fbpx

2020-ta shpresë dhe zhgënjim, si filloi dhe ku stagnoi rrugëtimi i RMV-së në BE

Viti 2020 dukej si vit i shpresës për fillimin e negociatave mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së, pasi kjo e fundit më 24 mars dha dritën jeshile për fillim të pakushtëzuar të bisedimeve me BE-në. Por, kjo shpresë ishte shumë jetëshkurtër, pasi disa muaj më vonë, Bullgaria filloi me kushtet dhe paralajmërimin për veto ndaj kornizës negociuese, që nënkuptonte edhe bllokadë për nisjen e bisedimeve hyrëse. Paralajmërimet u jetësuan dhe besimi për tejkalim të ngërçit shumë shpejt u shua, pasi në nëntor dhe dhjetor Bullgaria disa herë i vendosi veto Maqedonisë së Veriut, njofton Portalb.mk.

Shpresa se Maqedonia po futej në binarët e duhur për rrugëtimin e saj filloi me marrëveshjen e arritur me Bullgarinë dhe vula e optimizmit drejt këtij rrugëtimi ishte Marrëveshja e Prespës, e cila shënoi ngjarjen më të rëndësishme që nga pavarësia e Maqedonisë së Veriut, që zgjidhi një kontest 27 vjeçar për çështjen e emrit, gjë që e pengonte procesin eurointegrues të vendit.

Marrëveshja për fqinjësi me Bullgarinë, zgjidhje dhe në fund ngërç 
Borisov - Zaev
Borisov – Zaev. Nënshkrimi i Marrëveshjes. 1 gusht 2017

Marrëveshjes për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim midis RMV-së dhe Bullgarisë, u nënshkrua më 1 gusht të vitit 2017 nga ana e kryeministrit të Maqedonisë Zoran Zaev dhe nga homologut të tij bullgar, Bojko Borisov. Atëbotë, dy vendet pretendonin se u kanë dhënë fund mosmarrëveshjeve që ekzistonin që nga pavarësia e Maqedonisë së Veriut lidhur me gjuhën, kulturën dhe historinë e ndërsjellët. Marrëveshja ishte nënshkruar në dy gjuhë, maqedonisht dhe bullgarisht, me çka Sofja e njohu edhe zyrtarisht gjuhën maqedonase. Dokumenti u jepte të drejtën dy vendeve që të kujdesen për pakicat e tyre në shtetet respektive, në përputhje me marrëveshjet dypalëshe dhe shumëpalëshe.

Në nenin 11 të marrëveshjes madje thuhej se Maqedonia konfirmon se në Kushtetutën e saj asnjë nen nuk mund dhe nuk duhet të interpretohet si përzierje në punët e brendshme të Bullgarisë, me qëllim mbrojtjen e statusit të personave që nuk janë shtetas të Maqedonisë.

Gjithashtu, në marrëveshje thuhej se Bullgaria do të ndihmojë Maqedoninë në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO, pa vendosje të kushteve paraprake. Një nen tjetër i marrëveshjes parashikonte formimin e një komisioni të përbashkët, i cili duhej të kontribuojë në interpretimin objektiv dhe shkencor të ngjarjeve historike dhe se Bullgaria dhe Maqedonia do të marrin pjesë në shënimin e ngjarjeve historike.

Pesë muaj më vonë, gjegjësisht më 14 janar 2018, ministri i atëhershëm i Punëve të Jashtme i Republikës së Maqedonisë, Nikolla Dimitrov dhe homologia e tij bullgare Ekaterina Zaharieva në Sofje e nënshkruan Protokollin për këmbimin e dokumenteve të ratifikuara, me çka edhe zyrtarisht hyri në fuqi Marrëveshja për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim midis dy vendeve.

Me këtë praktikisht përfundoi procedura formale për hyrjen në fuqi të Marrëveshjes, pas ratifikimit të saj në Kuvendin e Maqedonisë më 15 janar dhe të Parlamentit bullgar tre ditë më vonë.

Marrëveshja ishte rezultat i një procesi dakordues pesëvjeçar të grupeve të punës të të dyja MPJ-ve dhe paraqiste zhvillim të marrëveshjes së nënshkruar në vitin 1990. 

