RMV, 150 mijë euro janë ndarë për teatrin e ri në Tetovë, nuk dihet për çka do të shfrytëzohen konkretisht

Rreth 150 mijë euro janë ndarë për vazhdimin e fazës së dytë të teatrit dhe bibliotekës së re në Tetovë, njoftuan nga Ministria e Kulturës. Drejtori i Qendrës për Kulturë në Tetovë nuk dëshiron të deklarohet derisa Qeveria e RMV-së të vendose për dinamikën e punës. Rikujtojmë se zëvendës ministri i kulturës për Portalb.mk premtoi përfundimin e këtij projekti në fund të vitit 2023.

Projekti i cili ishte dërguar Qeverisë së RMV-së dhjetor të vitit të kaluar, më në fund është miratuar dhe janë ndarë gjithsej 90 milion denarë për këtë, gjegjësisht për vazhdimin e punimeve për ndërtimin e këtij teatri në Tetovë.

“Ju informojmë se projekti për ndërtimin e teatrit dhe bibliotekës së re në Tetovës bën pjesë në projektet kapitale të ministrisë së Kulturës. Janë miratuar 90 milion denarë për vitin 2021” thanë nga Ministria e Kulturës.

Që të informohemi për atë se ku do të harxhohen këto para, kontaktuam drejtorin e Qendrës për Kulturë, Artan Arsllani, megjithatë ai nuk deshi të deklarohet para se të marrë vendimin final nga Qeveria e RMV-së për dinamikën e punëve.

Portalb.mk mëson se këto mjete nuk janë të mjaftueshme për përfundimin e fazës së dytë, kësisoj, koha e përfundimit të këtij projekti mund të zvarritet përsëri siç është bërë në të kaluarën vazhdimisht.

Zv.ministri i Kulturës për Portalb: Parashihet që teatri i ri në Tetovë të përfundojë në fund të 2023

Zëvendësministri i Kulturës Sedat Sulejmani, në një intervistë ekskluzive për Portalb.mk 1 muaj më herët, në lidhje me rrjedhën e punëve për ndërtimin e teatrit të ri në Tetovë tha se gjasat janë të mëdha që ky objekt të jetë gati në fund të vitit 2023. Ai nuk deshi të flasë për përgjegjësitë eventuale të personave që kanë zvarritur procesin deri tani.

Me situatën e krijuar nga pandemia e koronavirusit në vend, por edhe në botë dhe efektet e saja në ekonomi nuk mundemi të japim afate të sakta kohore se kur mund të përfundojë ndërtimi, pasi dinamikën e ndërtimit e cakton qeveria sipas buxhetit që do e përcaktojë. Por,  ashtu siç parashihet pritet që në fund të vitit 2023 të jetë gati” deklaroi zëvendësministri Sulejmani, me datë 18 nëntor të vitit 2020.

Premtohet nga viti 2010!

Në pyetjen e Portalb.mk për arsyet e zvarritjes të procedurës për ndërtimin e këtij teatri, zëvendësministri i Kulturës, Sedat Sulejmani, nuk deshi të përgjigjet, duke shtuar se pyetja duhet të drejtohet diku tjetër.

“Nuk mund të flasë për të kaluarën se pse janë zvarritur punimet. Mendoj se kjo pyetje duhet t’i parashtrohet dikujt nga e kaluara” tha Sulejmani.

Ndërtimi i Qendrës për Kulturë në Tetovë ishte premtuar që më 6 tetor të vitit 2010, kur ministrja e atëhershme e Kulturës, Elizabeta Kançeska-Milevska e prezantoi zgjidhjen ideore për pamjen e teatrit multifunksional, që duhet të ofrojë teatër, kinema dhe bibliotekë.

Ndiqeni videon e përgatitur nga Portalb.mk për këtë:

Kostoja e fazës së parë për ndërtimin e objektit ishte projektuar në 13.5 milion euro ndërsa me fillimin e fazës së dytë dhe shpalljen e tenderit për rregullimin e brendshëm çmimi do të arrijë në 40 milion euro.

Projekti për ndërtimin e kësaj qendre të kulturës multi-funksionale është një prej projekteve kapitale të qeverisë së kaluar, i paraparë për t’u realizuar disa vite më parë. Me ndërtimin e kësaj qendre do të zgjidhet problemi hapësinor për më shumë institucione, si teatri, biblioteka, qendra e kulturës e të tjera, të cilat funksionojnë në një vend prej disa vitesh. Në pritje të realizimit të këtij projekti, aktiviteti kulturor dhe artistik zhvillohet në ambiente provizore dhe në kushte jashtë standardeve, ndërkaq Biblioteka që mban emrin “Koço Racin” mbetet e tepër e vogël, me pak libra dhe me kushte të këqia.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button