Fund-viti & Llogaria, për të gjithë

Kush duhet ta llogarit veten e tij?

A ka ndokush që nuk ka nevojë të llogarit veten e tij?

Jo, të gjithë kanë nevojë ta llogarisin veten e tyre. Të gjithë njerëzit bëjnë mëkate dhe që të gjithë ata kanë nevojë për pendim. Të gjithë, po kështu vdesin dhe merren në pyetje nga Allahu, andaj nevoja për llogari mbetet e pranishme tek çdo individ.

Allahu thotë:

O ju që besuat, kini parasysh frikën ndaj All-llahut dhe le të shikojë njeriu se çka ka bërë për nesër, dhe kini frikë All-llahun, e s’ka dyshim se All-llahu është që e di në detaje atë që punoni! 19. E mos u bëni si ata që e harruan All-llahun, e All-llahu bëri që ata ta harrojnë vetveten! Të tillët janë ata të prishurit. “ (el-Hashr, 18-19)

Ibni Kethiri, duke komentuar këtë ajet, zbulon dy kuptime shumë mësimdhënëse:

1)     Në koment të pjesës “…dhe le të shikojë njeriu se çka ka bërë për nesër…” thotë: “Llogariteni veten para se të llogariteni dhe shikoni se çfarë veprash të mira keni deponuar për Ditën e Kthimit dhe prezantimit para Zotit tuaj.”

2)     Ndërsa në koment të “…e s’ka dyshim se All-llahu është që e di në detaje atë që punoni!” thotë: “Dijeni se Allahu është i njoftuar për të gjitha veprat dhe punët tuaja. Atij nuk i fshihet asgjë dhe nuk i humbet, e madhe apo e vogël qe.”

Omeri [Allahu qoftë i kënaqur me të!] ka thënë:

Llogariteni veten, para se të llogariteni, ngase kështu është më lehtë për llogarinë tuaj. Mateni veten, para se të mateni dhe zbukuroheni për paraqitjen e madhe (për të cilën dëshmon me ajet): “Atë ditë ju do të ekspozoheni (para Zotit), duke mos mbetur fshehtë asnjë sekret juaji.” (el-Hakkah, 18).”

 

Llogaritja, si lehtësim

Llogaritja, siç tha Omeri [Allahu qoftë i kënaqur me të!], është lehtësim për ne. Sot kemi mundësinë të llogarisim veten, të përmirësojmë gabimet, të shkarkohemi nga barra. Ky është veprimi që duhet ta bëjmë si besimtarë. Kjo paraqet pjekurinë tonë. Nuk ka njeri të pagabime, por ky nuk është justifikim për të qenë i shkujdesur nga pendimi. Sa fjalë të bukura ka thënë Hasan Basriu: “Besimtari mbizotëron mbi veten e tij. Ai e llogarit veten për Allahun. Në Ditën e Kiametit llogaria do t’iu jetë lehtësuar atyre që e kanë llogaritur veten në këtë botë, ndërsa do t’iu vështirësohet atyre që këtë çështje e kanë marrë pa e llogaritur mirë.”

 

Allahu Madhëruar thotë: “Dhe ruajuni asaj Dite që do të ktheheni tek Allahu, kur çdokujt do t’i jepet ajo që ka fituar dhe askujt nuk do t’i bëhet padrejtësi.” El-Bekare, 281

Ajeti 281 në këtë kaptinë është i fundit, që iu shpall Muhamedit a.s. nga Kurani. Thuhet se pas shpalljes së këtij ajeti, Pejgamberi a.s. jetoi edhe nëntë ditë. Është përkujtues i madh, ndaj asaj dite të madhe, kur çdo kush do të përgjigjet për veprat e bëra. Pra, me këtë ajet merr fund shpallja – vahji. (H.Sherif ef.Ahmedi)

 

Poashtu transmetohet prej ibn Abbasit se ka thënë: “Gjëja e fundit që ka zbritur prej Kur’anit është fjala e Allahut : “Dhe kini frikë ditën kur ju do të ktheheni tek Allahu…”. (el Bekare 281)

 

Të parët tanë kanë këshilluar njeri tjetrin me tri sende dhe kanë koresponduar në ata: kush bënë përpjeke për jetën e ardhme, Allahu ka me ia zgjidhë problemet e jetës dhe të besimit. Kush e hijeson brendshmërin (shpirtin) e vet, Allahu ka me ia zbukuru pamjen e jashme të trupi tij. Kush i ballanson (rregullon llogarit) ate çka është mes tij dhe Allahut, Allahu ka me e rregullu atë çka është mes tij dhe njerzëve.(Ibn Haxher el-Askalani)

 

Transmetohet se ka thënë Hatim El-Esami:

“Vleren e katër sendeve e dinë vetëm katër: vlerën e rinisë e dinë vetëm pleqtë, mirëqenien e të vuajturit, shendetin e të sëmuarit, kurse vleren e jetës e dinë vetëm të vdekurit.”

Vitin e ardhshëm të përpiqemi për 10 urtësi që  Lukmani i ka thënë birit të vetë:

 

“O djali im, është urtësi me i punu dhjetë sende:

 

Me e ringjallë zemrën e vdekur,

 

me ndejtë me të vobektit,

 

me ikë nga ndejat me sundimtarët,

 

me i nderu të mjerët,

 

me çliru robërit,

 

me i siguru banesë të huajit,

 

me ia plotësu dëshirën të varfërit,

 

të ndershmit me ia rritë nderin,

 

dhe zotërive zotërillëkun.

 

Dasht Zoti i Madh vitin që vjen – 2021 e bën ma të mirë se viti që lëm pas!

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button