Çka na tha 2020-ta?!

Kaluam një vit jo të zakonshëm, jo sikur të tjerët, shkak i pandemisë e cila vërshoi anekënd botës duke shkaktuar: vdekje (e tek shumë të tjerë vështirësi të llojllojshme të cilat falë Zotit e më pastaj kontributit të mjekëve, i tejkaluan) stres, frikë dhe ankth.

Çfarë na (ri)mësoi viti 2020 dhe pandemia ?!

  1. Shëndeti

Pasuria më e madhe që posedon njeriu e që rrallë herë apo shumë pak e përkujton veten për këtë begati. Atëherë kur shikonim vdekje të shumta e të sëmurë të shumtë, e kuptonim që ne bartim me vete atë e cila nuk mund të blihet me anën materiale edhe sikur t’a shpenzonim të tërën.

A nuk ishte dëshmi vdekja dhe infektimi me Covid-19 nga udhëheqësit dhe të pasurit ?!

  1. Familja – oaza e qetësisë shpirtërore.

Kaluam mbyllje të plotë e orë policore, gjë që për shumëkënd ishte fat dhe mirësi që të mbush shpirtin e tij me energji pozitive, energji optimiste, nga dashuria që i’a fal familja. Edhe njëherë pandemia na ri(mësoi) që familja është e shtrenjta ynë e pa çmim. Ajo fal dashuri pa lajka dhe qetësi. Koha dinamike, aktivitet jetësore, lëvizjet e shumta dhe projektet e ndryshme, për shumë njerëz ishin pengesa thelbësore që të mos mund të kalojnë kohë me familjen e tyre. A s’ishte pandemia dhe Covid-19 që na mësoi se: “Askund s’do të gjesh dikë që do më shumë se familja. Askush nuk mund të të çmojë dhe vlerësojë më shumë se ata. Ata të presin dhe janë të njejtë me ty, edhe atëherë kur kthehesh pas shumë kohe.”
Nuk duhet të presim mbyllje të tjera dhe orë policore që të kalojmë më shumë kohë me ata.

Të ngulisim në mendjet tona: “Çdo sekond dhe moment që ne kalojmë pranë tyre rimbushim veten tonë me: force shtytëse, pozitivitet, optimizëm e butësi. Gjithë kjo nga reflekti dhe ndriçimi i rezeve të ngrohta të familjes sonë kundrejt nesh.”

  1. T’ia duam tjetrit atë që duam për vete

Ndoshta, shumë kohë mungonin skena të tilla në mbarë njerëzimin. Kujdesi ynë për tjetrin! Një numër i madh, kishin frikë dhe ishin të kujdesshëm që të mos infektohet (sëmuret) shoku i tij, fqiu i tij, kolegu i tij në punë, e kështu me rradhë. Përse ? Që më pastaj, ai infektim apo sëmundje të mos kalojë edhe tek ai. Pra, në mënyrë indirekte, përsëri kujdesi më parësor, vetja.

Si duket globalizmi ka prodhuar një egocentrizëm dhe individualizëm të skajshëm. Dinamizmi i jetës bënte që përpos vetes dhe familje sonë të mos kujdesemi fare për të tjerët: për ndjenjat e tyre jeten dhe familjen e tyre.

Nuk duhet të presim që ndodhitë e ndryshme të jetës të na shpien domosdoshmërisht në kujdesin jo të sinqertë për të tjerët, por: “Gjithëherë dhe gjithëmonë duaje për tjetrin, atë që e do për vete. Kështu, do të jesh më i pasur në shpirt.”

  1. Jo gjithçka mund të blihet

Pandemia dhe 2020-ta na ri(mësoi) se:  jastëku mund të blihet, por jo edhe gjumi. Ajo që duhet të synojmë e që duhet të na shoqërojë përgjatë gjithë jetës duhet të jetë: zemërbardhësia, sinqeriteti, dashuria pa lajka, dhe sjellja e mirë me të tjerët. Shumëkush, dëshironte dhe kishte, por s’mundej. I pasuri dhe i varfëri si rrjedhojë e rrethanave, gati se ishin të njejtë (me përjashtime). Edhe njëri edhe tjetri të mbyllur. Mos harro: Shëndeti, koha dhe dashuria nuk mund të blihen me të holla.

  1. Jeta është e tillë

Shumëkush përjetoi momente ankthi, pikëllimi e dëshpërimi nga humbja e njerëzve më të dashur. Por, e tillë është jeta e cila n’a rikujton se: sa do që të jetojmë, përsëri do të vdesim. Duam kë të duam, përsëri një ditë do të ndahemi prej tij. Andaj, fali gjithë ata që gabuan ndaj teje, të nënçmuan e armiqësuan. Nuk ka më të bukur dhe të madhe se falja. Éshtë cilësi e të mëdhenjëve. Dhuro dashuri të pafund, për gjithëkënd. Bëje pjesë të karakterit tënd: Durimin dhe tolerancën, ata do të të ngrisin dhe fundja: “Vetëm veprat e mira n’a shoqërojnë pas vdekjes.” Gjithçka tjetër bëhet hi e pluhur. Pra, e këtillë është jeta.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button