nuk pranojnë termin “keqinterpretim i historisë”
- LEXO: Bullgaria konfirmoi veton, Qeveria e RMV-së: U tradhtuan vlerat evropiane dhe pritjet e qytetarëve tanë
- LEXO: Bullgaria kërkon që në konkludimet për Maqedoninë e Veriut të përfshihet edhe fjalia “interpretim i gabuar i historisë”
- LEXO: Zaharieva tha se nuk do të ketë “po” nga Bullgaria për RMV-në pa përfshirjen e garancive në kornizën negocieuese
- LEXO: Bullgaria me tri kushte për kornizën negociuese për Maqedoninë e Veriut
- LEXO: Takimi në Berlin me Dimitrovin, Osmanin dhe Zaharievën ka zgjatur pesë orë, Zaharieva: Nuk jemi në gjendje të miratojmë kornizën për MV