fbpx

ANALIZË: Ngjarjet ekonomike në vitin 2020 – lamtumirë vitit më të vështirë ekonomik!

Recesioni – si pasojë e krizës ekonomike. Një rënie marramendëse e eksporteve, importeve, prodhimit industrial. Të ardhurat e buxhetit shkrihen, shpenzimet rriten – paratë kërkohen brenda dhe jashtë vendit për të mbuluar kostot e shkaktuara nga Kovid-19. Borxhi publik ka arritur nivelin më të lartë të të gjitha kohërave – mbi 50 % të PBB-së. Në vitin 2020, pas 13 vitesh pa falimentim, dryni u vendos në derën e një banke. Portalb.mk ka zgjedhur ngjarjet dhe parametrat ekonomikë që shënojnë një nga vitet më të vështira ekonomike.

Recesioni, zgjedhjet e parakohshme, mbyllja e bankës…

Në vitin që kaloi, pandemia ka vënë në provë njerëzimin, por edhe lakminë. Skandali me abuzimin e ndihmës shtetërore për pagat e revoltoi publikun – sepse paratë në vend të shkonin tek punëtorët përfunduan në xhepat e pronarëve. Ky skandal u raportua për herë të parë në korrik, me më shumë se 700 kompani që morën ndihmë në prill dhe maj dhe nuk i kanë destinuar ato tek punonjësit e tyre.  Kjo gjithashtu ndodhi në dhjetor, kur DAP njoftoi se 179 kompani po merrnin subvencione shtetërore – por punonjësit mbetën me llogari boshe. Institucionet qeveritare po punojnë për t’i rikthyer paratë – por mbetet pyetja se si disa nga kompanitë që dikur abuzuan, arritën të marrin përsëri ndihmë dhe abuzuan përsëri me ato.

Në vitin që kaloi arka e shtetit u “shkund”. Në maj të vitit 2020 rebalancim i buxhetit, me nënshkrimin e ministres së atëhershme të Financave, Nina Angellovska. Ky riorganizim do të ishte katalizatori i parë për masat qeveritare për të mbështetur qytetarët dhe bizneset në kohë krize ekonomike. Në tetor të vitit 2020 rebalanci i ri i buxhetit për shpëtimin nga kriza. Këtë herë me nënshkrimin e Ministrit të ri të Financave, Fatmir Besimi. Pas të dy ridizajnimeve në interes të zbatimit të masave të ndihmës, qeveria dhe opozita mbetën në një pozicione të ndryshme – sa para ishin planifikuar dhe sa ishin shpenzuar në të vërtetë për të mbështetur sektorin privat.

Kriza ekonomike, e cila e shtyu Buxhetin të ndante më shumë para për të zbutur pasojat, e rriti borxhin publik. Borxhi i brendshëm dhe i jashtëm arritën 5.6 miliardë euro ose 51.5% të PBB-së. Shteti ka 3.5 miliardë euro borxh të jashtëm dhe 2.1 miliardë euro kreditorëve të brendshëm.

Aktiviteti i ngadalësuar ekonomik, investitorët e përmbajtur, rënie e ndjeshme si e eksporteve ashtu edhe e importeve. Të gjitha këto tendenca ekonomike e kanë shtyrë ekonominë në recesion – me parashikimet më të fundit të BPRM se rënia e PBB-së do të jetë 4.9%. Rënie marramendëse është e regjistruar veçanërisht tek bruto-investimet, me një parashikim që deri në fund të vitit 2020 të jetë – 13%.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare u mbajtën në korrik – gjashtë muaj pas formimit të qeverisë teknike që do të ishte hyrje për zgjedhjet e prillit. Pandemia shtyu procesin zgjedhor që pashmangshmërisht duhej të ndodhte. Zaev u kthye në Kabinetin e Kryeministrit – por disa nga ministrat e mëparshëm të ekonomisë dhanë dorëheqjen. Nga Ministria e Financave u largua Nina Angellovska. Ky resor me ndarjen e re të koalicionit i ra hise BDI-së, ku “kujdestar” i parave publike u bë Fatmir Besimi. BDI gjithashtu mbajti Ministrinë e Ekonomisë, e cila kryesohet nga  Kreshnik Bekteshi. Ministrinë e Transportit e la Goran Sugarevski, kurse në vend të tij erdhi Bllagoja Boçvarski. Zëvendës Kryeministri Koço Angjushev u largua nga Qeveria para zgjedhjeve dhe pas tyre – pozita e Zëvendës Kryeministrit për Çështje Ekonomike i përket Fatmir Bytyqit. Partneri i ri i koalicionit BESA mori Ministrinë e Bujqësisë, ku Arianit Hoxha u emërua Ministër.

Një nga ngjarjet që do të mbahet mend në vitin ekonomik 2020 është falimentimi i  Bankës Eurostandard – veçanërisht nëse dihet që ky falimentim ndodh 13 vjet pas rastit të fundit të tillë – falimentimi i “Makedonska Banka”. Dhjetëra miliona euro mbetën të “bllokuara”- si para të kompanive dhe qytetarëve që duhet t’u kthehen përmes procedurave të falimentimit – por a ekzistojnë paratë? Cila është arsyeja e vërtetë për dështimin e bankës, a ka pasur ndonjë abuzim, veprime të paligjshme që në fund i paguajnë klientët – disa nga këto pyetje do të duhet të marrin përgjigje nga hetimi. BPRM ngriti kallëzime penale, pronarët e bankës akuzuan se Banka Popullore arriti në mënyrë të padrejtë në vendimin përfundimtar – dry derës së  Eurostandard.

Kriza ekonomike do të mbartet në vitin e ri 2021-ë. Skenari optimist parashikon “shkëputjen” nga fundi dhe rifillimin e ekonomisë. Qeveria po njofton për masa të reja mbështetëse edhe vitin e ardhshëm, ndërsa ekonomistët tashmë kanë paralajmëruar për menaxhim të kujdesshëm të financave publike pasi pasojat e krizës Kovid-19 do të “shërohen” për një kohë të gjatë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button