Kosova ka siguruar vaksina kundër koronavirusit, pritet të arrijnë në muajin shkurt

Kosova ka siguruar vaksina kundër koronavirusit, të cilat do të arrijnë në muajin shkurt, ndërsa prioritet do të kenë punonjësit shëndetësorë, personat mbi 65 vjet si dhe personat me rrezikshmëri të lartë, informoi kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti gjatë një konference për media së bashku me ministrin e Shëndetësisë Armend Zemaj dhe drejtorin e IKSHPK-së Naser Ramadan, njofton Portalb.mk.

Hoti gjithashtu tha se do të miratohet edhe strategjia e imunizimit kundër Covid-19, e cila fillimisht duhet të kalojë në komitetin e imunizimit dhe pastaj do të shkojë edhe në Qeveri dhe me të cilën do përcaktohen qartë prioritetet e vaksinimit.

“Strategjia parasheh në detaje veprimet konkrete që janë ndërmarrë, do të bëhen publike listat me emrat e qytetarëve që janë vaksinuar. Kapaciteti ditor është që të vaksinohen rreth 20 mijë qytetarë brenda ditës dhe kjo na jep komoditet që të vaksinojmë pjesë të konsiderueshme të qytetarëve brenda kohës. Nga Pfizer janë 535 mijë vaksina, me Austrinë për 600 mijë vaksina, 720 mijë vaksina nga Covaks. Kemi siguruar edhe buxhetin, ku janë ndarë 40 mijë euro për vaksinat anti-Covid19. Presim që vaksinat e para të vijnë në shkurt”, u shpreh Hoti.

Ndërkohë Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj u shpreh se nga sistemi  Covaks do të marrin vaksina falas rreth 360 mijë qytetarë.

“Dje kemi marrë konfirmimin nga kompania Pfizer për 500 mijë vaksina, të cilat në Kosovë do të arrijnë në muajin shkurt”, deklaroi Zemaj dhe shtoi kanë arritur të sigurojnë edhe vaksinat për gripin sezonal.

Nga ana tjetër drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, Naser Ramadani foli për procedurat që do të ndjekin për vaksinimin e qytetarëve, duke shtuar se në grupin që duhet të vaksinohen do të jenë edhe policia dhe ushtria.

Ndërkohë, pesë ditë më parë Kryeminstri i Shqipërisë, Edi Rama, teksa njoftoi se Shqipëria ka siguruar 500,000 doza të vaksinës anti-COVID-19, nga kompania farmaceutike amerikane Pfizer, deklaroi se një sasi prej tyre do t’i jepen Kosovës, për vaksinim të punonjësve shëndetësorë.

“Kosovës do t’i dhurojmë një sasi për vaksinimin e bluzave të bardha të spitalit COVID të Prishtinës, në mënyrë që heronjtë e vijës së zjarrit në Kosovë ta nisin vaksinimin në të njëjtën kohë me heronjtë tanë”, tha Rama.

Ai tutje shtoi se u ka kërkuar zyrtarëve të Ministrisë së Shëndetësisë në Shqipëri të kontaktojnë homologët e tyre nga Kosova.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button