RMV, përbërja e re e KShZ-së do të zgjidhet sipas rregullave të vjetra

Deputetët e LSDM-së, BDI-së, Besës dhe Aleancës propozojnë që të shpallet konkurs për zgjedhjen e kryetarit të ri, nënkryetarit dhe pesë anëtarëve të Komisionit, pasi mandati i përbërjes aktuale skadon për një muaj. Vendimi për shpalljen e konkursit për zgjedhjen e kryetarit, nënkryetarit dhe pesë anëtarëve të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve pritet të merret në seancën e sotme të Kuvendit, njofton Portalb.mk.

Propozimi u paraqit nga koordinatorët e grupeve parlamentare të LSDM-së dhe BDI-së në pushtet, si dhe nga Kastriot Rexhepi nga Besa dhe Adnan Neziri nga partia opozitare Aleanca për Shqiptarët, e cila pas zgjedhjeve të korrikut merr një vend në KShZ. Nga ana tjetër, Besa, si një parti e re në pushtet mbetet pa anëtar në KShZ.

Në projekt-vendimin e konkursit për zgjedhjen e antarëve të KSHZ-së, nuk është nënshkruar përfaqësuesi i VMRO-DPMNE-së.

Mandati i kësaj përbërje të KShZ-së, i cili ishte zgjedhur për një mandat të kufizuar, për të zbatuar referendumin për emrin në vitin 2018, pas dorëheqjeve të pothuajse të gjithë anëtarëve të përbërjes së mëparshme, skadon në fund të janarit. Megjithëse fillimisht kishte një mandat prej vetëm gjashtë muajsh, i cili më pas u zgjat disa herë, kjo përbërje e KShZ-së organizoi zgjedhjet presidenciale vitin e kaluar, si dhe zgjedhjet parlamentare të këtij viti dhe së fundmi zgjedhjet për kryetarët e komunave të Shtipit dhe Pllasnicës.

Konkursi për zgjedhjen e përbërjes së re të KSHZ-së do të realizohej sipas rregullave aktuale në Kodin Zgjedhor, në mënyrë që VMRO-DPMNE-ja, si partia më e madhe e opozitës, do të ketë kryetarin dhe një anëtar tjetër, dhe nënkryetari të do të ishte nga radhët e BDI-së.

Për zgjedhjen e anëtarëve të KShZ-së kërkohet shumicë prej dy të tretave në parlament.

Menjëherë pas mbërritjes së Hristijan Mickoski në krye të VMRO-DPMNE-së, në takimin e tij të parë me Kryeministrin Zoran Zaev, u arrit marrëveshje për ndryshimin e Kodit Zgjedhor, në mënyrë që të sillej një koncept i ri për përbërjen e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve. Atëkohë u njoftua se KShZ-ja do të funksiononte si një organ administrativ, me përbërje të përhershme, ndërsa përfaqësuesit e partive do të përfshiheshin në punën e Komisionit disa muaj para zgjedhjeve, por pa të drejtë vote, por si vëzhgues.

Ajo marrëveshje ndërmjet Mickoskit dhe Zaevit, nga fundi i vitit 2017, nuk është realizuar deri më tani.

Nëse arrihet marrëveshje midis partive dhe sigurohen minimum 80 vota në parlament për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të KShZ-së, nga lista e kandidatëve që do të shpalleshin në konkurs, detyrimi i parë i madh i rregullt për përbërjen e re të Komisionit do të ishin zgjedhjet lokale që do të duhet të mbahen në vjeshtën e vitit të ardhshëm.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button