Alternativa reagoi: A vlen dënimi për mosmbajtje të maskës vetëm për qytetarët e rëndomtë që nuk janë në pushtet

Partia opozitare Alternativa ka reaguar ndaj fotografive të publikuara ditëve të fundit nga ana e disa  funksionarëve shtetëror, ku ata shihen se nuk kanë të vendosura maska.

“Siç e pamë, para do ditëve vetë kryeministri, Zaev, e ministri i Shëndetësisë, Filipçe, pozuan pa maska dhe pa distancë, ndërsa dje Ali Ahmeti me kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferi, dhe krejt ministrat e kësaj partie, ishin mbledhur bashkë, që të festojnë ditëlindje patetike në kohë pandemie, edhe ata pa maska e pa distancë, gjithë kjo në kohën kur qytetarët gjobiten gjithandej për maska”, thuhet në reagim, transmeton Portalb.mk.

Nga kjo parti, kanë pyetur ministrin e Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, se për kë vlen dënimi për maska në këtë shtet, a vlen ky dënim vetëm për qytetarët e rëndomtë që nuk janë në pushtet apo për të gjithë qytetarët njësoj?

“Nëse përgjigjja juaj është e dyta, atëherë ne presim që ju t’i dëshmoni opinionit se Ministria e Punëve të Brendshme i ka dënuar këta persona për mosmbajtje të maskës. Vetëm atëherë ju do të keni të drejtë të vazhdoni t’i dënoni qytetarët për mosmbatje të maskës. Në të kundërtën, ju nuk keni moral për të shqiptuar më dënime dhe kjo do të jetë dëshmi se juve ju ka rënë maska dhe jua ka zbuluar fytyrë e vërtetë të një qeverisje që ka për qëllim t’i rrjepë qytetarët për t’u azdisur pushtetarët”, kanë reaguar nga kjo parti.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button