Borel: Ndërhyrja e huaj dhe dezinformatat të dëmshme për luftën tonë kundër pandemisë dhe demokracisë

Aktorë të caktuar të huaj, qofshin aktorë shtetërorë apo jo-shtetërorë, po realizojnë fushata dezinformimi, duke përhapur qëllimisht informacione të rreme ose mashtruese. Ata e bëjnë këtë për të na dobësuar dhe dëmtuar aftësinë tonë për t’iu përgjigjur në mënyrë efektive krizës. Por BE-ja tashmë po përgjigjet dhe duhet t’u përgjigjet sulmeve të tilla, ka porositur Zhozep Borel, Përfaqësuesi i lartë i BE-së për punë të jashtme dhe politikë të  sigurisë dhe Zëvendës-President i Komisionit Evropian, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.

Borel i vë në pah sulmet e fundit ndaj zhvilluesit e vaksinave nga  Perëndimi që janë shfaqur në media shumëgjuhëshe të kontrolluara nga pushteti në Rusi, të cilat në disa raste kanë qenë edhe absurde – siç janë pretendimet se vaksinat do t’i kthejnë njerëzit në majmunë.

“Narrativa të tilla drejtohen qartë në vendet ku Rusia dëshiron të shesë vaksinën e saj Sputnik V. Në mes të pandemisë aktuale, çdo përpjekje për të ngritur dyshime të tilla të pabazuara është një kërcënim për shëndetin publik. Organizatat terroriste, si ISIS-i, gjithashtu e përdorën konfuzionin me koronavirusin për të përhapur propagandën e tyre”- vë në pah Borel.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për punë të jashtme dhe politikë të sigurisë dhe Nënkryetari i Komisionit Evropian thekson se megjithëse dezinformatat janë fenomen i vjetër, rreziku kryesor tani është mundësia e përhapjes së tij lehtë dhe shpejt në Internet.

“Kjo nuk është një sfidë e re: dezinformimi ka qenë me ne për një kohë të gjatë. Por me mundësitë e ofruara nga interneti, ato tani po përhapen më shpejt se kurrë më parë, duke arritur në shtëpitë e qytetarëve çdo ditë. Disa aktorë shtetërorë, si Rusia dhe Kina, janë të përfshirë në mënyrë aktive në këto aktivitete, duke u përpjekur të minojnë ose delegjitimojnë sistemet dhe vlerat tona demokratike, si liria, pluralizmi dhe parimet e vlerat mbi të cilat ato janë ndërtuar.

Përhapja e qëllimshme e informacionit të rremë ose mashtrues është vetëm një pjesë e sfidave. Gjatë pandemisë, lufta kundër manipulimit dhe dezinformatave u përdor nga regjimet autoritare si motiv për kufizimin e të drejtave themelore në veçanti lirinë e shprehjes dhe lirinë e mediave.

Masat e që u ndërmorën me këtë rast shkonin nga përndjekja e korrespodentëve të huaj deri në maltretime në internet e në disa raste edhe me kërcënime e dhunë fizike. Ne nuk mund ta pranojmë atë: liria e fjalës dhe liria e medias janë shtyllat jetike të demokracive tona, kurse ne gjithashtu mbështetemi në raportime të pavarura nga e gjithë bota. Nëse puna e gazetarëve është e kufizuar, ne duhet të marrim një qëndrim më të fortë. BE do të mbrojë këto parime dhe do t’i përgjigjet në mënyrë efektive dezinformatave”, ka porositur Borel.

Zëvendës-kryetari i Komisionit Evropian sqaron në hollësi çka do të ndërmerret në të ardhmen.

“Falë bashkëpunimit me partnerët tanë ndërkombëtarë, si G7 dhe NATO, ne mund të ndjekim trendet globale dhe të përgatitemi për to. Kontrolluesit e fakteve, gazetarë, OJQ dhe organizata analitike gjithashtu kontribuojnë jashtëzakonisht në frenimin e përhapjes së dezinformatave. Më 2 dhjetor, Komisioni Evropian prezantoi Planin Evropian për veprim demokratik, i cili përqendrohet në integritetin e zgjedhjeve, pluralizmin e medias dhe përballja me dezinformatat. Në të gjitha këto gjëra duhet të veprohet si shoqëri e përgjithshme, përfshirë organizatat e shoqërisë civile, mediat, komunitetin shkencor dhe sektorin privat (më e rëndësishmja, platformat online dhe reklamuesit) për të mbrojtur demokracitë tona nga ndërhyrjet e huaja.

Gjithashtu duhet të rrisim bashkëpunimin ndërkombëtar. Evropa nuk është një ishull: Në hapësirën kibernetike nuk ka kufij. Përpjekjet tona për të mbrojtur nga këto kërcënime të brendshme veten, janë të ekspozuara në rrezik të minohen nga ndikimet manipuluese nga vendet me kapacitete më të dobëta rregullatore dhe monitoruese.

BE e ofron mbështetjen e saj teknike për qeveritë dhe organizatat e shoqërisë civile në të gjithë botën për të ndërtuar kapacitetet dhe rolet mbikëqyrëse si ato që po zhvillojmë brenda në BE”, shkruan Borel.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button