Për hekurudhën në RMV, 2020 shkoi huq, në vitin e ardhshëm pritet mos të ketë prolongim të projekteve

Për zhvillimin e infrastrukturës hekurudhore dhe transportin në vend, viti i kaluar ishte periudhë që e karakterizuan shumë ngjarje negative dhe shumë pak pozitive. Me të drejtë mund të konstatohet se viti 2020 ishte vit që shkoi huq për hekurudhën nëse merret parasysh fakti që u ndërpre ndërtimi i vijës hekurudhore Kumanovë-Beljakovcë, si faza e parë e Korridorit 8 drejt Bullgarisë, është anuluar tenderi për përzgjedhje të realizuesit për vijën hekurudhore Beljakovcë deri në Kriva Pallankë, kurse as nuk është përfunduar në tërësi remonti i segmentit hekurudhor nga Negotina deri Nogaevci të Korridorit hekurudhor 10, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Përshtypja e përgjithshme është që edhe autoritetet shtetërore si dhe vetëqeverisja lokale, bashkë me shprehitë transportuese të qytetarëve janë shumë të orientuara drejt zhvillimit të infrastrukturës rrugore, duke mos i dëgjuar paralajmërimet e ekspertëve dhe kritikat që vijnë çdo ditë nga Bashkimi Evropian për vonesën e projekteve për infrastrukturën hekurudhore, veçanërisht në pjesën e segmentit drejt Bullgarisë.

Projektet që lidhen me Bullgarinë

Pas dështimit të plotë për t’u respektuar afatet e përcaktuara në pjesën e lidhjes hekurudhore me Bullgarinë, qeveria tani nëpërmjet ministrit të ri për Transport dhe Lidhje, Bllagoj Boçvarski premton që për vijën hekurudhore të Korridorit 8 në vitin 2021, është projektuar të investohen 1,8 miliardë denarë.

Hekurudha Kumanovë-Beljakovcë, foto Bojan Bllazhevski
Hekurudha Kumanovë-Beljakovcë, foto Bojan Bllazhevski

Risi në premtimet e fundit qeveritare janë shkrirja e dy fazave ndërmjet Kumanovës dhe Kriva Pallankës në një tender, që do të thotë se kompania e ardhshme ndërtimore që duhet të përzgjidhet këtë vit, duhet të punojë nga Kumanova deri në Kriva Pallankë në gjatësi prej 64,7 kilometra. Në fakt, këto dy faza do të nënkuptojnë përfundim të gjithë asaj që është filluar si punë ndërtimore nga fillimi i viteve të 90-ta për shekullin e kaluar deri sot, siç janë tunele, ura dhe trase hekurudhore ndërmjet dy qyteteve.

Duke vlerësuar në bazë të kritikave që arritën në Raportin e Komisionit Evropian për progresin e vendit drejt BE-së, Qeveria e RMV-së këtë vit do të duhet seriozisht të merret me realizimin e punëve ndërtimore në terren. Qeveria ka fituar mjete të pakthyeshme financiare për këtë projekt kapital, si për asnjë projekt tjetër, nga BE-ja në shumë prej 130 milionë eurove, dhe për këtë BE pret rezultate konkrete. Për drejtor të ri të Ndërmarrjes Publike për Infrastrukturë Hekurudhore “Hekurudhat e RMV-së” vitin e kaluar u emërua Hari Llokvenec, kuadër i LSDM-së, nga i cili pritet që këtë projekt ta shndërrojë në prioritar.

Nga Ministria për Transport dhe Lidhje për “Meta.mk” informojnë se përgatitja e dokumentacionit të tenderit për:
Seksionin 1: Kumanovë – Beljakovcë
dhe për
Seksionin 2: Beljakovcë – Kriva Pallankë është në fazë përfundimtare të përpunimit.

Dokumentacioni i tenderit në platformën elektronike të Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh) pritet të publikohet deri në fund të muajit janar të vitit 2021.

