MMXX: VITI I TRISHTË

Iku edhe një vit kalendarik. Rekapitullim i segmentit kohor 365-ditësh të 2020-s (viti 4716 sipas kalendarit kinez, 5780/81 hebre, 1441/42 islamik).  Antropologjia si shkencë zbërthen një term të rëndësishëm, atë të ritit të kalimit (rite of passage), që ndërlidhet me kalimin nga një fazë në tjetrën të jetës, me krizat në ciklin jetësor të njeriut. Jemi kah e përjetojmë ndërrimin e motmoteve, kalimin nga “viti Covid-19”, viti i dëshpërimit, kah ai i shpresës, 2021. Ky aktual do të mbahet mend për nga turbulencat e shkaktuara sociale, ekonomike, për nga recesioni dhe depresioni global, kur sipas OKB-së nuk është realizuar asnjë prej Qëllimeve të Zhvillimit të Qëndrueshëm. Viti kur industria dhe bizneset ranë përtoke, kur papunësia u rrit në mënyrë dramatike, kur edhe vlera e shenjtërive u relativizua (p.sh. tempujt për herë të parë në histori pa besimtarë gjithandej, rreth-Qabeja u zbraz), u anuluan ndodhi relevante si Lojërat Olimpike, Kampionati Europian në futboll, kur vetmia dhe ndarja u bënë mënyrë jetese e njerëzve, vit i sëmundjes dhe pandemisë, kur iu afruam më së shumti vdekjes, të gjithë.

Është një vit të cilin s’do të donit ta mbani mend, por 2020-a është një vit të cilin asnjëherë s’do ta harroni. Viti që nga revista “Time” u cilësua si “The Worst Year Ever” (Viti më i keq i historisë), që ndryshoi edhe fjalorët tanë, kur kryefjalë u bënë termat (corona)virus, pandemi, Covid-19, përkundër viteve të shkuara kur fjalë çelës kanë qenë change/ndryshim (2010), tergiversate/dykuptimësi (2011), bluster/turfullimë (2012), privacy/privatësi (2013), exposure/shpalosje (2014), identity/identitet (2015), xenophobia/ksenofobi (2016), complicit/bashkëpjesëmarrje (2017), misinformation/keqinformim (2018) dhe  existential/qenësore (2019). Ndërkohë këtë vit rimësuam edhe një shprehje të re: infodemia, e përbërë nga shkurtesat e fjalëve informacion dhe pandemi (përdorur për herë të parë më 2003 lidhur me SARS), që nënkupton përhapjen marramendëse të lajmeve të sakta dhe të pasakta, të fakteve, thashethemeve dhe frikërave rreth një çështjeje, në këtë rast rreth pandemisë Covid-19.

Ishte një vit kur raca njerëzore humbi 1.800.000 veta, kur virusi ndryshoi jetët tona, na bëri të jetojmë në panik, në pasiguri, në trishtim e frikë, na e prishi gjithë rendin e jetës, me një fjalë na dërrmoi. Ishte një vit i çrregullt, tragjik, por megjithatë ekzistojnë copëza të shpresës; gjithë kjo, mes tjerash, në saje të punëtorëve dhe vullnetarëve të linjës së parë të frontit që bënë të pamundurën për t’i ndihmuar të tjerët në kohën kur ata kanë nevojë për ndihmë. (CNN)