Franca kërkoi shtyrjen e negociatave
Flamuri i Francës, foto: Atypeek Dgn, Pexels
Flamuri i Francës, foto: Atypeek Dgn, Pexels

Përpara se Bullgaria të shfaqet me idenë për veto, vendet e BE-së nuk pajtoheshin që Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria  të merrnin rekomandim për fillim të negociatave në fund të vitit 2019. Franca kërkoi shtyrjen e negociatave të anëtarësimit për në vitin 2020, për të dyja vendet, si dhe reformimin e procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian. Qeveria franceze parashtroi kushtet e saj që lidheshin me përmbushjen e kritereve kyçe duke nisur nga respektimi i shtetit të së drejtës, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe reforma e procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian. Sipas Francës, procesi i zgjerimit për Komisionin e ri Evropian duhet të jetë më gradual, më i kontrolluar edhe të përfshijë edhe ekspertizën e shteteve anëtare, në mënyrë që progresi që do përfitohet të japë rezultate.

Epilogun e mbledhjes ministrore, e ndikuan:

  • Franca – e cila ka ishte kundër dhënies së datës për të dy shtetet, për shkak të mospërmbushjes së reformave,
  • Holanda – e cila kërkonte që të dy shtetet të trajtohen ndarazi, e jo si pako, për shkak, se ajo ishte e bindur për RMV-në,  kurse jo për Shqipërinë, dhe në fund
  • Finlanda –  e cila ishte kryesuese me BE-në, kërkonte që paralelisht me procesin e dhënies së datës, të zhvillohen reforma në BE – futja e metodologjisë së re të procesit të zgjerimit, ndërkohë që mbledhja ndërqeveritare të mbahet në gjysmën e parë të vitit 2020.

Vendimin e vendeve kundërshtuese për fillimin e negociatave veçanërisht me Maqedoninë e Veriut e kritikuan shumë vende të tjera të BE-së, të cilat shpreheshin se BE-ja me këtë vendim po humbet kredibilitetin në vendet e Ballkanit Perëndimor. Edhe krerët e Qeverisë bullgare e konsideruan si gabim të madh mos-çeljen e negociatave. Kryeministri i Bullgarisë, Boyko Borisov e konsideroi gabim të madh historik mos-hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Sipas Borisovit, një mundësi e tillë mund të rikthehet pas 15 vitesh.

Për shkak të vendimit në qershor dhe pastaj më 18 tetor 2019 në Samitin e BE-së, ku RMV-ja nuk siguroi datë për fillim të negociatave me Bashkimin Evropian, Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev më 19 tetor të po atij viti kërkoi zgjedhje të parakohshme parlamentare. Ai deklaroi se është bërë gabim historik nga Unioni, andaj duhet populli të vendosë, “a do të qëndrojmë të gjithë në rrugën e vërtetë apo jo”.

Viti 2020, shihej si viti i shpresës

Më 3 janar kuvendi votoi  qeverinë teknike me mandat 100 ditë. Zoran Zaev dhe dorëheqje, ndërsa kryeministër teknik u zgjodh Oliver Spasovski.

Zgjedhjet u caktuan për më 12 prill, por për shkak të pandemisë së koronavirusit të njëjtat u shtynë për më 15 korrik, ndërkohë më 31 gush Kuvendi i Maqedonisë së Veriut e miratoi qeverinë e re. Për kryeministër të vendit u zgjodh Zoran Zaevi, lideri i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë dhe koalicionit “Mundemi”.

Ndërkohë paraprakisht, më 5 shkurt Komisioni Evropian prezantoi metodologjinë e re të zgjerimit, në të cilën thuhej se anëtarësimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor, mbetet prioritet i BE-së. Eurokomisari për zgjerim, Oliver Varheji, në konferencën e mbajtur për media ku prezantoi propozimin e ri, tha se vendet kandidate duhet të reflektojnë më shumë kredibilitet në implementimin e sundimit të së drejtës, luftën kundër korrupsioni, ekonominë, sigurimin e fuksionimit të institucioneve demokratike dhe harmonizim të politikës së jashtme.

