KE miratoi pakon prej 70 milionë eurove për të ndihmuar Ballkanin Perëndimor për vaksinat për COVID-19

Komisioni Evropian miratoi një pako prej 70 milionë euro nën instrumentin e Para-Aderimit (IPA II) për të ndihmuar qasjen e partnerëve të Ballkanit Perëndimor për vaksinat e KOVID-19 të furnizuara nga shtetet anëtare të BE-së, transmeton Portalb.mk.

“Përgjatë pandemisë, BE ka treguar se e trajton Ballkanin Perëndimor si partner të privilegjuar. Ne vazhdojmë të veprojmë në këtë frymë gjithashtu në rastin e vaksinave, duke ndërmarrë hapa për të mundësuar një fillim të shpejtë të fushatave të vaksinimit të stafit kritik dhe grupeve më të rrezikuara në fillim në rajon. Vaksinimi i shpejtë do të jetë vendimtarë në përfundimin e pandemisë dhe fillimin e rimëkëmbjes socio-ekonomike në Ballkanin Perëndimor”, tha komisioneri për Fqinjësi dhe Zgjerim, Olivér Várhelyi.

Pakoja, siç informuan nga Delegacioni i BE-së në Shkup, do të shpërndahet në formë të granteve që do të ndihmojnë në mbulimin e shpenzimeve të vaksinave për grupet prioritare në rajon, si dhe pajisjet e nevojshme të vaksinimit. Kjo do t’i mundësojë Ballkanit Perëndimor që të blejë një numër të vaksinave nga marrëveshjet e avancuara të blerjes të BE-së me gjashtë prodhues, me shtetet individuale anëtare të BE-së që ndajnë një pjesë të dozave të tyre të para-alokuara.

Përderisa BE vazhdon që të mbështesë iniciativën KOVAKS, struktura botërore për të siguruar qasje të drejtë dhe univerzale në vaksinat e KOVID-19, dhe të gjithë partnerët e Ballkanit Perëndimor janë bërë pjesë e saj, shpërndarja e vaksinave sipas kësaj skeme pritet që të fillojë më vonë se sa fushatat e vaksinimit në BE. Rrjedhimisht, qasja deri te një numër i dozave nga marrëveshjet për blerje të BE-së, do i mundësojë rajonit që të fillojë vaksinimin paralelisht me Shtetet Anëtare të BE-së.

Komisioni dhe Qendra Evropiane për Kontrollimin e Sëmundjeve gjithashtu po i ndihmojnë rajonit në përfundimin e strategjive të vaksinimit në pajtim me rekomandimet e Komisionit për të siguruar përgatitjen e duhur të fushatave dhe administrimin e vazhdueshëm të vaksinave. BE-ja gjithashtu po financon një projekt me Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të ndihmuar në menaxhimin e logjistikave dhe shpërndarjen e vaksinave.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button