“Procedura për zgjedhjen e realizuesit të punëve do të zbatohet në dy faza, parakualifikim dhe kualifikim. Afati për realizimin e këtyre fazave, duke e përfshirë edhe periudhën e nevojshme për vlerësim të dokumenteve të parashtruara nga ana e pjesëmarrësve, në pajtim me rregullat e BERZH dhe përvojën pozitive për projekte të këtij lloji zakonisht zgjat deri në 9 muaj”, thonë nga Ministria për Transport dhe Lidhje.

Qeveria në vitin 2021 duhet të punojë edhe në drejtim të konstruksionit financiar për fazën e tretë të projektit për ndërtim të vijës hekurudhore drejt Bullgarisë, për seksionin nga Kriva Pallanka deri në kalimin kufitar Deve Bair. Nga rreth 600 milionë euro që do ta kushtojë vendin lidhja hekurudhore me Bullgarinë, më tepër se gjysma e mjeteve duhet të dedikohen pikërisht për ndërtim të fazës së tretë që ka më së shumti tunele dhe ura në trasenë, ndërsa deri tani si mjete të pakthyeshme nga BE për këtë janë siguruar 60 milionë euro.

“Lidhur me fazën e tretë nga Kriva Pallanka deri në Deve Bair, interes për pjesëmarrje në projekt kanë shprehur BERZH dhe Banka Evropiane për Investim (BEI) , ndërsa pjesa tjetër do të financohet nëpërmjet IPA 2 Instrumentit të BE-së për çka tani më janë siguruar 60 milionë euro”, informojnë nga Ministria për Transport dhe Lidhje.

Foto ilustrim-Korridori 8

Projekti për lidhje me Shqipërinë

Sigurimi i mjeteve financiare për përfundim të Korridorit 8 do të jetë sfidë për qeverisë edhe në pjesën e vijës hekurudhore nga Kërçova deri në kufirin Maqedoni-Shqipëri, për çka gjithashtu në vitin 2021 do të duhet të kërkohen mjete jashtë vendit.

Vija hekurudhore Negotinë-Nogaevci

Ndër projektet që zvarriten është edhe përfundimi i rikonstruimit të vijës hekurudhore Negotinë-Nogaevci, me gjatësi prej 31 kilometrave, që si intervenim ndërtimor i financuar nga BERZH, zgjatë 7 vite të plota.

Projekti për lidhje me Serbinë

Në Korridorin 10, këtë vit duhet të fillojë ndërtimi i vendkalimit të përbashkët kufitar mes Maqedonisë dhe Serbisë në Tabanovcë, për të cilin në vitin 2020 është kompletuar dokumentacioni i projektit dhe janë kërkuar mjetet e domosdoshme prej 5,2 milionë euro. Objekti i ardhshëm deri në stacionin hekurudhor Tabanovcë do të shtrihet në sipërfaqe prej 2.500 metrave katrorë ndërsа puna e shërbimeve policore, doganore dhe fitosanitare nga të dy shtetet në një vend duhet ta përshpejtojë qarkullimin e mallrave dhe udhëtarëve në Korridorin hekurudhor 10.

Vija hekurudhore me Greqinë

Në degën D të Korridorit 10, në vitin 2021 pritet që përfundimisht të lëshohet në funksion vija hekurudhore nga Manastiri në Mexhitlija, ndërtimi i të cilës ka vite që ka përfunduar, mirëpo pritet lëshimi formal në përdorim. Në funksion të kësaj, është e domosdoshme të nënshkruhet Marrëveshja për bashkëpunim ndërkufitar në sektorin hekurudhor me Greqinë, që është në procedurë të harmonizimit ndërmjet dy vendeve.
Vija hekurudhore ndërmjet Manastirit dhe Mexhitlisë do t’u mundësojë kompanive nga Rajoni i Pellagonisë të eksportojnë dhe të importojnë mallra me tren nëpërmjet portit në Selanik, ndërsa për shtetin, kjo ndarje e Korridorit 10 është më se e nevojshme si trase alternative për transport të mallrave dhe pasagjerëve drejt Greqisë në rast të mbylljes së vijës hekurudhore nga Velesi deri në Selanik për çfarëdo arsye.