Ndërsa më 24 mars 2020 vendet e BE-së arritën marrëveshje politike për të filluar negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Në ditën paraprake, përkatësisht më 23 mars, të gjitha 27 vendet-anëtare, pas negociatave të vështira, ranë dakord që metodologjia e propozuar e rinovuar e Komisionit Evropian për anëtarësim është e kënaqshme dhe se përparimi i reformës së Maqedonisë së Veriut është i mjaftueshëm për të hapur negociatat e aderimit në Bashkimin Evropian.

Pas kësaj, vendi ishte në fazën e përgatitjes së kornizës negociuese nga ana e BE-së dhe Maqedonisë së Veriut, e cila paraqiste hapin e fundit drejt fillimit të procesit.

Përmbysja e shpresave nga Bullgaria

Maqedoni-BullgariPas zgjidhjes së kontestit me këtë vend dhe më vonë të ngërçit për emrin me Greqinë, dukej se vendi ishte në rrugën e duhur drejt BE-së dhe nuk pritej, të paktën jo nga opinioni që Bullgaria të ishte problemi kyç apo çelësi nga i cili do të varej hapja e dyerve të RMV-së për në BE. Bullgaria qëndroi e heshtur, ose të rralla ishin reagimet e saj, derisa vendi mori dritën e gjelbër se mund të fillonte negociatat me BE-në, pas çka filloi që dalë-ngadalë Bullgaria të nxjerrë edhe “kthetrat” kundër rrugëtimit të Maqedonisë.

Me afrimin e kohës për ratifikimin e kornizës negociuese për Maqedoninë e Veriut, Bullgaria trazoi ujërat e qeta. Ajo filloi deklarimet se do të kushtëzojë anëtarësimin e Maqedonisë në Bashkimin Evropian. Sofja zyrtare përgatiti  një dokument gjashtë faqesh, me arsyetime të gjata historike për “ideologji shtetërore antibullgare” në Maqedoninë e Veriut, Bullgaria u dërgoi memorandum sqarues vendeve anëtare të BE-së në prag të vendimit për fillimin e negociatave me Unionin, ku theksohej se anëtarësimi i Shkupit të varet nga rezultati i bisedimeve ndërmjet dy vendeve. Në këtë memorandum ndër të tjera përmendej fakti se maqedonishtja është dialekt i gjuhës bullgare.

Sofja kërkonte që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Tito.

Krerët e Maqedonisë së Veriut, megjithëse tentuan të zbusin tensionet, sërish u shprehën se nuk do të negociojnë për identitetin e tyre, pasi kjo bie ndesh me parimet themelore të vetëpërcaktimit dhe standarteve të BE-së.

Ky kontest bllokoi procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedono – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Më 18 dhjetor u bllokuan edhe konkluzat për Ballkanin perëndimor. Konkluzat u hoqën nga agjenda e Këshillit Evropian, pasi nuk kishte unanimitet tek vendet-anëtare të Bashkimit Evropian. Praga dhe Bratisllava publikuan qëndrim të përbashkët në të cilin zyrtarisht konfirmuan se nuk mund të pajtohen me konkluzionet e propozuara nga presidenca gjermane. Problemi kryesor ishte fjalia për “interpretim të gabuar të historisë”.

Ndërkohë viti 2020 shihej më shumë si optimist edhe për faktin se BE-ja kryesohej nga Gjermania, e cila dukej shumë e përkushtuar për zgjerimin e BE-së dhe fillim të negociatave me Maqedoninë. Përpjekjet për “bindur” Bullgarinë ranë në ujë dhe procesi integrues është shtyrë për vitin 2021. Ndërkohë gjysma e parë e vitit 2021 është nën presidencën portugeze, e cila ka më pak interes për zgjerimin, kurse Bullgaria ka zgjedhje në mars, kështu që me gjasë vendimi ndoshta do të shtyhet deri në gjysmën e dytë të vitit 2021, gjë që shkakton shqetësim te shumica e vendeve anëtare lidhur me mirëmbajtjen e kursit të reformës në Maqedoninë e Veriut.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button