Viti 2020 është viti kur ne shtruam pyetjen “Pse?”. Nga 11 janari kur u shënua vdekja e parë në Kinë, koronavirusi u bë shprehja më e kërkuar, është periudha kur ne pyetëm pse quhet “covid-19”, “pse shëndeti mental është i rëndësishëm?”, shumë më tepër sesa më herët. (Rogers 2020) Këtë fillimvit në Australi u dogjën rreth 18.6 milionë hektarë pyje, 20 % i totalit të këtij kontinenti. Në gusht derdhja e naftës nga anija japoneze dëmtoi florën dhe faunën e rrallë tek shkëmbinjtë nënujorë të Mauriciusit. (Greenpeace) Në 2020-ën humbëm shkencëtarë të veçantë si Aoyagi, Feynman, Wong-Staal, aktorët ikonikë Kirk Douglas e Sean Connery. Nga ne u ndanë edhe Kobe Brayant, një yll-legjendë e basketbollit dhe një tjetër Diego A. Maradonën, mrekullibërësi me topin e futbollit. Ndërkohë kalendari shënoi shkëputjen e Mbretërisë së Bashkuar nga Unioni Europian, që nga kryeministri Johnson u cilësua jo si fund por si fillim, si ringjallje dhe ndryshim. Në SHBA ndodhi rasti Floyd dhe rindezja e debateve rreth racizmit, protestat nën slloganin “Black Lives Matters” (Jetët e zezakëve kanë vlerë). Në Liban, ngjau  shpërthimi i madh në portin e Beirutit ku ishin magazinuar 2750 tonelata amonium nitrati, ngjarje kjo në të cilën humbën jetën 158 veta, u lënduan rreth 6000 dhe u zhvendosën mbi 300 mijë. Uji iu bashkua arit, naftës dhe mallrave të tjerë të tregtuar në Wall Street, duke shenjuar shqetësimet se burimet natyrore jetike mund të bëhen deficitare në gjithë botën. (Chipman, 2020) Parisi e Vjena u gjakosën nga akte terroriste. Islami gjithnjë e më tepër po sekuritizohet. Islamofobia ka shënuar ngritje gjatë vitit që e lëmë pas. (al-Qazzaz, 2020) Në Indi u shpik termi CoronaJihad që i vë në shënjestër myslimanët. (HRW, CNS) Fitorja e Bidenit karshi një “politikani të panatyrshëm”, që s’i ka hije fuqisë më të madhe të botës (Trump) në zgjedhjet në SHBA që u cilësuan si divisive (ndarëse) dhe shpresa kosovare-shqiptare, për mbështetje amerikane si dikur. Në historinë 92-vjeçare  të Çmimeve Oscar për herë të parë fitoi një film në gjuhën joangleze. Filmi i titulluar “Paraziti” i regjisorit korean Bong Joon Ho fitoi në kategroitë “Filmi më i mirë”, “Regjisori më i mirë” dhe “Filmi më i mirë ndërkombëtar”.

Është viti kur shumë njerëz humbën më të dashurit e tyre. Kur shumë njerëz po luftojnë, kur shumë njerëz ndjehen të shqetësuar, të frustruar, madje edhe të thyer në bel. Është viti kur zbuluam familjen, dashurinë për shprehitë e vjetra si gatimi dhe përkujdesja për kopshtet. Kur tentuam t’i përshtatemi shkollimit nga shtëpia (homeschooling), kur nisëm t’i çmojmë më tepër mësuesit si heronjtë e kohës. Gjithashtu edhe mjekët si punëtorë esencialë, flijuesit më të mëdhenj të kohës. Në kohë të pandemisë mësuam t’i shohim zogjtë, e njohëm natyrën, e njohëm ajrin e pastër, u bëmë më ekologjistë globalisht. U shtua shitja e biçikletave dhe pajisjeve të bjeshkatarisë. Ndodhën edhe koncertet nga shtëpia, gjëra absurde si martesat përmes zoom-it. Hulumtuesit e sociologjisë së religjionit shënuan rritje të religjiozitetit, të spiritualitetit, madje edhe të atij nga distanca, online. (Bentzen) 2020-a na tregoi se përpjekja dhe shkollimi njeriun e çojnë në majë të piramidës. Çifti gjerman me prejardhje turke Özlem Türeci dhe Uğur Şahin duke përdorur teknikën mRNA hynë në histori si shpikësit e vaksinës kundër koronavirusit që thuhet se ka një sukses prej 94 %, u bënë shpresa e gjithë njerëzimit. U tregua se vlera është vlerë pa marrë parasysh kombin, se njerëzit mund të vetërealizohen kudo nëse kanë vullnet dhe nëse punojnë si duhet.

A do bëhet si më herët? Nuk e dimë, shpresojmë t’i kthehemi normales. Por ky vit i trishtë apo i mbrapshtë ishte një mësim i madh për gjithë ne. Ishte mësim se duhet të jetojmë me të sotmen, se të nesërmes s’i dihet. Na mësoi të kënaqemi me minimalen, në tregoi se sa e bukur ka qenë jeta më parë e ne nuk ia kishim ditur vlerën. Na ndryshoi pamjen, na bëri me maskë, na e bëri maskën pjesë të identitetit tonë. Kuptuam se epidemitë, pandemitë dhe kataklizmat nuk janë vetëm pjesë e së kaluarës, por edhe e së tashmes. 2020, mos u përsërittë, përveç negativiteteve të shumta, na bëri edhe më të pjekur, më të vetëdijshëm. Sido që të jetë, do të mbetet vit i paharrueshëm. Vit që na rrëzoi dhe na bëri më të pjekur!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button