Korridori 10
Korridori 10

Lidhur me transportin hekurudhor, viti 2021 do të jetë kritik për Hekurudhat e RMV-transport.

Kryeministri Zoran Zaev vjeshtën e kaluar paralajmëroi që kjo shoqëri aksionare do në pronësi shtetërore do të shitet. Përndryshe, vitin e kaluar është përpunuar Studim për biznes segmentimin e Hekurudhave të RMV-Transport nga shtëpia italiane për konsultime “Pricewaterhouse Coopers Advisory S.rl“. Qeveria në muajt e ardhshëm duhet të saktësojë si do të zhvillohen reformat në “Hekurudhat e RMV-Transport”, që për momentin është kompania me humbjet më të mëdha me borxhe prej disa milionëshe, mirëpo njëkohësisht e posedon edhe monopolin shtetëror në transport të mallrave dhe udhëtarëve në komunikacionin hekurudhor edhe atë si rasti i vetëm i këtillë në gjithë Korridorin 10.

Hekurudha drejt Aeroportit Ndërkombëtar të Shkupit

Në 12 muajt e ardhshëm, nga Qeveria e RMV-së pritet që të gjejë mjete financiare për përgatitje të dokumentacionit teknik të projektit për ndërtim të një dege hekurudhore drejt Aeroportit ndërkombëtar të Shkupit. Kjo linjë është pjesë e projektit më vëllimor për përfshirje të hekurudhës periferike-urbane në Shkup, që e përfshin edhe degën nga Zelenikova deri në Qendrën Transportuese. Meqë ky projekt kapital për kryeqytetin është premtuar edhe në programin e ri qeveritar për punë deri në vitin 2024, pritjet janë që këtë vit të gjenden së paku mjetet për përgatitje të dokumentacionit, në bazë të cilës në të ardhmen mund të kërkohen financa për përfshirje të hekurudhës periferike-urbane në Shkup, sipas shembullit kryeqyteteve të rajonit Zagrebi dhe Beogradi.

Përndryshe, qeveria e Maqedonisë sivjet ka siguruar 400 milionë denarë për realizim të obligimeve për transport të udhëtarëve nga ana e “Hekurudha të RMV-Transport”, me të cilat pjesërisht do të mbulohen humbjet e transportit hekurudhor të udhëtarëve në vend. Situata, së paku në pjesën e trenave për pasagjerë, nuk pritet të jetë aspak më e mirë nga viti 2020 – numër i vogël i trenave që tërheqin shifër minimale të udhëtarëve që e përdorin këtë mjete transporti.

Viti i kaluar duhet të shënohet edhe për numrin e vogël të gjërave pozitive – në fillim të vitit 2020 arritën lokomotivat e reja elektrike për Hekurudhat e RMV-Transporti, ndërsa ndërmarrja publike për infrastrukturë hekurudhore arriti të bëjë rindërtimin e stacioneve hekurudhore në Tetovë dhe Gjevgjeli, si dhe ta zgjidhë problemin me hidroizolimin në stacionin hekurudhor të Shkupit. Intervenime të këtilla të ngjashme të shkallës më të ulët priten edhe në vitin 2021, veçanërisht në pjesën e rinovimit të stacioneve tjera më të mëdha hekurudhore në Korridorin 8 – Gostivar dhe Kërçovë.

Stacioni i rinovuar i hekurudhave, Tetovë.
Stacioni i rinovuar i hekurudhave, Tetovë.

Ajo që duhet të konstatohet është që në 12 muajt e ardhshëm duhet të kompensohet gjithë ajo që është ndërprerë, që është prolonguar ose nuk është filluar si projekte nga infrastruktura hekurudhore dhe transporti në vitin 2020. Ky lloj transporti me dekada në vendin tonë është lënë në margjinat në krahasim me komunikacionin rrugor, megjithëse vend i vogël kontinental sikur vendi ynë, pa dalje në det, është shumë me rëndësi të ketë transport të zhvilluar dhe funksional hekurudhor me të gjithë fqinjët.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button