RMV, në janar do të zhvillohet debat, kurse në shkurt do të miratohet pakoja e ardhshme e masave ekonomike

Kryeministri  i Maqedonisë së Veriut, njoftoi se këtë muaj do të zhvillohet debat për krijimin e paketës së ardhshme të masave ekonomike të, e cila do të miratohet në shkurt. Sipas tij edhe përkundër të gjitha sfidave me të cilat përballen, në vitin 2020 kanë arritur të realizojnë atë që u premtuan qytetarëve, njofton Portalb.mk.

“Viti i kaluar na mësoi të jemi të kujdesshëm, më mbështetës, më të bashkuar dhe tregoi se kur ka një krizë, gjëja më e rëndësishme është të jemi të bashkuar. Kjo është arsyeja pse Qeveria ishte e përqendruar në mbështetjen e çdo qytetari që ka nevojë për mbështetje, sepse politikëbërja gjithëpërfshirëse dhe kujdesi për nevojat e njerëzve sjellin stabilitet dhe rritje ekonomike”, tha sot Kryeministri Zoran Zaev në një konferencë të përbashkët për shtyp me ministrin e Financave Fatmir Besimi.

Viti 2021, sipas Zaevit, është vit i rifillimit dhe ringjalljes. Kriza është një mundësi dhe varet nga ne se sa do ta përdorim, porositi Kryeministri. Sipas tij, investimet kryesore do të jenë investimet kapitale për të cilat janë parashikuar 23 miliardë denarë, infrastruktura, energjia, digjitalizimi dhe bujqësia.

Buxheti, nënvizoi Kryeministri, është i ekuilibruar, i planifikuar me përgjegjësi dhe i përshtatur për t’iu përgjigjur sfidave.

“Edhe në kohë pandemie, në konsultim me odat ekonomike, sindikatat, akademinë dhe shoqërinë civile, ne kemi siguruar likuiditetin dhe mbijetesën e kompanive, duke mbajtur punonjësit aty ku është e mundur. Ekonomia e Maqedonisë është stabile, e gjallë dhe dinamike, nuk lejuam që të ndalet konsumi, dhe kjo është e mundur vetëm nëse është planifikuar mirë dhe nëse reagojmë shpejt, në mënyrë të duhur dhe të zgjuar. Efektet janë të dukshme. Në planin ekonomikë, lufta për të shpëtuar vendet e punës ka provuar të jetë strategjia më korrekte dhe njerëzore,” nënvizoi Zaev.

Kryeministri njoftoi se këtë muaj do të zhvillohet debat mbi krijimin e paketës së ardhshme ekonomike të masave, ndërsa në shkurt do të miratohen masat për vitin 2021.

“Pas festave të Kërshëndellave, do të fillojë debati me të gjithë aktorët përkatës, për të dimensionuar paketat e ardhshme të ndihmës. Rreth 10 janarit, do të shihen të gjitha aspektet e ndikimit në shëndet të krizës, si dhe pasojat ekonomike. Ne presim që debati të zhvillohet në janar dhe masat do të merren në shkurt. Dua t’ju siguroj se Qeveria ka punuar për një kohë të gjatë për të krijuar kushte për tejkalimin e krizës, e cila duhet të përdoret si një mundësi unike për rritjen ekonomike. Çdo potencial do të vendoset në funksion zhvillimit, ndërsa ndikimi përfundimtar të jetë standardi i qytetarëve,” tha Zaev.

Duke prezantuar shifrat, Zaev theksoi se të ardhurat e përgjithshme të taksave në vitin 2020 janë realizuar në vlerë prej 189.8 miliardë denarë ose 96.7 përqind e taksave të planifikuara, taksa të drejtpërdrejta kanë arritur 99.5 përqind, që është një rritje prej 2.3 përqind në krahasim me vitin 2019. Nga janari në dhjetor, kontributet treguan një trend pozitiv, duke arritur në 102 përqind ose dy përqind më shumë se sa ishte planifikuar.

Shpenzimet totale të buxhetit janë 243.7 miliardë denarë ose 96.4 përqind e shumës së planifikuar vjetore. Mallrat dhe shërbimet janë zvogëluar me 85 përqind nga rishikimi i buxhetit ose me pesë përqind më pak se në vitin 2019, gjë që është dëshmi e sjelljes së kursyer të shpenzimeve të parave publike. Shifra pozitive janë regjistruar edhe për shpenzimet kapitale, të cilat në vitin 2020 arritën në 16.1 miliardë denarë ose 82 përqind të realizimit të planifikuar. Vitin e mbyllëm me një deficit buxhetor prej 53.9 miliardë denarë ose 8.1 përqind të PBB-së së parashikuar.

Kryeministri Zaev i bëri thirrje opozitës të mbështesë, siç tha ai, projektin më të madh – për të ndërtuar një qendër të re klinike.

“I bëj thirrje opozitës që të mbështesë projektin më të madh për qendrën klinike. Ligji është në Kuvend, ndërsa propozimi ynë është që opozita të ketë rol kontrollues në projekt. Populli dëshiron të na shohin së bashku”, deklaroi Zaev.

Edhe ministri i Financave tha se viti 2020 ishte një vit jashtëzakonisht i vështirë.

“Ndodhi kriza më e madhe ekonomike dhe shëndetësore në nivel botëror. Por, mbajtja e vendeve të punës dhe konkurrenca e kompanive kanë mbetur në fokus të politikës fiskale. Sektori privat i besoi qeverisë dhe investoi”, tha Besimi dhe se pret që ky vit të jetë i vështirë dhe plot sfida.

Ndryshe, pakoja e katërt e masave ekonomike, u realizua në nëntor të vitit që lam pas.

Gjashtë pikat e përfshira ishin: kthimi i tarifës së paguar për qëndrim të përkohshme për vitin 2019 në objektet hotelerike, grante për agjencitë e udhëtimit, për udhëzues turistik, restorantet e dasmave, këndet e lojërave dhe 1 milionë euro kredi pa interes për kompanitë mikro dhe të vogla-mesme.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button