fbpx

Komuna e Sarajit nuk jep informata të detajuara për revitalizimin e Liqenit të Treskës, i selekton mediat

Komuna e Sarajit ka kërkuar nga Qeveria që të shpallë liqenin e Treskës për zonë të lirë turistike dhe të largohen kampet e vendosura rreth liqenit. Komuna i ka informuar me shkrim pronarët e kampeve që t’i largojnë pasi nuk ka kushte që ata të jenë aty dhe kanë afat prej 60 ditësh që ta bëjnë këtë. Po ashtu, komuna kërkon që të hiqen kampet për realizimin e planit të ri urbanistit, shkruan Portalb.mk

Portalb.mk kërkoi informata më të hollësishme rreth kësaj nga Komuna e Sarajit, por e njëjta treguar e rezervuar sa i përket ndarjes së informacioneve rreth këtij projekti.

Fillimisht, zëdhënësja në këtë komunë, Miranda Rameti tha për Portalb.mk se në lidhje me këtë duhet të kërkojmë informata te drejtori i NPK Saraj Sabahudin Rustemi.

Rustemi deklaroi për Portalb.mk se nuk ka kushte momentalisht që kampet të qëndrojnë aty dhe për atë shkak ato duhet të largohen.

“Kuptohet që është projekt i komunës, i kahmotshëm dhe tash presim realizimin e kësaj. Për atë shkak do të largohen kampet. Ato kanë qenë me qira, edhe pagesat nuk kanë qenë të rregullta, përpos asaj nuk ka kushte momentale për t’u vendosur ato, këtë e ka konstatuar edhe inspektorati komunal se ambienti nuk është si duhet, se mund të marrin edhe ndonjë epidemi dhe për atë shkak ato duhet të largohen patjetër. Më detajisht për projektin do të informoheni prej komunës”, deklaroi Rustemi.

Ai më tej ka shtuar se, ky është projekt i komunës dhe për më shumë informata duhet të drejtohemi te kryetari i komunës ose te shefi i kabinetit.

Portalb.mk tentoi sërish të kontaktojë zëdhënësen Rameti, por ajo injoroi thirrjet e gazetarit. Më pas kur zëdhënësja u kontaktua nga një numër tjetër, u arsyetua se nuk është sekretare që të përgjigjet në çdo telefonatë. Edhe pse ajo tha se do t’u përgjigjet pyetje të dërguara në dy emaile zyrtare, ajo nuk e ka bërë këtë dhe ka vazhduar të mos jetë e kapshme për Portalb.mk.

Edhe kryetari i Komunës, nuk është i kapshëm për redaksinë tonë.

Megjithatë, Komuna e Sarajit nuk ka kursyer informata rreth kësaj çështje për një medium maqedonas.

28 dhjetor, kryetari i kësaj komune, Blerim Bexheti ka dhënë një deklaratë për SDK, ku ka thënë se komuna ka filluar paralelisht dy procese për Liqenin e Treskës dhe atë për dislokimin e kampeve dhe për shpalljen e Treskës për zonë të lirë turistike.

“Inspektori ynë për mjedis jetësor në vendin ku janë vendosur kampet konstatoi se nuk ka kushte adekuate. Nuk respektohen rregullat. Nuk munden ata të cilët janë qiraxhinj të jenë pengesë për realizimin e planin për revitalizim të serishëm të këtij simboli të Shkupit. Njëkohësisht prej se kemi miratuar planin e ri të detajuar të premten i dërguam kërkesë me shkrim Qeverisë që Liqeni i Treskës të shpallet zonë e lirë turistike, me çka do të mundemi të kërkojmë investitor të cilët do ta revitalizojnë dhe rregullojnë hapësirën”, tha Bexheti për SDK.

Revitalizimi i Liqenit të Treskës, është një projekt i shumë premtuar për vite të tëra nga ana e kryetarëve të kësaj komune.  Ky liqen artificial që gjendet në komunën e Sarajit, ka një sipërfaqe 136.000 м2 ku thellësia është nga 1.6 m deri në 3 metra. Ky kompleks rekreativë është ndërtuar në vitin 1978. Në hapjen solemne të këtij vendi turistik mori pjesë edhe kreu i ish shtetit të Jugosllavisë Josip Broz Tito.

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close