POEMË E PANJOHUR PËR SHQIPTARËT

Poeti dhe veprimtari Arsenij Tanaskov Jovkov (1882 – 1924) ka lënë në dorëshkrim poemën “Miqtë” nga cikli “Legjendat shqiptare”. Poemën e kishte përfunduar më 21 tetor 1904 derisa ishte në Varna.

Në parathënien e kësaj poeme të pabotuar ai shkruan me dashamirësi për shqiptarët dhe traditat e tyre. Shqiptarët, sipas tij, ishin popull me tolerancë fetare, që e çmonin shumë edhe trimërinë e popujve të tjerë. Te shqiptarët e çmon ndershmërinë, kodet fisnore dhe respektin për mikun.

“Mund të thuhet se jeta e shqiptarëve njihet shumë pak. Shtypi ditor shkruan vetëm kur flitet për politikë. Secili që dëshiron ta kuptojë karakterin dhe mënyrën e jetesës së këtij populli gjendet përballë mjegullës së errët që e fsheh të kaluarën dhe të tashmen. Ndonëse banon në një pjesë të madhe të gadishullit sërish e kemi të vështirë që ta njohim fqinjin tonë. Kjo ndodh sepse shkëmbinjtë e Shqipërisë ende nuk duan të dëgjojnë për avullin dhe lokomotivën, kurse shqiptari i rritur mes natyrës së ashpër e ka mbivendosur lirinë e tij të paprekshme mbi çdo rregull jete. I vrullshëm dhe hakmarrës, i egër dhe i ashpër, siç dëgjojmë të thuhet çdo ditë, ky komb ka cilësi që t’i çmojë nocionet e ndershmërisë, besnikërisë dhe mikpritjes si në asnjë vend tjetër dhe më me rëndësi është se ky komb ka poezi të mrekullueshme e madhështore si shkëmbinjtë e Sharrit dhe të stuhishme e të shumanshme si gjiri i Drinit”, shkruan në parathënie.

Jovkovi kishte jetuar shumë kohë “si shqiptar”, kishte “festuar në kullat e tyre” dhe ishte mahnitur nga arti popullor.

“Autori i kësaj poezie, i cili jetoi si shqiptar dhe festoi në kullat e tyre, nuk kishte si të mos mahnitej nga poezia e tyre, fryt i së cilës është poema aktuale, por gjuha bullgare nuk lejon të imitohen vetitë e kësaj poezie. Përkundrazi, e kam shkruar në frymën e këngëve tona popullore, por pa e dëmtuar tonin e saj në shqip. Që të mos ketë paqartësi, atë e kam shoqëruar me shënime të shkurtra shpjeguese”.

Jovkov e përshkruan poetikisht jetën e një familje shqiptare në Malësi. Në “konakun e besës” janë mbledhur 200 burra nga 20 kulla. Ata janë trima të zgjedhur, luftëtarë sypatrembur, veshur me fustanella, armatosur me martina laramane, adhurues të muzikës, veçanërisht të daulleve. (“Qan tambura dhe një mik i vjetër qan”) Këta burra prekin edhe koburet prej sermi teksa hëna shkëlqimtare shuhet ngadalë dhe fshihet nëpër mjegullën e zezë. Delisë ia kanë vrarë vëllain. Përkundër dhimbjes shqiptari krenar dëshiron që miqtë e tij të ndjehen të lirë, të argëtohen, si në kohë të shkuara, si në kohë pa trazime. Ua bën atyre të gjithë nderet para se t’i sulmojnë konakët e pashait. Aty është edhe nëna shqiptare, që pret birin me vite, derisa ai kthehet me “kaurkën e bukur”, të dashurën e tij. “Bie tupani në qytet të Dibrës dhe turqizohet kaurka e re”. Kjo martesë është fryt i dashurisë ndërmjet dy të rinjve.

Autori nuk mashtrohet nga stereotipat për shqiptarët, sepse ka jetuar në mesin e tyre. Shqiptarët sipas tij kanë një ideal kombëtar. Për shqiptarin “kush bën plaçkitje vetëm për raki, ai shet lirë pushkë e allti”.

Arsenij Tanaskov Jovkov lindi në Selci të Strugës, një fshat në rajonin e Malësisë, në pjesën e Karaormanit, i cili në shekullin XIX ishte pjesë e kazasë së Dibrës.

“Malësia është rajon malor në Shqipëri që shtrihet përtej Drinit të Zi. Njihej për mosbindjen ndaj Sulltanit dhe për ngjarjet që aty ndodhnin për çdo vit”, shkruan Jovkovi.

Sipas shënimeve plotësuese, Mati dhe Luma njiheshin si rajone që përherë e kishin mbrojtur lirinë e tyre.

Jovkovi ishte anëtar i VMORO-së, poet, publicist, përkthyes dhe skenarist. Rridhte prej një familje revolucionarësh. I ati iu vra gjatë luftimeve me ushtrinë turke. Xhaxhai i tij, dramaturgu Vojdan Çernodrinski, e themeloi Teatrin Maqedonas në vitin 1909.

Arsenij Jovkovi është autor i librave: Mallkimi, Luleburgaz, Miqtë, Ilinden dhe Odë për njëmijëvjetorin e Car Borisit.

Në vitin 1923, bashkë me Georgi Zankovin, bëri skenarin e dokumentarit “Maqedonia nëpërmjet imazheve”. 

Si poet ishte kundër rrymave moderniste në letërsinë kombëtare. Gjykonte se poezia “duhej të mbizotërohej nga fryma kombëtare” dhe ta “pasqyronte jetën reale”. 

Arsenij Jovkov ka qenë kryetar i komunës së Prishtinës (1917-1918) në kohën kur qyteti ishte pushtuar nga ushtria bullgare. Ndërmjet viteve 1921 dhe 1924 ishte kryeredaktor i revistës “Ilinden”. Në Sofje e themeloi shoqatën “Dibra”. U vra nga vrhovistët në Blagoevgrad.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button